Erdgin Mane punon në divizionin e Institucioneve Inklusive Rurale dhe të Barazisë Gjinore tek Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Ai ka një doktoraturë në Ekonometri dhe Ekonomi Empirike nga Universiteti i Romës “Tor Vergata” dhe nje diplomë “Magna cum laude” në Ekonomi e Biznes tek Universiteti i Peskarës “G. D’Annunzio”. Gjatë përvojës së tij 16 vjeçare tek FAO ai merret me studime shkencore e statistika mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në bujqësi, sigurinë ushqimore, mbrojtjen sociale, zhvillimin socio-ekonomik dhe reziliencën e sistemeve agro-ushqimore. Tek FAO, ai drejton studimet mbi efektet e politikave dhe programeve agro-ushqimore mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas. Erdgini është një nga koordinatoret dhe bashkëautor i raportit botëror të FAO-s mbi Situatën e Grave në Sistemet Agro-ushqimore.
Erdgin Mane
CMG: Si i sheh gratë shqiptare, a kanë ato të njëjtin kapacitet apo dëshirë për punë?
Erdgin Mane: Unë e besoj. Gratë shqiptare kanë një potencial shumë të madh. Këtë e vërej edhe në diasporë, ku ato janë avokate apo ekonomiste të suksesshme.
CMG: Sa vite keni që punoni dhe cilat janë eksperiencat tuaja?
Erdgin Mane: Kam 16 vjet që punoj tek FAO. Ashtu si shumë shqiptarë shkova në Itali për të studiuar dhe pasi mbarova doktoraturën fillova të punoj si konsulent ekonomik. Kam punuar në zyra ekonomike dhe statistikore. Në këto 5 vitet e fundit kam punuar në zyrën e barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas.
CMG: Çfarë ju ka lidhur me këtë sistem? Pse jeni fokusuar tek barazia gjinore?
Erdgin Mane: Unë në profesion jam ekonomist dhe është më tepër situatë personale që më ka shtyrë të punoj për barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas, pasi lindi vajza e dytë. Unë sot kam tre vajza dhe mendoj që ato kanë të drejtat e tyre njësoj si djemë dhe për këtë jam i lumtur dhe i motivuar që punoj në këtë fushë.
CMG: A mendoni se ka barazi gjinore në vendin ku jetoni, duke bërë një krahasim edhe me Shqipërinë?
Erdgin Mane: Sa i takon kësaj teme në gjithmonë flasim për vende në zhvillim dhe vende të zhvilluara. Akoma kudo ka punë për të bërë për të rritur barazinë gjinore dhe për të rritur fuqizimin e gruas. Sa i takon Italisë, edhe ajo ka problemet e veta ashtu si Shqipëria. Në nivel global, mund të themi se në dekadën e fundit ka patur një nivel shumë të madh në këtë drejtim, por në shumë parametra ka pak mangësi. Edhe në pronësinë e tokës ka mangësi.
CMG:Në ç’kuptim në pronësinë e tokës?
Erdgin Mane: Në të drejtat ligjore për pronësinë e tokës. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, gratë akoma kanë probleme në pronësinë e tokës. Kanë më pak prioritet se burrat që të kenë të drejtat ligjore mbi tokën.
Studimi i FAO-s
Në zonat rurale, nëse gratë nuk kanë të drejtën e tokës, ato nuk mund të marrin huazime nga bankat dhe kjo krijon probleme në mundësinë e tyre për të rritur produktivitetin.
CMG:Si arritët deri tek rezultatet e studimit?
Erdgin Mane: Studimi ka shumë kushte për të arritur në rezultatin që ne kemi marrë. Ne nuk dum t’u imponojmë grave që ato të punojnë agrikulturë. Ne duam që gratë të kenë barazi në prodhimtarinë e tyre dhe në pagesa.
CMG:Pse ky studim bëhet një herë në 10 vjet? Çfarë vështirësie ka për t’u realizuar?
Erdgin Mane: Studimi i fundit i këtij tipi është bërë në 2010-2011 dhe kishte si qëllim pabarazinë në bujqësi. Qëllimi i këtij studimi është zgjerimi i fokusit përtej bujqësisë, e cila duhet thënë dhe duhet pranuar që është e lidhur edhe me sektorë të tjerë. Ne kemi trajtuar këtë drejtim.
CMG: Cilat ishin shtetet që u bënë kampionë të këtij studimi?
Erdgin Mane: Ky është një studim i madh global dhe me thënë të drejtën nuk jemi përqendruar shumë në vende të ndryshme, megjithëse ne kemi marrë parasysh të gjitha të dhënat që ekzistojnë sot në botë, përsa i përket barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas.
CMG: Si u realizua studimi? Pyetësorë, trajnime, seanca të mbyllura, të hapura?
