Raporti demografik i OKB-së, si projeksion ekonomik e gjeopolitik kundër Kinës
2023-04-27 21:14:43

Vlerësimet dhe projeksionet e fundit të popullsisë globale nga Kombet e Bashkuara, treguan se India është në rrugën e saj për t'u bërë vendi më i populluar në botë, duke kaluar Kinën me pothuajse tre milionë njerëz më shumë në mes të këtij viti. Të dhënat demografike të publikuara së fundi nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) vlerësojnë popullsinë e Indisë në 1,4286 miliardë kundrejt 1,4257 miliardë për Kinën.

Zyrtarët e OKB-së për popullsinë kanë thënë se nuk ishte e mundur të specifikohej një datë për shkak të "pasigurisë" në lidhje me të dhënat që dolën nga India dhe Kina, veçanërisht pasi regjistrimi i fundit i Indisë u krye në 2011 dhe ai tjetër që duhej të mbahej në 2021 është vonuar për shkak të pandemisë.

Fluks i turistëve në Pallatin e Dimrit, Pekin, 26 prill 2023(Foto:VCG)

Fluks i turistëve në Pallatin e Dimrit, Pekin, 26 prill 2023(Foto:VCG)

Megjithatë përpos këtij fakti, raporti demografik i Kombeve të Bashkuara solli reagime nga analistë dhe media perëndimore se tashmë Kina po e humbet primatin e saj jo vetëm demografik por kjo do të shkaktonte dhe një hap mbrapa në ekspansionin e saj ekonomik.

Pra kjo kthesë historike e popullsisë ngre pyetje nëse India mund të përsërisë suksesin ekonomik që e ka bërë Kinën qendrore për ekonominë botërore dhe një fuqi udhëheqëse globale?!

"Që ky shekull t'i përkasë Indisë, ajo duhet të shfrytëzojë sa më shumë avantazhin e saj demografik," tha Brahma Chellaney, një profesor i çështjeve strategjike në Qendrën për Kërkimin e Politikave.

Duke cituar më tej se “Kriza demografike e Kinës është në kohën e duhur për rritjen e Indisë – por vetëm nëse ajo mund të gjejë mjaft punë me cilësi të mirë për të rinjtë e saj të vrullshëm.”

E pra raporti në vend që të ishte një “kambanë alarmi” që sinjalizon rritjen e e papunësisë, varfërisë, emigracionit, u lexua si konkurret i drejtpërdrejtë i fqinjit të tij, Kinës ku pretendohet se mund ta kaloje edhe ekonomikisht atë.

Sigurisht India dhe Kina janë të dy gjigantët aziatikë që përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së vlerësuar globale prej 8.045 miliardë banorësh, megjithatë vetë Ministria e Jashtme kineze reagoi duke thënë se dividenti demografik i një vendi varet nga sasia e popullsisë, por cilësia e popullsisë është më e rëndësishme; varet nga madhësia e popullsisë, por shkalla e fuqisë punëtore të kalibrit të lartë është më e rëndësishme.

Kina ka një popullsi prej më shumë se 1.4 miliardë banorë, nga të cilët afro 900 milionë janë në moshë pune, dhe numri mesatar i viteve të arsimit për popullsinë në moshë pune është 10.9 vjet, me hyrjet e reja në fuqinë punëtore që kanë 14 vjet arsimim, vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin.

Pasagjerë në një stacion të trenave në Mubai, Indi,19 prill 2023

Pasagjerë në një stacion të trenave në Mubai, Indi,19 prill 2023(Foto:VCG)

Në të njëjtën kohë, Kina ka zbatuar një strategji kombëtare për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive popullsisë në plakje, duke promovuar një politikë të tre fëmijëve me masa mbështetëse për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive ndryshimeve demografike, tha ai.

"Dividenti demografik i Kinës nuk është zhdukur dhe dividenti ynë i talenteve është duke u bërë. Forca lëvizëse për zhvillimin e Kinës mbetet e fortë," tha Wang, duke cituar komentet e kryeministrit kinez Li Qiang.

