Rrugicë tradicionale në Korçë - foto meganews.al
Serenatat janë këngë që lindën si dedikime dashurie rrugicave të qytetit të Korçës e që luheshin me kitarë, mandolinë a buzuk, poshtë dritareve të vajzave, ndaj të cilave shprehnin dashurinë.
Kërkues të ndryshëm thonë se zanafilla e saj e hershme, atëherë kur serenata shkëlqeu në Greqi, Itali, apo Spanjë, ndërsa rreth viteve 20 zuri vend zyrtarisht në Korçë, si këngët e zemrës, të krjuara nga autorë vendas.
Duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, greke apo italiane. Këtë e dëshmojnë jo vetëm meloditë, por edhe tekstet e disa serenatave të përkthyera nga këngë greke. Nuk është aspak i çuditshëm apo i dënueshëm ndikimi i serenatës së huaj, greke apo italiane në serenatën korçare. Kjo pasi Qefalonia është porta nga hyri serenata në Gadishullin Ballkanik. Vlerat kanë qarkulluar dhe qarkullojnë.
Një traditë kaq e bukur sa e serenatave, nuk kishte si të mos vinte kaq fuqishëm, në një vend artdashës si Korça, ku njerëzit e donin muzikën, dinin të këndonin shumë bukur dhe të luanin me kitarrë ose mandolinë. Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë. Por gjithashtu, nuk mund të mohohet kurrsesi fakti që mjaft prej serenatave janë krijime origjinale, me tekst e muzikë.
Termi “serenatë”, sigurisht, është marrë nga italishtia, por në Korçë ato krijuan një origjinalitet të veçantë. Do të duhej patjetër njëfarë kohe, që kjo përvojë e re e mbartur të “alkimizohej” me shijen dhe me traditën muzikore vendase. Kështu, me krijimin e shoqërive kulturore zyrtare si klubi “Rilindja”, nën drejtimin e profesor Spiro Kondës, shoqëria “Djelmuria korçare”, shoqëria e Arteve të Bukura, e korit “Lyra” etj., filluan të krijohen e kompozohen shqip edhe këngë dashurie përveç këngëve patriotike.
Serenatë korçare - foto Meganews.al
Ritmi i shtruar, por edhe i shpejtë shpesh herë, me përsëritje të shpejta të vargjeve, si edhe tonalitetet e ëmbla i dhanë një bukuri të veçantë serenatës dhe e bënë lehtësisht të këndueshme nga të gjithë, duke e shndërruar në muzikën e zanatçinjëve, të njerëzve të thjeshtë, duke e ruajtur dhe duke e përcjellë brez pas brezi atë.
Është interesant fakti që shumë patriotë të dëgjuar si Asdreni, Mihal Grameno, Hilë Mosi etj., krahas këngëve patriotike, me tekstet e tyre lirike ushqyen edhe këngët e serenatës korçare.
Kështu, serenata korçare nisi të marrë tipare origjinale. Kjo krijimtari mori hov veçanërisht në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe në vazhdim kur po njiheshin edhe autorët e këtyre serenatave. Në vitet që pasuan, bëhet fjalë kryesisht për krijime të mirëfillta dhe me plot gojën mund të thuhet se tashmë bëhet fjalë për serenatën origjinale korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit.
Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm. Serenata ishte një këngë me objekt, një këngë e e adresuar. Madje në këngë i këndohej hollësisht bukurisë shpirtërore dhe fizike të vajzës, të cilës mendohej t’i fitohej zemra.
Përgjigjia e vajzës, nëse ajo pranonte, vinte gjatë, ose pas këngës, me një lëvizje të lehtë të perdes së dritares, që zëvendësonte duartrokitjet dhe drithërimat e sallës.
Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, pas“premierës” nën dritare, serenata fiton “qytetarinë” e saj për t’u kënduar në rrugë, gosti, në dasma e kudo.
Serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza interpretuesish. Grupi i parë u përket viteve 1860-1880, ku merrnin pjesë Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, etj. Një grup tjetër i njohur në kohën e vet përpara vitit 1913 ishte ai i Nodhi Lakos.
Serenata korçare (foto ilustruese) - foto nga faqja Skenderbeu
Ndërsa kantautori më i njohur i viteve ‘50 të shekullit të kaluar mbetet Sotiraq Mite. Grupe të tjera të reja të shekullit të kaluar janë “Trëndafili i kuq” me kantautor Sotiraq Qano, etj. Vijojnë grupe të tjera, si ai i kantautorit më në zë aktualisht në Korçë i Mihallaq Andreas, etj.
Ata që kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë serenatën korçare janë të panumërt në këtë qytet. Në Korçë janë të zakonshme familjet që kanë pasur nga dy apo tre breza serenatistësh. Ata këndonin familjarisht me burra dhe gra, zakonisht në oborr, në shkallët e shtëpive, apo te lulishtja e “Themistokli Gërmenjit”, që njihet edhe si një nga qendrat burimore më të hershme të serenatës korçare.
Të moshuarit tregojnë edhe sot për atë traditë të bukur që kishin në rininë e tyre të largët për t’u mbledhur e për të kënduar në shoqëri. Ata mblidheshin për të kënduar dhe për t’u argëtuar për qejf, në dasma, fejesa, apo për të kremtuar ditët e emrit.
Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara.
Vetëm pas viteve pesëdhjetë serenata u bë pa një objekt të caktuar. Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatës, për të gjitha brezat në vite.
Studiuesit thonë se serenata tashmë e ka mbyllur ciklin e vet, atë të mision historik të emancipimit shpirtëror, intim e shoqëror. Por ata vijojnë të këndohen në çdo tryezë gëzimi apo skenë dhe jo vetëm në Korçë.
Neritana Kraja