Masterclass nga Ermonela Jaho (Foto TKOB)
Sopranoja e njohur Ermonela Jaho mbajti për disa ditë me rradhë në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë masterclass për artistët e kantos, si pjesë e programit muzikor “Akademia Teatrale”.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në muajin prill ndërmori këtë programin muzikor “Akademia Teatrale”, nëpërmjet të cilit të rinjtë e pasionuar pas muzikës klasike kanë mundësinë të trajnohen në një masterclass rreth teknikës vokale dhe interpretimit skenik, nga emra të njohur ndërkombëtarë. Sopranoja Ermonela Jaho u cilësua si “kumbara” e këtij programi.
Për 5 ditë me radhë talentët e rinj operistikë, nën mbikëqyrjen dhe leksionet e sopranos së mirënjohur Ermonela Jaho, kanë mësuar jo vetëm interpretim vokal, por edhe se si të depërtojnë emocionalisht tek spektatori.
Sopranoja e njohur Ermonela Jaho ka mbajtur sallat plot me student e pedagogë të huaj në shtete të mëdha, por ndjeu keqardhje që studentët e Arteve nuk u bënë pjesë e kësaj eksperience. Ajo premtoi rikthimin në tetor me Akademinë Teatrale dhe një performancë së bashku me të rinjtë.
Ermonela Jaho në Tiranë (Foto Balkanweb)
Prej sukseseve të para e deri më sot, kur zëri e performanca e saj bëhen kryetemë e skenave më prestigjioze, Ermonela Jaho ka vendosur, që lidhjet me rrënjët t’i ruajë të forta.
Sopranoja u shpreh për mediat nga Teatri i Operas:
“Teatrin nuk do të na e bëjnë të huajt, nuk do ta bëjë askush tjetër përveç nesh. Ne kemi zëra fantastikë, këta zëra vetëm duhet t’i rrisim me dashuri. Shkolla jonë të jep diçka, mua më ka dhënë diçka... Më vonë unë e kam mësuar me luftë, torturë e sakrificë të madhe, kam dalë jashtë ta marr këtë eksperiencë dhe është detyrimi ynë si artistë të rritur këtu, që ta sjellim në vendin tonë. Qëllimi është që në bazë të kalendarit të përgatiten këta artistë të rinj shqiptarë dhe rolet në operat që ne do të programojmë të jenë këngëtarët shqiptarë, pse të paguajmë më shtrenjtë artistë të huaj. Të jesh artist sot është e vështirë, të bësh jetesën me art është e vështirë. Duhet ta duash, duhet të jetë një terapi, një katharsis... një nevojë shpirtërore”, u shpreh Jaho.
Më tej sopranoja e njohur foli për jetën e saj dhe vuri në dukje se për të arritur në nivelin që është sot vështirësitë kanë qenë të panumërta.
“Vështirësitë kanë qenë të panumërta, jeta të vë në provë dhe unë kam prekur fundin nganjëherë, sa kam menduar që ta lë, sidomos me paragjykimet, të vish nga Shqipëria në ’93-shin. Dhe sot e kësaj dite duhet të jap 150 përqindshin tim këtu. Gur-gur të ndërtojmë diçka për këta talente, t’u japim shpresën sepse nuk kanë përse të largohen për të mësuar. Nuk e kam bërë asnjëherë për famë, por është një ushqim shpirtëror. Sidomos kur rritesh në një ambient me shumë paragjykime, në njëfarë mënyre për të thënë se pavarësisht paragjykimeve të botës ne vlejmë, unë vlej. Ajo që është e rëndësishme tani është se çfarë do lë pas.” , theksoi ajo
Sopranoja Ermonela Jaho me studentet ne TKOB (Foto nga instagrami)
Sopranoja Ermonela Jona e ka bashkëngjitur Shqipërinë me emrin e saj kudo që prezantohet në botë, e prej eksperiencës ndërkombëtare i përçon tek artistët e rinj të muzikës klasike, leksione të vyera në masterclass edhe përtej kantos në Opera. Së bashku me drejtoren e Teatrit, po punojnë që “Akademia Teatrale” të kthehet në traditë.
Në trajnimin e të rinjve ajo i ka trajtuar ata si kolegë, e përveçse u ka zbuluar disa prej sekreteve që fshihen në komponentët e një opere, prej zërit tek grimi, por edhe ka marrë prej tyre emocione të forta.
Ermonela ka shtuar: “Jam përlotur prej një nga pjesëmarrësve nga Peja që vinte nga mëngjesi deri në darkë... dhe thashë ka ende shpresë! Sigurisht që edhe përgjegjësia ime është e madhe sepse nuk ka rëndësi ku këndova dje, kush më duartrokiti, por çfarë do të lë dhe çfarë po bëj tani...”
Ermonela Jaho flet me energji e pasion për të ardhmen e Teatrit të Operas, për të cilin ndjen përgjegjësi morale që të kontribuojë, si artiste, atdhetare, por edhe anëtare e bordit të Teatrit.
“Përse duhet të paguajmë të huajt 1000 apo 2000 Euro për një shfaqje, ku me atë pagesë mund të paguhen artitët shqiptarë, ata që i ke rritur vetë. Dhe jo vetëm për artistët shqiptarë, por kjo “Akademi” të bëhet pikë referimi edhe për Evropën.”
Sopranoja Ermonela Jaho (Foto nga instagrami)
Sopranoja Ermonela Jaho premtoi se në muajin tetor do të rikthehet sërish me “Akademinë Teatrale” dhe se do t’i përgjigjet pozitivisht dëshirës së publikut shqiptar për ta parë të performojë në këtë skenë, ku do ta ndajë skenën me artistët e rinj, me një produkson të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho është shpallur ‘Artiste e Vitit’, nga International Classical Music Awards, për 2023. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shpreh nder dhe kënaqësi për pjesëmarrjen e saj në masterclass-in e organizuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
International Classical Music Awards, konsiderohet njëri prej çmimeve më prestigjioze të muzikës klasike. Me një juri prej katërmbëdhjetë kritikësh të muzikës klasike nga shtete të ndryshme të botës, çmimet ndahen në gjashtëmbëdhjetë kategori, si dhe tetë çmime speciale.