Pekini kundërshton pengimin prej ShBA-së të eksportit të mikroçipave nga Koreja e Jugut në Kinë
2023-04-28 15:44:34

Foto  nga VCG

Kina kundërshton me forcë kërkesën e ShBA-së për të ndaluar prodhuesit koreanojugorë të mikroçipave të mbushin zbrazëtinë në eksportin e mikroçipave të lënë nga kompanitë amerikanë në tregun kinez, theksoi një zëdhënëse e Ministrisë së Tregtisë të enjten.

Veprimi i ShBA-së është një ngacmim tipik që pengon rëndë shkëmbimet e rregullta ekonomike e tregtare ndërmjet kompanive dhe dëmton rregullat e tregut dhe rendin ekonomik e tregtar ndërkombëtar, u shpreh në një konferencë shtypi zëdhënësja Shu Jueting.

Ajo shtoi gjithashtu se ky veprim kërcënon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit.

Shu theksoi që, duke pasur parasysh se ShBA-ja ka shprehur shpesh gatishmërinë për konkurrencë të ndershme me Kinën në vend të "shkëputjes" prej Kinës, pala kineze shpreson që pala amerikane do të bëjë atë që thotë dhe do të respektojë të drejtat e kompanive për investime e tregti, për të arritur rezultate me përfitime të përbashkëta.

Duke vënë në dukje që zinxhiri i industrisë së mikroçipave është ndërtuar mbi bashkëpunimin ndërmjet ekonomive me epërsi krahasuese përkatëse, Shu tha se ShBA-ja po kërkon shkëputjen dhe ndërprerjen e zinxhirit industrial dhe të furnizimit, duke abuzuar me kontrollin e eksporteve dhe duke i detyruar disa vende të praktikojnë proteksionizmin tregtar ndaj Kinës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë shtoi që këto përpjekje të SHBA janë arsyeja kryesore e rënies së të ardhurave dhe fitimeve të fundit të kompanive të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit të mikroçipave në disa vende.