Komuniteti i biznesit u kërkon sipërmarrësve të rinj të nxisin rimëkëmbjen globale
2023-04-27 10:35:56

Foto nga Qendra Ndërkombëtare e Shkëmbimeve të të Rinjve e Kinës

Foto nga Qendra Ndërkombëtare e Shkëmbimeve të të Rinjve e Kinës

Komuniteti i biznesit i udhëhequr nga krerët e Dhomave të Tregtisë dhe organizatave të biznesit u bënë thirrje sipërmarrësve të rinj ndërkombëtarë, në një konferencë në Pekin, që të rrisin besimin dhe t'i shtojnë gjallërinë rimëkëmbjes ekonomike.

 

Konferenca e parë Ndërkombëtare e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit për Sipërmarrësit e Rinj startoi në Pekin me krijimin e një shoqate të re për sipërmarrësit e rinj ndërkombëtarë. Mbi 200 drejtues të Dhomave të huaja të Tregtisë, organizata biznesi dhe sipërmarrës të rinj nga afro 50 vende janë të përfaqësuar në konferencë, e cila kishte si synim të eksplorojë metodat për arritjen e rimëkëmbjes ekonomike globale në epokën pas pandemisë.

 

Eventi “Rigjallërimi i rritjes dhe bashkëpunimi i ndërsjellë” u thellua në tema të ndryshme, si stabiliteti i zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit, bashkëpunimi shumëpalësh dhe përfitimet reciproke, si dhe thellimi i bashkëpunimit midis sipërmarrësve të rinj nga vendet e ASEAN-it, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.

 

Gjatë këtij eventi u krijua platforma e re Aleanca Ndërkombëtare e Shoqatave të Sipërmarrësve të Rinj, për të inkurajuar më shumë bashkëpunim ndërkombëtar midis sipërmarrësve të rinj dhe për t'i shërbyer më mirë nismës “Një brez, një rrugë” dhe ekonomisë së hapur botërore. Aleanca u lançua nga Qendra Ndërkombëtare e Shkëmbimit Rinor e Kinës në bashkëpunim me organizata sipërmarrëse rinore nga 33 vende.

 

Foto nga Qendra Ndërkombëtare e Shkëmbimeve të të Rinjve e Kinës

Foto nga Qendra Ndërkombëtare e Shkëmbimeve të të Rinjve e Kinës

Konferenca miratoi gjithashtu Deklaratën e Pekinit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Sipërmarrësit e Rinj, e cila bëri thirrje për më shumë bashkëpunim midis sipërmarrësve të rinj nga të gjitha vendet për të kontribuar në rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore.

 

Sondazhi i menjëhershëm i votimit, i kryer midis të pranishmëve gjatë konferencës, tregoi se gati 60 për qind e të anketuarve kishin një këndvështrim optimist për rimëkëmbjen ekonomike globale. Mbi 30 për qind e tyre besonin se industria e inteligjencës artificiale ka potencialin më të madh të rritjes.

 

Të anketuarit në përgjithësi ranë dakord se inovacioni teknologjik dhe funksionimi efektiv i marrëveshjeve të reja tregtare shumëpalëshe do të ishin forca kryesore lëvizëse për rritjen ekonomike globale gjatë këtij viti. Përveç kësaj, shumica e të pranishmëve besonin se tregu kinez do të siguronte kthimin më të mirë të investimeve në 2023-shin.

 

Sipërmarrësit e rinj janë një forcë e rëndësishme për promovimin e përparimit shoqëror dhe një burim jetik i vrullit për zhvillimin e ekonomisë globale, tha Fu Zhenbang, nënkryetar i Federatës Rinore Pankineze.

 

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Ata kanë një mision të rëndësishëm dhe një përgjegjësi urgjente për të promovuar rimëkëmbjen e ekonomisë botërore dhe për të mbajtur të qëndrueshëm zinxhirët industrialë dhe të furnizimit global, duke u fokusuar në konsensusin e hapur, inovacionin, tregtinë e lirë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”,- tha Fu.

 

Tom Luckock, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë Panaustraliane, u bëri thirrje sipërmarrësve të rinj që të rrisin besimin në rimëkëmbjen ekonomike, të forcojnë unitetin dhe të komunikojnë nga afër për t'i shtuar vitalitet qeverisjes ekonomike globale.

 

Qi Bin, nënkryetar ekzekutiv dhe zëvendësshefi i investimeve të “China Investment Corporation”, dhe Luis Rubio, president i Dhomës së Tregtisë së Spanjës në Kinë mbajtën fjalime kryesore mbi situatën ekonomike botërore, për nismën “Një brez, një rrugë” dhe për bashkëpunimin Kinë-BE.