BE miraton rregulloret për të rritur sigurinë e produkteve online
2023-04-27 09:54:56

Foto nga VCG

Vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për vendosjen e rregulloreve të reja që do të mbrojnë më mirë konsumatorët nga produktet e pasigurta. Këshilli i BE-së njoftoi se tashmë do të jetë më e lehtë për konsumatorët të kthejnë ose zëvendësojnë produktet, citon “ATSH”.

“Tregjet online si “ebay” ose “Amazon” do të duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me rregullatorët dhe të heqin produktet e rrezikshme nga platformat e tyre”, - njoftoi Këshilli.

Parlamenti Europian e miratoi planin në fund të muajit mars.

“Nëse jemi seriozë në transformimin tonë digjital, duhet të sigurohemi që qytetarët të ndihen të sigurt për atë që blejnë pavarësisht nga mënyra se si e blejnë atë”, - tha Erik Slottner, ministri suedez për Administratën Publike.

Ministria gjermane për Mbrojtjen e Konsumatorit njoftoi se do të monitorojë nga afër zbatimin e rregulloreve, ndërsa sipas vendeve të BE-së, autoritetet kombëtare mund të urdhërojnë heqjen e produkteve të rrezikshme.

Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në javët e ardhshme dhe vendet e BE-së do të duhet të zbatojnë rregullat pas një periudhe tranzicioni prej një viti e gjysmë. (Elona)