Banka Botërore vlerëson Shqipërinë, raporti i pranverës i jep notë pozitive ekonomisë në 2022
2023-04-26 16:29:05

Raporti i Bankës Botërore(Foto RTSH)

Raporti i Bankës Botërore(Foto RTSH)

"Shqipëria është një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e pranverës së Bankës Botërore të publikuar të martën, shkruan RTSH.

Sipas raportit, gjatë vitit 2022, rritja e përgjithshme ishte 4.84 për qind e PBB-së, duke e bërë Shqipërinë ekonominë e dytë me rritjen më të shpejtë në rajon, pas Malit të Zi.

Duke iu referuar rajonit, raporti i Bankës Botërore konfirmon se tre vjet pas pandemisë, të gjashtë ekonomitë e rajonit kanë tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë për sa i përket PBB-së, megjithëse me ecuri të ndryshme.

Shqipëria ka shkallën më të lartë të punësimit të të rinjve prej 56.3 përqind mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të gjithë rajonin, shkalla e punësimit të të rinjve 15 vjeç e lart arriti një nivel historik prej 47 përqind në shtator 2022 dhe më pas filloi të bjerë. Rritjet më të mëdha vjetore u regjistruan në Shqipëri dhe Mal të Zi me përkatësisht 2.7 dhe 7.9 për qind.

“Ritmi i krijimit të vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor filloi të bjerë gjatë kësaj periudhe kohore, me përjashtim të Shqipërisë” thotë raporti.

Shqipëria ka shkallën më të ulët të papunësisë tek të rinjtë me 21.5 për qind midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shkalla e papunësisë së të rinjve në rajon është dyfishi i normës së përgjithshme, megjithëse ka rënë në 27 përqind—4.8 pikëpërqindje nën normën e dhjetorit 2021. Me fjalë të tjera, ka 202,000 të rinj të papunë në Ballkanin Perëndimor – një kontigjent në moshën e tij shumë produktive, ose rreth 36,000 më pak se në vitin 2021.

Vlerësim ka marrë sidomos sektori i mikpritjes, që ka rimëkëmbur fuqishëm dhe madje ka tejkaluar nivelet e parapandemisë në Shqipëri. Në vitin 2022, turizmi, krahasuar me numrin e netëve të kaluara nga jorezidentët, është rikuperuar plotësisht dhe ka tejkaluar nivelin e vitit 2019 në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Serbi.

Prodhimi industrial dhe bujqësia ishin sektorët më të prekur nga kushtet e pafavorshme të motit në Shqipëri.  Nga kushtet atmosferike e ka pësuar dhe sektori i bujqësisë, ku prodhimi u rrit me vetëm 0.13 për qind. Sektori i bujqësisë në Shqipëri përbën pothuajse 18 për qindtë PBB-së, më shumë se dyfishi i peshës mesatare për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Duke iu referuar sistemit fiskal raporti i Pranverës i Bankës Botërore nënvizon se Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmirësuar qëndrueshmërinë fiskale të sistemit të pensioneve, por ka një raport të ulët mbështetjeje që nënkupton se përqindja e të punësuarve që kontribuojnë në një plan pensioni është e ulët në krahasim me përqindjen e popullsisë së moshuar që përfiton pension.(Fatosi)