Ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit nderohet me Urdhrin e Lartë nga presidenti Erdogan
2023-04-27 10:54:12

Foto nga ATSH

Ekipi shqiptar i kërkim-shpëtimit, që ndihmoi në operacionet pas tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi, u nderua me Urdhrin e Lartë Shtetëror për Sakrificën nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.  

Njoftimi u dha nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një postim në rrjetet sociale, ku shkruan: “Vlerësim e mirënjohje nga një popull mik që iu gjend Shqipërisë në ditë të vështira! Të bashkuar për të përballuar çdo fatkeqësi”.  

Tri skuadrat shqiptare që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas dy tërmeteve shkatërrimtare në Turqi, përfunduan punën e tyre dhe u kthyen në 18 shkurt në atdhe, bën të ditur “ATSH”.  

Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore u përcollën me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre.  

Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë shqiptar i shpëtimit.  

Gjithashtu, në emër të popullit shqiptar, kryeministri Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit. (Elona)