Nxitja e të rinjve drejt shkencave bujqësore
2023-04-27 10:00:11

Bujqesia shqiptare (Foto Businessmag)

Bujqesia shqiptare (Foto Businessmag)

Në shoqërinë shqiptare një shqetësim i shprehur prej kohësh është mungesa e interesit të të rinjve për të zgjedhur degët e studimit në shkollën e lartë për fushën e bujqësisë. Kjo ka bërë që shumë degë në këtë fushë të mbyllen. Në një intervistë për mediat Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës thotë se përpjekjet vijojnë me Ministrine e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të nxitur të rinjtë drejt këtyre studimeve, për të cilat tregu  i punës ka nevojë.

 

“Me ministren e bujqësisë ne kemi kontakte dhe takime 1 mujore. Nga ky aspekt do thoja që ne po bëjmë të gjitha të mundshmet për t’i nxitur  të rinjtë për t’i hedhur sytë tek shkencat bujqësore dhe tek profesionet tradicionale. Fatkeqësisht është e vërtetë që ne kemi disa degë ku numri i studentëve është i ulët. Janë dy degë që janë aktivizuar këtë vit akademik, siç është dega e peshkimit dhe e hortikulturës, të cilat janë shumë të rëndësishme. Sidomos peshkimi është një nga sektorët më të rëndësishëm brenda sektorit bujqësisë, pavarësisht ndihmës apo mbështetjes financiare. Qeveria shqiptare ka dhënë për këtë kontingjent, sepse për këtë degë janë përzgjedhësit degë me rëndësi kombëtare, të cilat Shqipëria ka marrë përsipër zgjerimin e regjistrimit. Përveç kësaj edhe një pagesë ekstra mujore në vlerën e rreth 35 mijë lekëve të reja në muaj për studentët me mesatare mbi 8.5. Ky besoj ka qenë një nga faktorët që nuk ka funksionuar sepse mesatarja 8.5 nuk përzgjedh bujqësi, por në disa degë të tjera”- thotë Sallaku.

 

Fatbardh Sallaku (Foto Bota sot))

Fatbardh Sallaku (Foto Bota sot))

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Sallaku ka edhe propozime konkrete.

 

“Unë kam një propozim konkret. Jemi në kontakt edhe me Ministrinë e Bujqësisë dhe qeverinë shqiptare. Qeveria shqiptare këtë vit akademik duhet patjetër të vendosë për një kontingjent të caktuar për këto degë që ne i konsiderojmë prioritare. Zooteknikë, agronomi, peshkim, mund të hiqet fare mesatarja, pra 6.5 që është kufiri dhe të suportojë një numër të caktuar sepse një numër rreth 20 në muaj në këto fusha është e mjaftueshme. Kjo do të thotë që ne duhet të shkojmë drejt heqjes së barrierës së mesatares dhe financimi të jetë një numër i caktuar prej 20 studentësh për këto programe, sepse janë programe të cilat Shqipëria nuk duhet t’i humbasë. “

 

Mjaft nxitëse, sipas rektorit të UBT është edhe bashkëpunimi me universitete të huaja.

 

“Unë shpresoj shumë se përveç  kësaj jemi të fokusuar shumë edhe në ofrimin e diplomave duale me universitetet italiane dhe në Vjene. Aktualisht këtë vit kemi 5 diploma duale, double degre me Universitetin e Viterbos në Itali, pra kemi disa diploma që studentët janë të interesuar që do bëjnë gjysmën e krediteve në Shqipëri dhe gjysmën në Itali, ata do marrin dy diploma. Por këto dy apo tre degë që i kemi problem pak më parë ndoshta për një periudhë kohore të përkohshme jo të përhershme kanë nevojë për këtë mbështetje. Ta heqim mesataren fare plus është dhe një mekanizëm tjetër që përsëri Ministria e Arsimit duhet ta rikonsiderojë. Unë nuk e shikoj të logjikshme dhe efektive, që të ketë pa limit kuota për degë në të cilat tregu tashmë është i mbingopur. Juridik, mjekësi, infermieri, punë sociale etj. Sepse unë jam shumë mirëkuptues, jam i vetëdijshëm që një i ri i diplomuar në qendër të Tiranës preferon më shumë të shkojë në punë sociale se sa të vijë në Universitetin Bujqësor. Nëse këto degë kufizohen jam i sigurt që fokusi do jetë tek degët prioritare sepse bëhet fjalë për degë të cilat tregun e punës e kanë të garantuar. Po të shikosh thirrjet që bën Departamenti i Administratës Publike ka vende bosh për të rinj që kanë studiuar për zooteknikë, peshkim dhe agronomi” thot rektori Sallaku.

 

UBT (Foto Facebook )

UBT (Foto Facebook )

Nje rol ka edhe rritja e pagave në këtë sektor.

 

“Nga informacionet që kemi qeveria shqiptare është e angazhuar drejtpërdrejt në këto sektor dhe do ketë dyfishim pagash edhe për kategorinë e agronomëve, zoteknikëve, të atyre që punojnë në peshkim etj. Unë do thoja që ka të bëjë më shumë me ndjeshmërinë e këtij brezi ndaj këtyre sektorëve. Duhet të jemi koshient që edhe faktorët e tjerë demografik sic është emigracioni apo niveli i lindshmërisë, prandaj kemi rreth 10 mijë gjimnazistë më pak dhe kjo reflektohet tek kuotat tek degët, të ashtuquajtura më pak të preferuara. Nuk janë degë më pak të preferuara, por janë degë më të vështira dhe unë i mirëkuptoj brezin e ri sepse bëhet fjalë për një gjimnazist që do vijë të studiojë në një fermë blegtorale, sera, krahasuar me pritshmëritë është shumë herë më ndryshe”- shprehet Rektori i UBT.