Firma spanjolle ringjallet në sektorin kinez të automobilave mes revolucionit të gjelbër
2023-04-26 11:09:01

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Gestamp”, një kompani spanjolle e prodhimit dhe dizajnit të komponentëve të automobilave, do të zgjerojë më tej gjurmën e saj në tregun kinez duke adresuar më mirë tranzicionin e industrisë drejt makinave elektrike dhe kërkesës për automjete më ekonomike, njoftuan drejtuesit e lartë të kompanisë. Deklarata u bë gjatë Ekspozitës së 20-të Ndërkombëtare të Industrisë së Automjeteve në Shangai, e njohur si “Auto Shanghai”. Ekspozita ka nisur të martën dhe do të zgjasë deri më 27 prill.

 

Si pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të përmbushur kërkesën në ndryshim të tregut në Kinë, “Gestamp” lançoi dy teknologji në “Auto Shanghai” për tregun kinez - një derë elektrike të gjeneratës së dytë dhe një opsion “frunk” të projektuar posaçërisht për automjetet elektrike.

 

Dera elektrike e gjeneratës së dytë ofron një sistem gjithëpërfshirës që përfshin sensorë inteligjentë dhe një njësi kontrolli të projektuar posaçërisht. Automjetet e pajisura me këtë teknologji mund të zbulojnë pengesa statike dhe dinamike në afërsi të derës. Kështu, dera mund të ndalet në kohën e duhur përpara se të përplaset me objekte.

 

Opsioni “frunk” kombinon një aktivizues për hapjen dhe mbylljen plotësisht automatike të kapakut të përparmë të makinës me një menteshë për mbrojtje aktive të këmbësorëve. Zgjidhja është projektuar posaçërisht për automjetet elektrike dhe gjithashtu mund të përdorë më mirë zonën e bagazhit të përparmë pasi hapësira lirohet pa praninë e një motori me djegie të brendshme.

 

Antonio Lopez, drejtori ekzekutiv i divizionit të “Gestamp” në Azi, tha se një pjesë e zhvillimit të produkteve dhe teknologjisë së kompanisë tani po trajton peshën e shtuar të automjeteve elektrike për shkak të kutive të baterive dhe ndryshimeve të njëpasnjëshme në strukturën dhe dinamikën e automjeteve. Ndërkohë, siguria, ndërtimi i lehtë dhe reduktimi i emetimeve të dyoksidit të karbonit janë gjithashtu gjithnjë e më prioritare në industrinë e automobilave.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 “Gestamp” ka bërë kështu më shumë përpjekje për kërkimin dhe zhvillimin në fushat e mësipërme. Disa nga zgjidhjet e kompanisë mund të zvogëlojnë deri në 20 për qind të peshës së makinës”,- tha ai.

 

Kjo është hera e tretë radhazi që “Gestamp” merr pjesë në “Auto Shanghai” që nga viti 2019. Eventi u ndërpre për dy vjet për shkak të pandemisë Covid-19.  E themeluar në vitin 1997, “Gestamp” për herë të parë u fut në tregun kinez në vitin 2007. Me objektin e parë të prodhimit të ndërtuar në Kunshan, në provincën Jiangsu, kompania tani ka ngritur 11 baza prodhimi dhe dy qendra kërkimi dhe zhvillimi në vend, duke punësuar më shumë se 5000 persona.

Me kalimin e kohës, “Gestamp” ka parë që prodhuesit tradicionalë të automobilave në Kinë të zhvendosin fokusin e tyre drejt elektrifikimit, duke çuar në një rritje të shpejtë të prodhuesve të automjeteve me energji të re, tha Ervin Jahic, drejtori ekzekutiv i njësisë së biznesit të menteshave të automobilave të “Gestamp Edscha” në Azi.

 

Jahic theksoi se ka më shumë se 100 marka të automjeteve me energji të re në Kinë, gjë që tashmë është mjaft e pazakontë. Përveç kësaj, 10 prodhuesit kryesorë të automjeteve me energji të re zënë më shumë se 80 për qind të pjesës së tregut. Prandaj, sipas tij, pritet konsolidim në industrinë kineze të automjeteve me energji të re në të ardhmen e afërt.

 

Pavarësisht ndikimit të Covid-19, transportit më pak të përshtatshëm dhe inflacionit në rritje në disa pjesë të botës, “Gestamp” arriti të kishte 1.3 miliardë euro (1.4 miliardë dollarë) të ardhura nga shitjet në Kinë vitin e kaluar, 44.8 për qind më shumë në baza vjetore, bëri të ditur kompania. Kina është kontribuuesi i tretë më i madh i të ardhurave për “Gestamp”, pas Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fakti që produktet e “Gestamp” ndihmojnë në avancimin e makinave elektrike ishte një arsye kryesore për rritjen e fuqishme të kompanisë në Kinë vitin e kaluar, pavarësisht kërkesës më të ulët të tregut, tha Lopez. Norma më e shpejtë e rritjes në Kinë dhe pozicionimi i mirë i kompanisë aktualisht kanë hedhur bazat për më shumë investime në vend, shtoi ai.

 

Të ardhurat totale të “Gestamp” u rritën me 32.5 për qind në baza vjetore për të arritur një rekord prej 10.73 miliardë euro në vitin 2022. Fitimi neto i saj vitin e kaluar ishte mbi nivelin e vitit 2019, në 260 milionë euro.