Qeveria shqiptare miraton projektvendimin për programet e nxitjes së punësimit
2023-04-28 16:19:23

Ministrja e Financave dhe Ekonomise (Foto Rtsh)

Ministrja e Financave dhe Ekonomise (Foto Rtsh)

Qeveria shqiptare miratoi projektvendimin për programet e nxitjes së punësimit që lidhen me skemën e garancisë rinore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se ky program do t’u drejtohet aftësimit dhe punësimit të të gjithë të rinjve në Shqipëri në moshat 15-29 vjeç.

Sipas Ibrahimajt, i gjithë ky proces mbështetet nga fondet e buxhetit të shtetit në bashkëpunim me fondet e Bashkimit Europian, përcjell “RTSH”.

“Konkretisht, programi do t’i referohet kësaj grupmoshe e cila ka një papunësi më të lartë se papunësia e përgjithshme e vendit dhe do t’i drejtohet duke i ofruar çdo të riu, i cili ka të paktën 4 muaj pa një punë apo një program arsimimi, duke i ofruar programe të aftësimit nëpërmjet kurseve të formimit profesional apo një vend pune”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se do të ketë lehtësi për bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç.

“Për bizneset që do të punësojnë një të ri të moshës 15-29 vjeç, që janë pjesë e këtij programi, do të paguhet 20% e kohës së personit që do të merret me trajnimin e të rinjve dhe të rinjve do t’u paguhet edhe transporti, deri në masën 1600 lekë nëse banojnë më shumë se 2 km larg nga vendi i punës apo vendi i formimit profesional”, shpjegoi ministrja Ibrahimaj. (Irma)