Li: Kina, ndërtuese aktive e sistemit ndërkombëtar të të drejtave të pronësisë intelektuale
2023-04-28 18:32:06

Foto nga Xinhua

Kina është një ndërtuese aktive, kontribuuese e rëndësishme dhe mbrojtëse e vendosur e sistemit ndërkombëtar të të drejtave të pronësisë intelektuale, tha të enjten kryeministri kinez Li Qiang kur u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) Daren Tang në Pekin.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 50-vjetorin e bashkëpunimit midis Kinës dhe WIPO-së, Li tha se kreu i shtetit i Kinës i ka dërguar një letër urimi një veprimtarie përkujtimore për 50-vjetorin dhe se Kina shpreson ta shfrytëzojë këtë mundësi për ta ngritur bashkëpunimin në një nivel të ri.

Li shtoi se Kina i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, ka zbatuar strategjinë kombëtare të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe ka bërë përpjekje për t'u bërë një vend i fuqishëm në pronësinë intelektuale.

Ai tha se Kina ka bërë përmirësime të rëndësishme në krijimin dhe forcimin e mbrojtjes ligjore të të drejtave të pronësisë intelektuale, përmirësimin e sistemit të menaxhimit të tyre, rritjen e ndërgjegjësimit të të gjithë shoqërisë për respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe trajtimin e rasteve të rëndësishme të shkeljeve sipas ligjit.

Duke nënvizuar rëndësinë e të drejtave të pronësisë intelektuale, Li theksoi se puna e pronësisë intelektuale po përballet me shumë probleme dhe sfida të reja, me zhvillimin e inteligjencës artificiale, Internetit të Gjërave dhe teknologjive të tjera të reja, si dhe ekonomisë digjitale.

Ai tha se Kina është e gatshme të përmirësojë bashkëpunimin me WIPO-në dhe të japë kontribut për krijimin e një mjedisi të shëndoshë për krijimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Daren Tang shprehu vlerësime për rezultatet dhe përparimet e arritura nga Kina në pronësinë intelektuale gjatë 50 vjetëve të fundit.

Strategjia e pronësisë intelektuale e Kinës është shembullore, tha Tang, duke shtuar se WIPO ka bashkëpunim të gjerë dhe të thellë me Kinën në fushat e inovacionit, teknologjisë dhe digjitalizimit.

Ai vuri në dukje se WIPO do të forcojë më tej bashkëpunimin me Kinën në të ardhmen për të promovuar zhvillimin inovativ të botës dhe zhvillimin e përbashkët të të gjitha vendeve. (Çang Çuo)