Forca lëvizëse për zhvillimin ekonomik të Kinës mbetet e fortë
2023-04-27 21:30:52

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara në vitin 2023 India vlerësohet të jetë vendi më i populluar në botë. Në vitin 2023 popullsia e Kinës ka arritur në 1.426 miliard banorë, ndërsa popullsia e Indisë në 1.429 miliard banorë. Rritja e popullsisë është një faktor i rëndësishëm sepse më shumë punëtorë mund të ofrojnë më shumë vende pune. Treguesi vetëm i numrit të popullsisë mbetet i pamjaftueshëm për të vlerësuar perspektivën e rritjes ekonomike dhe sociale të vendit. Tregues të cilësisë demografike të popullsisë janë gjithashtu të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara treguesi i vdekjes foshnjore në nivel global për 1000 fëmijë të lindur në vitin 2023 është 26.7, ndërsa parashikimi për vitin 2050 do të jetë në 17.1. Ky tregues për Kinën është shumë herë më i ulët se niveli global, respektivisht 5.7 në vitin 2023, dhe parashikohet të ulet në 2.7 në vitin 2050. India ka një nivel më të lartë të vdekshmërisë foshnjore duke ju afruar kufirit botëror në 24.5 në vitin 2023 dhe parashikohet të ulet në 9.2 në vitin 2050. 

Porti Yangshan, Shangai(Foto:VCG)

Porti Yangshan, Shangai(Foto:VCG)

Një tregues tjetër i rëndësishëm është jetëgjatësia mesatare e popullsisë. Kina tejkalon nivelin e jetëgjatësisë mesatare në botë, si dhe parashikimin deri në vitin 2050. India renditet më ulët se jetëgjatësia mesatare në nivel botëror. Në vitin 2023 jetëgjatësia e meshkujve në rang botëror vlerësohet në 70.8 vite, në Kinë 76.2 vite dhe në Indi në 70.5 vite. Për femrat jetëgjatësia në rang global në vitin 2023 vlerësohet në 76.0 vite, për Kinën 81.5 vite dhe për Indinë në 73.6 vite. Parashikimi i jetëgjatësisë së meshkujve për vitin 2050 është 74.8 vite në nivel global, 82.0 vite për Kinën dhe për Indinë në 76.0 vite. Edhe parashikimet për femrat kanë të njëjtën tendencë. Jetëgjatësia mesatare e femrave në rang global vlerësohet në 79.8 në vitin 2050,  në Kinë në 85.6 vite dhe në Indi në 79.9 vite.

Në të njëjtën kohë, Kina ka zbatuar një strategji kombëtare për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive popullsisë në plakje, duke promovuar një politikë të tre fëmijëve me masa mbështetëse për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive ndryshimeve demografike. Fertiliteti i matur si numër mesatar i fëmijëve të lindur nga një grua është në rënie në rang global, nga 2.31 në vitin 2023 parashikohet të ulet në 2.15 në vitin 2050. Për Indinë vlerësohet në ulje nga 2.0 në vitin 2023 në 1.78 në vitin 2050. Ndërsa parashikimi për Kinën është një rritje e fertilitetit nga 1.19 në vitin 2023 në 1.39 në vitin 2050.  Forca lëvizëse për zhvillimin ekonomik të Kinës mbetet e fortë po të analizojmë ecurinë e faktorëve të rritjes ekonomike si zhvillimi i burimeve njerëzore dhe i kërkimit shkencor, akumulimi i kapitalit dhe potenciali i rezervave të burimeve natyrore.  

Zhvillimi i  burimeve njerëzore ndikon në rritjen ekonomike si nëpërmjet rritjes së madhësisë së fuqisë punëtore, por dhe për më tepër nga niveli i arsimimit, trajnimit, njohurive dhe aftësive të punëtorëve për të rritur cilësinë dhe produktivitetin e fuqisë punëtore. Vitet mesatare të arsimimit të përfunduar të një popullsie, është një tregues i përdorur gjerësisht për të treguar akumulimin e stokut të kapitalit njerëzor të një vendi. Numri mesatar i viteve të shkollimit në dhe mbi 15 vjeç në Kinë është rritur nga 6.4 vite në vitin 2000, në 8.2 vite në 2015, në 8.5 vite në vitin 2020 dhe parashikohet në 9.7 vite në vitin 2050. India ka tregues më të ulët të numrit mesatar të viteve të shkollimit. Në vitin 2000 është 4.8, në vitin 2015 është rritur në 6.2 vite, në vitin 2020 në 6.6 vite dhe parashikohet në 8.9 vite në vitin 2050.

Kina synon të bëhet lider botëror në shkencë dhe inovacion deri në vitin 2050. Iniciativa "Made in China 2025" i shpallur në vitin 2015, përshkruan strategjinë e Kinës për t'u bërë lider botëror në një sërë industrish të teknologjisë së lartë, si robotika, pajisjet e hapësirës ajrore, pajisjet mjekësore, dhe më shumë. Në vitin 2017, shpenzimet e Kinës për R&D ishin rreth 2.12% të PBB-së së vendit. Në vitin 2020 Kina rankohet në vendin e katërt në botë për nivelin e shpenzimeve për kërkim shkencor dhe zhvillim (R&D)  duke tejkaluar ndjeshëm në 2020 normën  mesatare të Bashkimit Evropian. Në vitin 2020 Kina ka shpenzuar 2.4% të PBB për kërkim shkencor dhe zhvillim, ndërsa India 0,66% të PBB. Vendet që kanë shpenzuar më shumë se Kina janë SHBA në nivelin e 3.45% të PBB, Japonia 3.26% të PBB dhe Gjermania 3.14% të PBB. Vendet e tjera të G-7 kanë shpenzuar respektivisht Franca 2,35% të PBB, Italia 1,53% të PBB, Mbretëria e Bashkuar 1,71% të PBB dhe Unionin Europian mesatarisht 2,32% të PBB.  Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim kanë vazhduar trendin në rritje duke arritur në 2,44 % e PBB në vitin 2021 dhe 2.55 për qind të PBB-së në vitin 2022. 