Duhet thënë se India dhe Kina janë fqinjë dhe kanë një marrëdhënie të ndërlikuar, duke përfshirë lidhje të forta tregtare dhe një mosmarrëveshje të gjatë kufitare.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e shohin gjithnjë e më shumë Indinë, si një kundërpeshë ndaj Kinës. Ndaj ky raport u lexua nga Perëndimi jo vetëm si një projeksion demografik por mbi të gjitha si një projeksion ekonomik e gjeopolitik kundër Kinës.

Lajmi vjen në një moment kur India po promovon vetën si një lojtar ndërkombëtar në rritje si mikpritëse e Samitit të Grupit të 20-të të këtij viti, që do të mbahet në Nju Delhi në shtator. G-20 përbëhet nga ekonomitë kryesore të botës.

Nga ana tjetër e gjithë agjenda ndërkombëtare e Kinës ka qenë mbresëlënëse në vetëm 3 muajt e fundit, ndërsa shohim se liderët më të rëndësishëm Europian e kanë vizituar Pekinin jo vetëm për interesat  e tyre bilaterale politiko- ekonomike, por mbi të gjitha duke e parë Kinën si aktor dhe faktor në ndërmjetësimin e Paqes Rusi-Ukrainë.

Megjithatë të qëndrojmë te ekonomia.

Ndonëse në media trumbetohet  se madhësia e Indisë dhe popullsia e saj e re i japin asaj potencialin për të përsëritur trajektoren ekonomike të Kinës, në fakt ekonomia e Indisë është ende shumë prapa asaj të Kinës. Në vitin 1970, të dy vendet kishin pothuajse të ardhura të barabarta për frymë, por produkti i brendshëm bruto (PBB) i Kinës është 12,556 dollarë për person sot, krahasuar me 2,256 dollarë të Indisë, sipas të dhënave të Bankës Botërore 2021.

Foto:VCG

Foto:VCG

India gjithashtu përballet me sfida të mëdha në sigurimin e energjisë elektrike, ushqimit dhe strehimit për popullsinë e saj në rritje, me shumë nga qytetet e saj masive që tashmë po luftojnë me mungesën e ujit, ndotjen e ajrit dhe ujit dhe lagjet e varfra të mbushura.

India dhe Kina kanë ruajtur historikisht marrëdhënie paqësore për mijëra vjet histori të regjistruar. Të dy kombet kanë kërkuar bashkëpunim ekonomik me njëri-tjetrin, ndërkohë që mosmarrëveshjet e shpeshta kufitare dhe nacionalizmi ekonomik në të dy vendet janë pika kryesore e mosmarrëveshjes.

Ndonëse SHBA e “perkëdhel” Indinë, interesat e tyre nuk përputhen gjithmonë. India, ndryshe nga pjesa më e madhe e Perëndimit, është përmbajtur nga dënimi i aleatit të saj të Luftës së Ftohtë, Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, në vend të kësaj duke adoptuar një qëndrim neutral.

Ja çfarë citon një nga ekspertet për Azinë.

"Psikologjikisht, do të jetë e vështirë për Kinën, veçanërisht duke pasur parasysh rivalitetin në fusha të tjera midis dy vendeve," tha Gietel-Basten. “Është një moment i madh në historinë njerëzore pasi stafeta i është dorëzuar Indisë.”

Duket qartë se ky raport ka zgjuar një propagandë rivaliteti në Azi.

Por pse ka rëndësi ky raport demografik?

Më shumë se sa rivaliteti demografik, se cili komb është më i populluari në botë dhe se kush do ta marrë stafetën ekonomike dhe gjeopolitike ndërmjet dy kombeve më të mëdha në kontinentin aziatik, me rëndësi janë njerëzit.  Sigurisht që ky raport nuk përmbush dëshirat gjeopolitike perëndimore kundër Kinës, ndaj në vend të projeksioneve imagjinare ekonomike te Indisë, në fakt  kjo e fundit do duhet ta marrë në konsideratë (raportin) për rreziqet me të cilat do të përballet ky komb, pasojat sociale dhe ekonomike të popullsisë së saj.