Lojërat Aziatike, seminar i krerëve të delegacioneve në Hangzhou
2023-04-26 18:07:49

Një seminar treditor po zhvillohet në Hangzhou, kryeqendra e provincës së Zhejiang-ut në Kinën Lindore, me 45 krerë të delegacioneve të Komiteteve Olimpike Kombëtare të Azisë që janë mbledhur për të mësuar të rejat më të fundit mbi përgatitjen e Lojërave Aziatike të Hangzhou-t.

Komiteti organizator i Hangzhou-t do të raportojë për shërbimet e konkurrencës, punën kundër dopingut, përgatitjet e objekteve, akreditimin e sportistëve, strehimin, shërbimet e ushqimit, financat dhe punën e medias.

Ndërtimi e inspektimi i të 56 objekteve të konkurrimit dhe 31 vendeve të stërvitjes kanë përfunduar dhe fshatrat e Lojërave Aziatike janë gati për të pritur mysafirët. 

Gjatë qëndrimit të tyre në Hangzhou, drejtuesit e delegacioneve do të vizitojnë vendet e konkurrimit e jo të konkurrimit të këtyre Lojërave, ndërsa janë programuar edhe një sërë veprimtarish kulturore për t'i njohur ata më shumë me qytetin pritës.

Seminari i fundit i krerëve të delegacioneve sportive të Lojërave Aziatike të Hangzhou-t u mbajt virtualisht në shtator 2021.

Edicioni i 19-të i këtij aktiviteti shumësportësh, i dyti për nga madhësia vetëm pas Lojërave Olimpike Verore, ishte planifikuar të zhvillohej nga 10 deri më 25 shtator 2022, por u detyrua të shtyhej për shkak të pandemisë së COVID-19 për më 23 shtator deri 8 tetor 2023, duke u pasuar nga Lojërat Paralimpike Aziatike nga 22 deri më 28 tetor.

Sportistët do të konkurrojnë për 483 medalje ari në 61 disiplina të 40 sporteve në Lojërat Aziatike.