Hapet në Ljubjanë ekspozita për astronomin slloveno-kinez
2023-04-28 17:16:59

Ekspozita mbi shkencetarin slloven (Foto Omgbulletin)

Ekspozita mbi shkencetarin slloven (Foto Omgbulletin)

Një ekspozitë mbi një shkencëtar slloven që kaloi shumicën e viteve të tij të punës në Kinë u hap në Ljubjanë. Ekspozita mbi Ferdinand Augustin Hallerstein u çel nga presidentja sllovene Natasa Pirc Musar, e cila tha se Hallerstein ishte një shkencëtar i rëndësishëm që lidhi njohuritë europiane dhe ato kineze, citon “Xinhua”.

Hallerstein ka lindur 320 vjet më parë dhe njihej edhe me emrin kinez Liu Songling. Ai u bë kreu i Bordit të Astronomisë dhe Matematikës (Qin Tianjian) të dinastisë Qing, ku krijoi një instrument vëzhgimi astronomik i cili ishte më i madhi në Observatorin e Lashtë të Pekinit, ku është ende i ekspozuar.

Një kopje e instrumentit, e cila do të dhurohet nga Ambasada Kineze në Slloveni, pritet të mbërrijë nga Kina muajin e ardhshëm. Ai do të ekspozohet përgjithmonë përpara ndërtesës së Arkivit Slloven në bregun e lumit Ljubljanica, i cili përshkon kryeqytetin slloven.

“Jam i sigurt se ky monument do të vazhdojë të forcojë miqësinë mes Sllovenisë dhe Kinës”, tha në hapjen e ekspozitës Wang Shunqing, ambasadori i Kinës në Slloveni.

Sipas tij, ekspozita do të ngrejë në një nivel të ri marrëdhëniet diplomatike midis Sllovenisë dhe Kinës, të cilat u krijuan 30 vjet më parë.

Wei Hongtao, zëvendësdrejtor i Administratës Kombëtare të Arkivave të Kinës, i cili ndihmoi në përgatitjen e ekspozitës, tha se ajo do të rrisë miqësinë tradicionale midis Kinës dhe Sllovenisë dhe do të përmirësojë më tej mirëkuptimin e ndërsjellë".

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të qershorit. Ajo përshkruan udhëtimin e Hallerstein në Kinë dhe punën e tij si astronom, matematikan, shkencëtar natyror dhe gjeograf. Ai ishte gjithashtu një misionar jezuit dhe fliste gjashtë gjuhë.

Hallerstein mbërriti në Kinë në vitin 1739 pas një udhëtimi dyvjeçar dhe nuk u kthye më në Europë. Ndërsa jetonte në Kinë, ai ishte anëtar i Akademive në Londër, Paris dhe Shën Pjetërburg. Ai krijoi një kalendar dhe zbuloi një kometë të re në vitin 1748. Atij iu dha titulli i zyrtarit të rangut të tretë për punën e tij dhe u varros në Pekin. (Irma)