Tri dimra- (Foto nga instagrami)
Shfaqja “Tre dimrat” rivihet në skenën e teatrit “Metropol”, një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani. Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje, gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne, duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.
Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tri pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945, në vitin 1990, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.
Shfaqja Tre dimra (Foto nga instagrami)
Tre netë të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale. Kjo vepër trajton historinë e një familje, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë.
Kjo vepër është një udhëtim me faktorët personalë dhe politikë që qëndrojnë pas këtij udhëtimi që drejtojnë komplotin e “Tre dimrave”. Vepra është një dramë me ngjyrime komike jetësore.
Stiviçiç pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.
Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, si edhe premierë në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit. Tena Stiviçiç jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Ajo banonte në Londër, ndërsa u rrit në Kroaci. Ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt. Drama “3 dimrat” e Tena Stiviçiç u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015.
Rozi Kostani (Foto nga instagrami)
Në prononcim për mediat regjisorja Rozi Kostani është shprehur: “Është mrekulli vërtetë sepse të interferosh me një punë intensive dhe të arrijë kjo punë të mirëpritet dhe të interferojë në emocionet e njerëzve që të arrijnë ta dashurojnë. Me këtë shfaqje kam parë një dashuri të madhe për teatrin dhe një nevojë të madhe mungesën e teatrit në këto kohë. Pra shfaqja është pritur në mënyrë të jashtëzakonshme”.
-Lidhur me shfaqjen dhe personazhet Kostani është shprehur: “Katër breza aktorësh ashtu edhe personazhesh. Secili aktor duhet të jetë i dubluar me njëri- tjetrin në mosha më të vogla dhe pastaj në moshë më të madhe. Disa aktorë janë mbajtur të tillë siç është propozuar në vepër, si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Sokol Angjeli.
Regjisorja Kostani tregon për mediat se ky projekt e ka tejkaluar imazhin që kish krijuar për këtë shfaqje.
“Kur një projekt arrin që ta tejkalojë imazhin që ti ke patur në kokë them se është një përmbushje totale. Për sa i përket kohërave, gjeneratave dhe tre kohërave që na jep teksti por edhe gjenenratave, nuk mund të bëhej ndryshe nga gjeneratat. Unë nuk doja që të bëhej ndryshe sepse kisha nevojë për ngjyrimin e të gjitha moshave, në mënyrë që të arrinim maksimumin e kësaj vepre.”
Kjo shfaqje vjen nën interpretimin e disa breza aktorësh të cilët do të zlulojnë sekretin familjar si Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Sokol Angjeli, Marjeta Ljarja, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani dhe Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu, Serxhjo Danga. Shfaqja rivihet në skenën e Teatrit Metropol nga 21, deri më 30 prill.
Sava Lena
Nga shfaqja Tre dimra (Foto nga instagrami)