
Rama në Forum (Foto ATSH)
Kryeministri socialist Edi Rama ka theksuar nevojën e përfshirjes së Shqipërisë në atë që ai e cilësoi "luftë për krahun e punës në Europë" dhe i bëri thirrje sipërmarrjes shqiptare të përfshihet dhe ta përballojë atë, shkruan RTSh.
Duke folur të hënën në Forumin e Klimës së Biznesit, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Rama tha se kjo është një luftë që sapo ka filluar.
"Një luftë për krahun e punës që ne duhet me patjetër ta përballojmë dhe efekteve katastrofike të së cilës, ne duhet patjetër t’u mbijetojmë", u shpreh kryeministri Rama.
Në këtë konteks kryeministri socialist Rama shpjegoi rritjen domethënëse të pagave në sektorin publik. "Kjo rritje pagash në sektorin publik, ne jemi të bindur që do të japë një sërë efektesh pozitive, por shpresojmë shumë që të japë edhe efektin pozitiv dhe të rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat” tha ai. .
"Ky është një moment kur sipërmarrja duhet të bëjë një hap më shumë. Fakti është që sot ka sipërmarrje në Shqipëri që kanë paga shumë të larta dhe që vazhdojnë t’i rrisin pagat, por duhet vrapuar më shumë, sepse është vërtetë një luftë me sekondin” i bëri thirrje kryeministri biznesit shqiptar.(Fatosi)
