Shef Bleri duke pregatitur nje pjate (Foto personale)
Ushqimi është dashuri, është ndjesi për të bukurën, për shijen. Mes udhëtimit drejt magjisë së shijes, rruga bëhet e qartë, drejt një ëndrre të madhe. Shef Bleri Dervishi, fitues i edicionit të dytë të garës së gatimit, Master Chef Albania, tani është rikthyer në Shqipëri mbas një qëndrimi disavjeçar në Itali. Nëse flet me Blerin, kupton se e do pafundësisht punën, kuzhinën, gatimin, pjatat përmes të cilave shfaq artin e tij. Në një intervistë për Radio Ejani Bleri tregon për pasionin për kuzhinën, sfidat e këtij profesioni si dhe arritjet e tij profesionale.
Bleri Dervishi ne interviste per CMG
CMG: Si lindi pasioni për gastronominë?
Bleri Dervishi: Pasioni im për gastronominë lindi në Mborje, në një fshat të Korçës, ku gjyshja ime më mësoi dhe bënim bashkë ushqimin për lopët, aty nisi pasioni. Familja ime emigroi në Itali dhe aty fillova të ndiqja hapat e para të kuzhinës.
CMG: Në Itali ju keni pasur një karrierë të mirë në fushën e kuzhinës për vitet që keni jetuar.
Bleri Dervishi: Sigurisht që kanë qenë vite të vështira në fillim sepse mamaja ime punonte në një restorant ku lante pjatat dhe unë e ndiqja atë. Fillova të dilja me shefin e kuzhinës dhe e shikoja se si bënte pazaret, si njihte perimet, frutat e freskëta, pra më mësonte të gjitha sekretet fillestare për të qenë një shef kuzhine.
CMG: Flasim për programin televiziv “Master Chef Albania 2” ku ju ishit fitues. Sa ka ndikuar ky program për rrugëtimin tuaj profesional?
Bleri Dervishi: Kjo ka qenë një rastësi sepse më kujtohet që unë kam qenë në Sardenja në atë kohë dhe duke ngrënë më vjen telefonata që kolegët e mi që më kishin regjistruar në Master Chef Albania 2 dhe pranova. Në fillim e mora si një lojë apo show, por kur arrita aty u binda që ishte diçka e mirë dhe u bë akoma më interesante. Kjo eksperiencë më ndihmoi për sigurinë në vetvete dhe pë të qenë akoma më i bindur tek çfarë gatuaj me një pjatë.
Nje pjate nga shef Bleri Dervishi (Foto personale)
CMG: Sa e vështirë ka qenë rruga për të arritur këtu ku jeni sot dhe për t’u bërë një shef profesionist?
Bleri Dervishi: Të garantoj që si në çdo profesion ka uljet dhe ngritjet e veta, nuk ka qenë aspak e lehtë dhe sot nuk është e lehtë sepse duhet të mbash një standard gjithmonë në të njëjtin nivel. Në momentin që e ul nivelin një gradë më pak bie poshtë dhe humb besimin e klientëve ose të çdolloj njeriu tjetër që mund të pëlqejë kuzhinën tënde. Në Itali ka qenë akoma më e vështirë sepse kultura gastronomike është shumë e fortë dhe nuk të lejon të gabosh, e ke veten çdo ditë në sfidë. Ky profesion është pasion, meritë, standard dhe sakrificë dhe duhet të respektosh hierarkinë që kanë në kuzhinë, duhet të lexosh çdo ditë. Pra është një profesion që ka nevojë çdo ditë të ushqehet dhe duhet të jesh çdo moment i informuar se çfarë ndodh nëpër botë dhe në vendin tënd, duhet të njohësh shumë mirë produktin, pra duhet të kesh një kulturë të veçantë për këtë gjë.
CMG: Cila është pjata juaj e preferuar nga gatimet tradicionale shqiptare?
Bleri Dervishi: Janë dy, është byreku me qepë dhe domate dhe gjithashtu fasulet me pastërma. Këto dy pjata më kujtojnë shumë gjyshen me lakrorin që bënte ajo në saç me petë, siç e bëjmë ne në Korcë dhe fasulet me pastërma. Këto janë shijet dhe aromat që më rikthejnë shumë mbrapa.
CMG: Cila është sipas teje ajo pikë ku kuzhina italiane bashkohet me shqiptaren?
Bleri Dervishi: Na lidh deti dhe siç thonë italianët kuzhina mesdhetare, erëzat, rigoni, rozmarina, sherebeli dhe trumza. Po njëkohësisht është deti, sardelja ku ka një lidhje shumë të forte dhe mendoj se po të fillojmë të kërkojmë jam i sigurtë se do të ketë akoma më shumë lidhje.
