Pekini kundërshton fjalimin rreth qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kinës
2023-04-27 14:26:08

Foto nga MPJ

Pekini hodhi poshtë të mërkurën një fjalim nga sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly mbi qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kinës, duke i kërkuar Londrës të bëjë më shumë në të mirë të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, dhe të paqes e qëndrueshmërisë botërore.

Në përgjigje të këtij fjalimi, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha në një konferencë të rregullt shtypi të mërkurën që bota është thellësisht e integruar dhe trajtimi i sfidave ka nevojë për bashkëpunimin e të gjitha palëve. Ajo vuri në dukje se politika e blloqeve dhe mendësia e Luftës së Ftohtë janë kundër prirjes së historisë dhe nuk përmbushin interesat e të gjitha palëve, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

Kina i ka zhvilluar gjithmonë marrëdhëniet e saj me Mbretërinë e Bashkuar në frymën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë, ndërsa pala britanike endet ende në të kaluarën, çka do ta bëjë që të mbetet larg prej përparimit të kohëve, vuri në dukje zëdhënësja.

Mao Ning shtoi që, pas kthimit të Hong-Kongut në atdhe, të gjitha dispozitat lidhur me palën britanike në Deklaratën e Përbashkët Kinë-Mbretëri e Bashkuar janë përmbushur, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar nuk ka sovranitet, juridiksion a të drejtë për mbikëqyrje mbi Hong-Kongun.

Ajo u shpreh më tej që Xinjiang-u ka gëzuar rritje të qëndrueshme ekonomike, qëndrueshmëri shoqërore, harmoni fetare, standarde më të mira jetese dhe lulëzim kulturor si kurrë më parë, gjë që është një fakt i qartë. Megjithatë, pala britanike e ka bërë një sy të verbër dhe një vesh të shurdhër lidhur me të gjitha këto, duke u përpjekur të njollosë Kinën.

Duke vënë në dukje që të dy anët e ngushticës së Tajvanit i përkasin një dhe së njëjtës Kinë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme vërejti se kërcënimi më i madh për paqen ndërmjet brigjeve të ngushticës janë forcat e ""pavarësisë së Tajvanit" dhe përkrahja e huaj për veprimtarinë e tyre.

Në qoftë se pala britanike dëshiron me të vërtetë të mbajë paqen dhe qëndrueshmërinë e të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit, ajo duhet të ndjekë parimin e "Një Kine" dhe të kundërshtojë të gjitha format e veprimtarive separatiste të "pavarësisë së Tajvanit".

Mao Ning përsëriti se çështjet e Tajvanit, Xinjiang-ut dhe Hong-Kongut janë thjesht punë të brendshme të Kinës, ku nuk lejohet ndërhyrja nga asnjë forcë e jashtme, dhe i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar të tregojë kujdes në fjalët e veprimet e saj dhe të ndalojë shpifjet ndaj Kinës dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës.