BE miraton objektivat klimaterike të vitit 2030 për emetimet e karbonit
2023-04-27 11:34:17

Foto nga VCG

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan të martën pesë ligje të reja që do t'i mundësojnë bllokut të ulë emetimet e gazeve serrë brenda sektorëve kryesorë të ekonomisë, duke përfshirë transportin detar dhe industrinë e aviacionit.

Legjislacioni është pjesë e paketës kryesore të veprimit të BE-së për klimën, e quajtur “Fit for 55”, e cila synon të reduktojë emetimet e gazeve serrë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990, bën të ditur “Xinhua”.

Votimi në Këshillin e BE-së është hapi i fundit i procedurës së vendimmarrjes.

Tregu i karbonit i BE-së, i cili bazohet në parimin ndotësi paguan, jep lejime për emetimet për industritë me energji intensive, prodhimin e energjisë dhe sektorin e aviacionit.

Megjithatë, sipas rregullave të reja të Sistemit të Tregtimit të Emisioneve (ETS), sektorë të tillë si industria e energjisë, hekurit, letrës dhe naftës duhet të reduktojnë emetimet e tyre të gazeve serrë me 62 për qind në krahasim me nivelet e vitit 2005.

Lejet pa pagesë për emetimet në sektorin e aviacionit do të hiqen gradualisht nga viti 2026.

Emetimet e transportit detar do të përfshihen brenda fushëveprimit të ETS për herë të parë. Detyrimet për kompanitë e transportit detar për të dorëzuar lejimet do të futen gradualisht: 40 për qind për emetimet e verifikuara nga viti 2024, 70 për qind nga 2025-a dhe 100 për qind nga 2026-a.

Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), i cili ka të bëjë me importet e produkteve në industritë me intensitet karboni, do të qëndrojë në fuqi deri në fund të vitit 2025. (Elona)