           

                                Burimi : Banka Botërore dhe analiza e autorit

 Rritja e stokut të kapitalit është një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Politika e ndjekur në Kinë ka synuar të arrijë një nivel të lartë të akumulimit të kapitalit krahasuar me mesataren globale duke rritur investimet publike dhe private. Rritja e investimeve publike dhe private, duke rritur sasinë e infrastrukturës, shkollave, spitaleve, ndërtesave, pajisjeve apo makinerive do të rrisë nivelin e prodhimit ekonomik dhe kapaciteti për të investuar më tej. Niveli  mesatar vjetor i investimeve publike dhe private në Kinë është rreth 42% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa India ka një nivel më të ulët në rreth 32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në periudhën 2024-2027 Kina parashikon një rritje të mesatares vjetore të investimeve totale në rreth 44% të Prodhimit të Brendshëm Bruto,  ndërsa India në rreth 33.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. 

Burimi : World Economic Outlook, IMF 2022 dhe analiza e autorit

Burimet natyrore që furnizon një vend dhe sasia e tyre, si mineralet, depozitat apo bujqësia, kontribuojnë në nivelin e rritjes ekonomike dhe tregtisë së vendit. Kina renditet në vendin e gjashtë nga 10 vendet e para për sasinë e rezervave të burimeve njerëzore. Kina ka burime natyrore që vlerësohen në 23 trilion dollarë. Nëntëdhjetë për qind e burimeve të Kinës janë rezervat e qymyrit dhe metale të rralla të tokës. Lënda drusore është një tjetër burim i madh natyror që gjendet në vend, si dhe toka e punueshme. Gjithashtu, për shkak të burimit natyror të ujit, ajo ka potencialin më të madh hidroenergjetik në botë. Burime të tjera që posedon Kina përfshijnë orizin, naftën dhe gazin natyror, dhe sasi të mëdha metalesh si ari, alumini dhe mineralet.

Burimi : Statistika dhe analiza e autorit

Një tjetër indeks që mundëson të tregojë pjesën e rritjes ekonomike që nuk shpjegohet me rritjen e faktorëve të mesipërm të prodhimit është ai i konkurrencës globale. Indeksi i konkurrencës globale ofron një tregues të detajuar të faktorëve dhe atributeve që nxisin produktivitetin, rritjen dhe zhvillimin njerëzor. Indeksi është produkt i një grumbullimi prej 103 treguesish individualë, të përftuar nga një kombinim i të dhënave i 12 shtyllave si institucionet, infrastruktura; përdorimi i teknologjive të informacionit dhe komunikimit, stabiliteti makroekonomik; shëndeti; aftësitë; tregu i produkteve, tregu i punës; sistemi financiar; madhësia e tregut; dinamizmi i biznesit; dhe aftësitë inovative. Në vitin 2022, Kina rankohet në vendin e 17, India në vendin e 37, dhe vendet e G-7 respektivisht SHBA në vendin e  10, Kanadaja në vendin e 14, Gjermania në vendin e 15, Mbretëria e Bashkuar në vendin e 23, Franca në vendin e 28,  Japonia në vendin e 34 dhe Italia në vendin e 41.

Politika e ndjekur në rritjen e lartë të kapitalit njerëzor dhe kërkimit shkencor, të akumulimit të kapitalit nga rritja e investimeve, rritja e produktivitetit si dhe rritja e rezervave të burimeve natyrore kanë mundësuar rritjen e lartë ekonomike. Duke filluar nga viti 2020 ekonomia e Kinës renditet e dyta mbas asaj të SHBA, dhe pothuajse është e barazuar me prodhimin e brendshëm bruto të Unionit Europian. Sipas vlerësimeve të FMN-së prodhimi i brendshëm bruto i Kinës në vitin 2027 do të arrijë 26 437.8 miliardë USD, i SHBA do të arrijë në 30 281.5 miliardë USD  dhe i  gjashtë vendeve të G-7 së bashku (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Japonia) në 22 864.8 miliard USD.

Burimi : World Economic Outlook, IMF 2022 dhe analiza e autorit

Në periudhën afat mesme 2023-2027 Kina sipas vlerësimeve të FMN parashikohet të ketë një rritëm të lartë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për banor. Në periudhën 2023-2027 Kina vlerësohet të arrijë një rritje në 38.3%, duke rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto për banor nga 13 629 USD në vitin 2013 në 18 826 USD në vitin 2027. India parashikohet të ketë një rritëm më të ulët të rritjes të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rritja për të njëjtën periudhë parashikohet në 35.7% duke rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto nga 3 820 USD për banor në vitin 2023 në 5 365 USD në vitin 2027.

 Burimi : World Economic Outlook, IMF 2022 dhe analiza e autorit

  

Prof. Dr. Petraq Milo