Aleanca për Trashëgiminë Kulturore në Azi (ACHA) u krijua zyrtarisht të martën në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate në qytetin Xian të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore.
Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e ACHA-së, 25 prill 2023, qyteti Xi'an(Foto:Xinhua)
Si një ndër hapat kryesore të zbatimit të Nismës së Qytetërimit Global të propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping, krijimi i aleancës është në të mirë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Azisë dhe të thellimit të shkëmbimeve ndërmjet qytetërimeve aziatike, duke e bërë "kopshtin" e qytetërimeve botërore më të lulëzuar.
Në Konferencën mbi Dialogun e Qytetërimeve Aziatike të mbajtur në maj 2019, Xi tha se "Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të mbrojtur trashëgiminë kulturore aziatike dhe për të ruajtur e mbështetur më mirë qytetërimet tona".
Si një djep i rëndësishëm i qytetërimit njerëzor, Azia ka kultivuar dhe bart një thesar të paçmuar të trashëgimeve kulturore, duke shkruar një kapitull të shkëlqyer në analet e qytetërimeve botërore, tha Xi në një letër urimi dërguar Asamblesë së Përgjithshme të ACHA-s.
Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e ACHA-së, 25 prill 2023, qyteti Xi'an(Foto:VCG)
Sipas tij, të gjitha palët, gjatë katër vjetëve të fundit, kanë reaguar aktivisht dhe kanë punuar së bashku për të kryer bashkëpunim praktik në studimin e qytetërimeve të lashta, gërmimet arkeologjike, restaurimin e vendeve historike dhe shkëmbimet ndërmjet muzeve, duke dhënë kontributin e ri të Azisë për mbrojtjen e thelbit të qytetërimit njerëzor.
Vitet e fundit, Kina ka bashkëpunuar në 11 projekte të mbrojtjes dhe restaurimit të qendrave historike me gjashtë vende aziatike, si Kamboxhia, dhe ka kryer më shumë se 20 projekte të bashkëpunimit arkeologjik me 14 vende aziatike, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistanin dhe Arabinë Saudite, duke ndihmuar në eksplorimin e kontekstit të qytetërimeve aziatike dhe ndërtimin e një ure lidhëse mes popujve aziatikë. Ndërkohë, ekspozitat e relikteve kulturore nga vendet aziatike tregojnë historinë e gjallë të shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve.
Për shembull, në vitin 2019 në Muzeun Kombëtar të Tokios në Japoni u hap ekspozita "Tre Mbretëritë: Zbulimi i historisë", e organizuar nga Qendra e Shkëmbimit të Relikteve Kulturore e Kinës, në të cilën u shpërfaqën 161 relikte të çmuara kulturore kineze.
Ekspozita më e madhe e artit "Gandhara" në Kinë, që paraqit kulturat e ndryshme përgjatë Rrugës së lashtë të Mëndafshit dhe historinë e gjatë të marrëdhënieve Kinë-Pakistan, u organizua në Muzeun e Pallatit të Dimrit në Pekin në mars, duke tërhequr vëmendje të madhe brenda dhe jashtë vendit.
Vizitorë në ekspozitën e artit "Gandhara", Pekin, 19 mars 2023(Foto:VCG)
Kreu i shtetit i Kinës theksoi në letrën e vet të urimit që Kina është e gatshme të punojë me të gjitha vendet aziatike për të forcuar shkëmbimin e përvojave në ruajtjen e trashëgimeve kulturore, për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën përkatëse dhe për të krijuar një rrjet për dialog dhe bashkëpunim midis qytetërimeve.
Si një ndër praktikat kryesore të Nismës së Qytetërimit Global, Aleanca për Trashëgiminë Kulturore në Azi vë në qendër trashëgimin dhe zhvillimin e qytetërimeve aziatike në forma të ndryshme, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të popujve aziatikë.
Më shumë se 21 vende aziatike, si dhe tre organizata kryesore ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore, si UNESCO, Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe të Restaurimit të Pasurive Kulturore dhe Aleanca Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Trashëgimisë në Zonat në Konflikt, marrin pjesë në asamble.
Nga Nisma e Zhvillimit Global dhe Nisma e Sigurisë Globale deri në nismën e fundit për qytetërimin global, Kina i ka paraqitur botës një sistem ideologjik që bëhet gjithnjë e më i pjekur.
Siç tha presidenti kinez kur propozoi Nismën e Qytetërimit Global, toleranca, bashkëjetesa, shkëmbimet dhe mësimi i ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve të ndryshme luajnë një rol të pazëvendësueshëm në përparimin e procesit të modernizimit të njerëzimit dhe lulëzimin e "kopshtit" të qytetërimeve botërore, pasi e ardhmja e të gjitha vendeve është e ndërlidhur ngushtë në ditët e sotme.(Zhang Yan/Artan)