Nga "dividendi demografik" te "dividendi i talenteve"
2023-04-26 21:26:00

Brenda 4 ditëve dhe 17 orëve duhet të kryhen instalimet hibride erë-diell, funksionimi dhe mirëmbajtja e turbinave të erës në shkallë të gjerë, zgjidhja e problemeve të pajisjeve të energjisë së erës dhe asaj diellore, projektimi i sistemeve fotovoltaike dhe sistemeve të energjisë së erës ... Në konkurrimin e posaçëm të Konkursit Botëror të Aftësive 2022, Chen Zhiyong fitoi medaljen e artë për projektin e energjisë së rinovueshme.

Chen Zhiyong:

"Në atë kohë shkova në Kolegjin Teknik të Guangdong-ut për të studiuar në degën e mekatronikës. Kolegji zgjodhi pjesëmarrësit në Konkursin e 46-të Botëror të Aftësive. Mora vesh se energjia e rinovueshme është industri e re. Në të ardhmen, si vendi ynë, ashtu edhe bota, do t’i kushtojnë shumë rëndësi kësaj industrie."

Chen Zhiyong është një nga miliona nxënësit e shkollave të formimit profesional në Kinë dhe këta nxënës do të bëhen punëtorët e brezit të ri që kanë aftësi profesionale.

Fabio Massimo Parenti, profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare, EURISPES, Laboratori i BRICS-it, Romë:

"Në vitin 2022, Ministria e Burimeve Njerëzore dhe e Sigurimeve Shoqërore e Kinës publikoi zyrtarisht versionin e ri të ‘Klasifikimit profesional’, duke hequr 10 profesione dhe shtuar 168 profesione të reja. Ky dokument përfshin 97 profesione digjitale e 134 profesione të gjelbra, 23 ndër të cilat janë bashkërisht digjitale e të gjelbra."

Du Peng, zv.rektori i Universitetit Renmin të Kinës:

"Kemi një sfond arsimor shumë më të lartë. Duhet të mendojmë si ta shfrytëzojmë rolin e dividendit arsimor për zhvillimin e mëtejshëm dhe të mos fokusohemi vetëm në numrin e fuqisë punëtore për të ruajtur rritjen ekonomike."

Foto nga VCG

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit të Kinës, 240 milionë kinezë kanë marrë arsim të lartë. Norma e regjistrimit në arsimin e lartë është rritur nga 30 % në vitin 2012 në afërsisht 58 % më 2021. Arsimi i lartë ka hyrë në fazën e popullarizimit, që tregon rritjen e mëtejshme të aftësisë së forcës punëtore në Kinë.

Elias Jabbour, profesor i asociuar i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Rio-de-Zhanejros:

Në fakt, rritja ekonomike e Kinës nuk mund të shpjegohet aspak me dividentin demografik afatgjatë. Zhvillimi i shpejtë i Kinës lidhet me përmirësimin e vazhdueshëm të produktivitetit të punës. Rritja e produktivitetit të punës vjen nga investimet në shkencë, teknologji, risi dhe arsim, si edhe nga rritja e vlerës së fuqisë punëtore.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave, deri në fund të vitit 2022, popullsia e Kinës ishte 1 miliard e 411 milionë e 750 mijë banorë, duke u ulur 850 000 nga fundi i vitit pararendës. Kjo është rënia e parë e numrit të popullsisë në dekada. Ekspertët besojnë se përmirësimi i cilësisë së fuqisë punëtore është ende epërsi që Kina të arrijë zhvillimin me cilësi të lartë.

Xu Gao, kryeekonomist i BOCI Securities:

"Ndikimi i dividentit demografik në rritjen ekonomike nuk është aq i madh, sepse ndryshimi i demografisë së Kinës është super i ngadalshëm dhe, nga ana tjetër, mendoj se cilësia e forcës së punës është rritur gjithnjë e më shpejt në dhjetë vjetët e fundit, falë përmirësimit të sistemit arsimor të Kinës."

Foto nga VCG

Katona Tamas, ish-drejtor i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Hungarisë:

"Struktura e popullsisë ka ndikim për zhvillimin shoqëror. Ndryshimi në numrin absolut të popullsisë nuk do të ketë drejtpërdrejt ndikim social pozitiv ose negativ. Struktura e popullsisë është më e rëndësishme."

Enriko Ceko, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Vazhdueshëm:

"Në fakt, për çdo vend në botë, kriteret e mëposhtme janë të rëndësishme për të gjykuar shkallën e zhvillimit social: cili është niveli i jetesës së banorëve të vendit; a ofron qeveria shërbime adekuate shëndetësore, arsimore e publike për banorët e saj; sasia dhe cilësia që qeveria investon në produktet publike dhe nëse përfitojnë njerëzit prej tyre; a ndahen me njerëzit në kohën e duhur dividentët që sjell zhvillimi i vendit etj. Në të gjitha aspektet e mësipërme, shkalla e rritjes e Kinës e kalon mjaft atë të shumicës së vendeve në botë."

Urusov Volodymyr, profesor i ssociuar i Departamentit të  Historisë të Universitetit Kombëtar të Kievit të Ukrainës, Anëtar i Shoqatës Ukrainase të Sinologëve:

"Përpara vitit 2035, popullsia e Kinës në moshë pune do të mbetet në më shumë se 900 milionë. Burimet e pasura njerëzore janë ende epërsia e jashtëzakonshme e Kinës. ‘Dividendi demografik’ nuk është zhdukur dhe epërsia e ‘dividendit të talenteve’ po formohet. Hovi i zhvillimit është ende i fortë"

Vicentiu Gheorghe, kryetar nderi i shoqatës rumune CHINARO:

"Pavarësisht rënies së numrit të përgjithshëm të popullsisë, me rritjen e vazhdueshme të të ardhurave të banorëve, kërkesa për mallra është e fortë dhe prirja e rritjes së vazhdueshme të konsumit nuk do të ndryshojë. Një model i ri zhvillimi me qarkullimin e brendshëm si bosht kryesor dhe qarkullimin e brendshëm dhe qarkullimin e jashtëm që promovojnë njëri-tjetrin është në krijim."