Embelsire nga shef Bleri Dervishi (Foto personale)
CMG: Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e profesionit të kuzhinierit?
Bleri Dervishi: Përparësitë janë se është një nga zanatet që ti mund të njohësh gjithë botën, mund të njohësh njerëz të rinj dhe kuzhina jote mund të njihet gjithandej. Mangësitë janë që të merr shumë kohë, është e vështirë të ndeshesh çdo ditë me njerëz të ndryshëm. Gjithashtu është një profesion që të mban pak larg nga familja sepse në momentin kur të gjithë gëzojnë dhe festojnë, ti je aty duke punuar dhe duke bërë të lumtur të tjerët.
CMG: Cila do të ishte arsyeja që do të të bënte të largoheshe drejt një vendi ku në fakt kulinaria nuk njihet pothuajse aspak?
Bleri Dervishi: Një nga ëndrrat e mia është të gatuaj në shkretëtirën e Saharasë, të provoj të gatuaj me temperaturat që janë aty dhe me çfarë ka aty. Ka qenë gjithmonë një kuriozitet shumë i madh për mua dhe të shpik diçka aty do ishte një gjë shumë interesante dhe ndryshe.
CMG: A do të hiqje dorë nga kuzhina për të ushtruar një profesion tjetër në jetë?
Bleri Dervishi: Besoj se nuk do hiqja kurrë dorë dhe këtë e them me plot bindje, por nëse do të bëja një profesion tjetër do bëja kirurgun. Gjithmonë kam patur këto dy synime dhe kur kam zgjedhur se çfarë të bëj kjo ka qenë gjithmonë pikëpyetja sepse dhe kirurgjia më shton shumë kuriozitet dhe shumë pasion. Nga pesë shokët e mi më të ngushtë, dy prej tyre janë kirurgë.
Shef Bleri ne kuzhine (Foto personale)
CMG: Cila është pjata e preferuar për të përgatitur?
Bleri Dervishi: Tiramisuja sepse është një pjatë që do shumë pasion dhe përkujdesje. Duket e thjeshtë, por temperatura që duhet të përdorësh, përbërja, të kesh kujdes sheqerin në çfarë grade ta çosh, pra është e ndërlikuar shumë.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Gzona restorant?
Bleri Dervishi: Unë zgjohem herët sepse marr gjithmonë një orë për veten time paradite, dal nga liqeni ose do bëj pak not, diçka që më bën mirë. Mund të jetë dhe thjeshtë që të bëj një ecje ose të iki në ndonjë vend, varet nga gjendja që jam sepse ajo ndryshon çdo ditë. Pastaj dita fillon në restorant ku pi një ose dy kafe direkt, dhe fillon kontrolli i porosive, vjen mall i ri çdo ditë. Një karakteristikë e jona është se çdo ditë përpunohet çdo gjë e freskët dhe pas darke mund të shikoj ndonjë produkt të ri dhe mbyllet dita në darkë në orën 12.
CMG: Cila është pjata e preferuar për klientët në Gzona restorant?
Bleri Dervishi: Janë disa pjata, por aktualisht janë dy ëmbëlsira, një ëmbëlsirë me vaj ulliri që e kemi enkas për Gzonën dhe një milefolie me patate, po prapë duke nisur nga tradita shqiptare.
Shef Bleri ne kuzhine. (Foto personale)
CMG: Kulinaria kineze është e njohur në gjithë botën dhe besoj që ju i keni shijuar gatimet tradicionale kineze?
Bleri Dervishi: Unë kur kam jetur në Milano, pothuajse minimalisht njëherë në javë haja në një restorant kinez dhe më pëlqen shumë ndërthurja e ëmbël me të kripur që bëjnë në disa pjata, që për mendimin tim është shumë e veçantë. Gjithashtu edhe përbërjet, në nivel brumërash që ata ndërthurin me niseshten apo me miellin e orizit, që është shumë interesante, por duhet të kesh shumë kujdes në përgatitje sidomos me temperaturat.
CMG: Do të dëshiroje të ishe shef kuzhine në një restorant me kuzhinë tradicionale kineze?
Bleri Dervishi: Unë kam një shokun tim të vjetër i cili aktualisht është në Kinë dhe gjithmonë i them atij që pse nuk realizojmë një darkë me katër duar bashkë në Kinë, ose bëjmë një restorant tradicional kinez dhe bashkojmë kuzhinën shqiptare me kuzhinën kineze dhe shpikim diçka të re. Dëshira është shumë e madhe dhe është në planet e mia për të ardhmen.
Intervistoi: Gazmend Agaj