Zina Gjoni dhe magjia e luleve
2023-04-27 16:12:27

Zina Gjoni 

Zina Gjoni, pasi kreu studimet në Tiranë u zhvendos në Londër ku studioi fushën e bimëve, duke marrë titullin eksperte e bimësisë. Pas shumë vitesh eksperiencë në Londër, ajo rikthehet në Shqipëri pasi mendon që këtu bota bimore është shumë e pasur, madje shumë nga shërbimet e bimëve duhet t’i bëjmë të pakushtëzuara dhe pa parë drejt përfitimeve. Sipas Zinës, bota bimore duhet të shpëtohet. Zina është pjesë e biznesit ndërkombëtar. "Speaking Roses",  me disa dyqane në vende të ndryshme të botës. Asaj i është besuar ekskluziviteti për ta shtrirë  këtë veprimtari edhe në Shqipëri.

Buqete me lule nga Zina Gjon

CMG: Zina, si lindi fillimisht pasioni për t’u marrë me lulet ?

Zina Gjoni: Ka lindur në familjen time. Shoqëria jonë por edhe në të gjithë botën priret të bëjë gjëra që edhe prindërit i duan apo i sheh tek ata. Familja ime vetë i ka dashur shumë bimët dhe rrjedhimisht edhe unë. Jam kujdesur përherë pasi mendoj dhe besoj që bimët flasin në gjuhën e tyre. Nuk ka qenë diçka e sforcuar, por ka rrjedhur vetë natyrshëm. Këtë gjë, këtë pasion, këtë dashuri fillon e kupton vetëm kur merresh me bimët dhe i sheh ato si pjesë të jetës tënde. Ashtu ka ndodhur edhe me mua. Unë lulet i kam pjesë të jetës. Pa to nuk jetoj dot. Unë kam kuptuar që nuk kam ditur asgjë për botën e luleve derisa studiova rregullisht për to, deri në ato momente dija vetëm për bukurinë e tyre .

CMG: A ka qenë pasioni për bimët një shtysë që të vazhdoni studimet për këtë gjë ?

Zina Gjoni: Po, një shtysë goxha e madhe ka qenë, pasi një një moment të jetës sime u ula dhe mendova çfarë mund të bëj unë ndryshe, por që të përmirësoj edhe ekosistemin në të cilin ndodhem.

Prej kohësh kisha vendosur që do vija në Shqipëri sërish dhe kur të vija këtu duhet ta kisha gjetur një orientim për veten. Orientimi më i mirë ishin lulet dhe kujdesi ndaj tyre, deri në momentin që u kontaktova për të hapur “Speaking roses”, biznesin  tek i cili ndaj pjesën më të madhe të kohës.

Lule te punuara nga Zina Gjoni 

CMG: Si e keni organizuar punën në dyqanin tuaj ?

Zina Gjoni: Unë aty jam në habitatin tim, i ndërtoj siç duhet të gjitha gjërat dhe mbi të gjitha përpos faktit që unë shes lule edhe kujdesem për to. Rikthej në jetë bimë, të cilat ndoshta e kanë humbur funksionin e tyre.

Është një proces i vështirë, por në fund pasi unë shpëtoj një lule më duket sikur kam shpëtuar një jetë.  Arsyeja e hapjes së aktivitetit ishte një ofertë për ta hapur për herë të parë në Shqipëri dhe dëshironin ta sillnin këtu.

CMG: A blejnë shqiptarët lule ?

Zina Gjoni: Me lumturi të madhe po them "Po" dhe është një “Po” shumë e madhe. Jam e lumtur që ndalojnë për të blerë lule jo vetëm për festa, por edhe në ditë  të zakonshme. Lulet janë krijuar për të qenë dhurata e dikujt ndaj dhe këtë kam vënë re që nuk janë të rezervuar që të bëjnë dhurata apo t’i ndajnë ato nëpërmjet luleve.

Ka një paragjykim që nuk blejnë lule, por nuk është e vërtetë, shqiptarët e duan shumë më shumë jetën dhe të bukurën. Sot është kthyer në trend që në çdo event dërgojnë lule. Fatmirësisht që kanë kuptuar rëndësinë e luleve.

CMG: Si duhet të kujdesemi për bimët, a ka një manual?

Zina Gjoni: Nuk është manual, janë thjesht rregulla të zakonshme që të gjitha vajzat dhe gratë që kujdesen edhe më tepër për lulet i dinë ato.

Së pari shumë bimë, nuk duhet të ujiten me shumë seç duhet . A pini ju ujë kur nuk ju pihet? Jo. Ndaj mos i jepni ujë bimëve më shumë seç duhet sepse kjo sjell shkatërrimin e tyre.

Lule e ngire, punimnga Zina Gjoni 

CMG: Cilat do ishin disa nga këshillat që ju mund t'i ofroni për lexuesit tanë ?

Zina Gjoni: Së pari luleve në tërësi ju mungon hekuri. Fillimisht para disa vitesh prindërit tanë vendosnin ose lugë ose pirunj prej hekuri brenda në dheun e lules për ta ushqyer me hekur. Tani shkenca ka avancuar, gjërat janë bërë më të lehta madje edhe në këtë drejtim. Është më e lehtë të blihet hekur pluhur edhe t’i hidhet bimës.

Është një temë që ju këshilloj ta prekni më shpesh sepse i ndihmoni bimët.Njerëzit kanë shumë probleme se si të kujdesen për lulet sepse marrin informacionet e gabuara,ky është problemi kryesor me bimët.

Shumica e luleve të dimrit priten vetëm në dimër ose pranverë. Bimët e brendshme duhet të ujiten vetëm një herë në muaj dhe uji duhet të shkojë në gjysmën e vazos. Kryesisht bimët shkatërrohen nga kequjitja. Mua më vjen keq që dhurata që i bëj dikujt të vyshket në dorë për një javë. Më dhimbsen lulet natyrale që njerëzit nuk kujdesen si duhen.

CMG: A ke një mesazh për të gjithë ata që i duan lulet ?

Zina Gjoni: Po kam. Bli lule!  Pasi është njësoj si të blesh jetë .

 Intervistoi: Megi Latifi