Presidenti kinez zhvillon bisedime telefonike me homologun ukrainas
2023-04-26 21:31:06

Foto nga VCG

Të mërkurën pasdite, presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime telefonike me homologun e vet ukrainas Volodymyr Zelensky me kërkesën e këtij të fundit. Të dy palët shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet Kinë-Ukrainë dhe krizën ukrainase.

Xi Jinping-u vuri në dukje se marrëdhëniet Kinë-Ukrainë kanë kaluar 31 vjet zhvillim dhe kanë arritur në nivelin e partneritetit strategjik, duke dhënë ndihmë për zhvillimin dhe rigjallërimin e të dy vendeve. “Unë e vlerësoj theksimin e përsëritur nga presidenti Volodymyr Zelenskiy të zhvillimit të marrëdhënieve kino-ukrainase e bashkëpunimit me Kinën dhe falënderoj Ukrainën për ndihmën e madhe për evakuimin e shtetasve kinezë vitin e kaluar. Respektimi i ndërsjellë i sovranitetit dhe integritetit territorial është baza politike e marrëdhënieve kino-ukrainase,” tha ai. Kreu i shtetit kinez u shpreh më tej që të dy palët duhet t’i kushtojnë rëndësi së ardhmes, të këmbëngulin në planifikimin e marrëdhënieve dypalëshe nga një perspektivë afatgjatë, të vazhdojnë traditën e respektit të ndërsjellë e të sinqeritetit ndaj njëri-tjetrit dhe të promovojnë zhvillimin e partneritetit strategjik kino-ukrainas. “Qëndrimi i Kinës për të zhvilluar marrëdhëniet me Ukrainën është i qëndrueshëm dhe i qartë. Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina dëshiron të bashkëpunojë me Ukrainën për të çuar përpara bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve,” u shpreh ai.

Xi Jinping-u vuri në dukje në vazhdim se evoluimi kompleks i krizës në Ukrainë ka ndikim të madh në situatën ndërkombëtare. “Në çështjen e krizës ukrainase, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes dhe pozicioni i saj thelbësor është promovimi i paqes dhe i bisedimeve,” tha ai. Xi theksoi që pala kineze publikoi dokumentin "Qëndrimet e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë", duke shtuar që Kina nuk është as krijuese dhe as palë në krizën e Ukrainës. “Si një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend i madh i përgjegjshëm, Kina as nuk do ta këqyrë nga larg zhvillimin e krizës, as nuk do ta stimulojë atë dhe as nuk do të përfitojë prej saj. Dialogu dhe negociatat janë e vetmja rrugëdalje e mundshme,” u shpreh presidenti Xi. Më tej ai theksoi se nuk ka fitues nga një luftë bërthamore, duke shtuar që, lidhur me çështjen bërthamore, të gjitha palët përkatëse duhet të përmbahen, të nisen me të vërtetë nga e ardhmja dhe fati i të gjithë njerëzimit, dhe bashkërisht ta menaxhojnë e kontrollojnë krizën. “Tani që mendimet dhe zërat e arsyeshëm nga të gjitha palët po shtohen, duhet të shfrytëzojmë rastin për të krijuar kushtet e favorshme për zgjidhjen politike të krizës. Shpresojmë që të gjitha palët të reflektojnë thellë për krizën ukrainase dhe së bashku të kërkojnë një rrugë për paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë në Evropë nëpërmjet dialogut. Kina do të këmbëngulë në nxitjen e paqes e të bisedimeve dhe do të bëjë përpjekjet e veta për ndalimin e luftës dhe arritjen e armëpushimit,” tha ai. Më tej Xi bëri të ditur që pala kineze do të dërgojë përfaqësuesin e posaçëm të qeverisë kineze për çështjet euroaziatike për të vizituar Ukrainën dhe vendet e tjera, për të zhvilluar komunikim të thellë me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës ukrainase. Kina ka ofruar disa kontingjente ndihme humanitare për Ukrainë dhe është e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë brenda mundësive të saj, theksoi presidenti kinez.

Nga ana e tij, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e uroi presidentin Xi Jinping për rizgjedhjen dhe vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Kinës. Ai shprehu besimin se, nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, Kina do të përballojë me sukses sfidat e ndryshme dhe do të vazhdojë të zhvillohet. “Kina mbështet qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së në çështjet ndërkombëtare dhe ka ndikim të madh në skenën ndërkombëtare. Ukraina i përmbahet politikës së ‘Një Kine’ dhe shpreson të zhvillojë bashkëpunim të gjithanshëm me Kinën, të hapë një fazë të re në marrëdhëniet kino-ukrainase dhe të bashkëpunojë për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë botërore,” u shpreh ai. Zelensky shtjelloi pikëpamjet e tij për krizën ukrainase, falënderoi Kinën për ndihmën e saj humanitare për Ukrainën dhe përshëndeti rolin e rëndësishëm të luajtur nga Kina në rivendosjen e paqes dhe zgjidhjen e krizës me mjete diplomatike. (Çang Çuo)