Argjentina do të paguajë në RMB e jo në dollarë për importet kineze
2023-04-28 14:55:40

Argjentina do të paguajë në monedhën kineze renminbi (RMB) e jo në dollarë për importet nga Kina, tha të mërkurën ministri argjentinas i Ekonomisë Sergio Massa, në një lëvizje të fundit largimi nga "monedha e gjelbër".

Foto:VCG

Ministri argjentinas i Ekonomisë Sergio Massa(i djathtë) takohet me ambasadorin kinez në Argjentinë, Zou Xiaoli(Foto:VCG)

Kalimi te juani në tregtinë me Kinën do të sjellë më shumë "liri" për Argjentinën dhe do të forcojë rezervat e saj, tha Massa në një konferencë shtypi ku mori gjithashtu edhe ambasadori kinez Zou Xiaoli.

Kjo do të rritë efektshmërinë në transaksionet e kleringut dhe do të ulë kostot e shkëmbimit, duke garantuar sigurinë e fluksit të fondeve dhe informacionit, tha Pang Ming, kryeekonomist për zonën e Kinës në JLL.

Ai vuri në dukje që është e nevojshme dhe e mundshme që vendet e mëdha tregtare të përdorin monedhat e tyre për pagesat në tregti, me qëllim që të ulin varësinë nga një monedhë e vetme e madhe.

Massa tha se Argjentina do të paguajë për mallrat kineze të importuara me vlerë rreth 1.04 miliard dollarë këtë muaj me monedhën kineze. Ai gjithashtu pret një pagesë për importet kineze me vlerë 790 milionë deri 1 miliard dollarë nga maji e më tej.

Një dyqan në Buenos Aires(Foto:VCG)

Një dyqan në Buenos Aires(Foto:VCG)

Kurse ambasadori kinez në Argjentinë Zou Xiaoli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit financiar e monetar midis të dy vendeve dhe i nxiti kompanitë të përdorin monedhat vendore për tregtinë e investimet dypalëshe.

Kina dhe Argjentina nënshkruan në janar një marrëveshje për të zgjeruar këmbimin e monedhave reciproke, e cila do të përforcojë rezervat ekzistuese valutore të Argjentinës prej 130 miliardë juanësh (18.8 miliardë dollarë) dhe do të aktivizojë 35 miliardë juanë (5 miliardë dollarë) kuota të disponueshme.

Që nga fillimi i vitit 2023, i ashtuquajturi "çdollarizim" ka marrë hov dhe vende të ndryshme kanë marrë masa për mospërdorimin e monedhës amerikane.

Përpara Argjentinës, Kina dhe Brazili njoftuan se do të përdorin monedhat e tyre në transaksionet tregtare e financiare dypalëshe. Po ashtu, Kina dhe Franca kanë kryer pagesën e parë ndërkufitare me juanë në tregtimin e gazit natyror të lëngshëm dhe vendet e Azisë Juglindore kanë rënë dakord të forcojnë më tej përdorimin e monedhave vendore brenda rajonit.

Pjesa e RMB-së në transaksionet globale po rritet ndjeshëm. Përqindja e juanit në pagesat dhe faturat ndërkufitare të Kinës e kaloi atë të dollarit amerikan për herë të parë në mars, treguan të dhënat nga "Bloomberg Intelligence".

Banka qendrore e Argjentinës(Foto:VCG)

Konkretisht, pjesa e juanit në transaksionet ndërkufitare në Kinë është rritur nga pothuajse zero në vitin 2010 në 48 % në fund të marsit të këtij viti. Ndërkohë, përdorimi i dollarit amerikan në tregtinë ndërkufitare të Kinës ka rënë nga 83 % në 47 % gjatë së njëjtës periudhë.(Zhang Yan/Artan)