Erdgin Mane: Kjo është një punë shumë e madhe. Ka kapituj me të dhëna që ekzistojnë nga Banka botërore për barazinë gjinorë dhe ka studime specifike që ne kemi bërë. Ne për një rast siç ishte pandemia, kemi bërë studime në të gjitha zonat e botës, kryesisht në ato rurale.
CMG: A është Shqipëria pjesë e këtij studimi?
Erdgin Mane: Po është, janë tre-katër vende në raport ku Shqipëria përmendet. Siç janë pronësia e tokës, të dhëna mbi progresin e Shqipërisë mbi papranueshmërinë e dhunës në familje. Shqipëria ka bërë një progres nga 30 për qind që ishte para 10 vitesh kur gratë e pranonin dhunën, tani më pak se 10 për qind e quajnë një gjë të tillë normale.
CMG: A mund të ndalemi tek disa të dhëna që kanë dalë si rezultat i studimit?
Erdgin Mane: Raporti i ri i FAO-s mbi situatën e grave në sistemet agroushqimore paraqet statistikat dhe studimet më të fundit mbi pjesëmarrjen, përfitimet dhe problemet e grave që punojnë në sistemet agroushqimore në mbarë botën. Ky studim i rëndësishëm tregon se si fuqizimi i gruas dhe barazia gjinore në bujqësi dhe në përpunimin, tregtinë e shërbimin ushqimor sjell mirëqenien e grave dhe familjeve të tyre, krijon mundësi për zhvillim ekonomik, rrit të ardhurat, produktivitetin dhe fiton përvojë ndaj krizave ushqimore.
Ky raport është i pari i këtij tipi në 10 vitet e fundit dhe studion jo vetëm bujqësinë, por edhe sektorët e tjerë që kanë lidhje me sistemet ushqimore.
Ekonomisti shqiptar, Erdgin Mane, thekson se nga nje studim i tij me bashkëautorë të tjerë ka vlerësuar se 1.23 miliardë individë punojnë në sistemet agroushqimore, kurse të ardhurat e gjysmës së popullsisë botërore varen nga to.
Raporti i FAO-s tregon se si barazia gjinore dhe fuqizimi i gruas janë të domosdoshëm për tranzicionin drejt sistemeve agroushqimore me inklusive dhe të qendrueshëm dhe si transformimi i sistemeve agroushqimore mund të kontribuojë në rritjen e barazisë gjonore dhe fuqizimin e gruas.
Raporti thekson se globalisht, 36 për qind e grave që punojnë janë të punësuara në sistemet agroushqimore dhe po ashtu 38 për qind të burrave që punojnë. Megjithatë, rolet e grave përgjithësisht jenë të margjinalizuara dhe kushtet e tyre të punës jenë më të këqija se ato të burrave të parregullta, joformale, me kohë të pjesshme, me kualifikim të ulët ose me punë intensive. Po kështu, gratë e punësuara me pagesë në bujqësi perfitojnë 82 cent për çdo lek që fitojnë burrat.
Gratë gjithashtu kanë të drejta më pak të sigurta mbi tokën, më pak akses në kredi dhe trajnime dhe duhet të punojnë me më pak teknologji se burrat. Së bashku me diskriminimin, këto pabarazi krijojnë një hendek gjinor prej 24 për qind në produktivitetin midis menaxherëve-fermerë gra dhe burra në ferma me madhësi të barabartë.
Studimi shpjegon se mbyllja e këtij hendeku gjinor në produktivitetin e fermave dhe e hendekut të pagave në bujqësi do të rriste produktin e brendshëm bruto global me gati 1 trilion dollarë dhe do të ulë numrin e njerëzve në pasiguri ushqimore me rreth 45 milionë individe.
Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s QU Dongyu në parathënien e raportit tha se “Nëse trajtojmë pabarazitë gjinore endemike në sistemet agroushqimore dhe fuqizojmë gratë, bota do të bëjë një hap përpara në adresimin e synimeve për t'i dhënë fund varfërisë dhe për të krijuar një botë pa uri”.
Raporti i FAO-s ofron një analizë gjithëpërfshirëse të të dhënave e fakteve të disponueshme mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në sistemet agroushqimore që janë prodhuar gjatë dekadës së fundit. Raporti gjithashtu u ofron politikëbërësve dhe aktorëve të zhvillimit një rishikim të gjerë të politikave që kanë funksionuar, duke theksuar premtimin për të kaluar nga mbyllja e hendekeve specifike gjinore drejt adoptimit të politikave transformuese gjinore që adresojnë në mënyrë te drejperdrejtë problemet strukturore formale dhe joformale drejt barazisë. Raporti përfundon me rekomandime specifike për rrugën drejt objektivave të qëndrueshme të zhvillimit (SDGs).
Intervistoi Megi Latifi