Xi Jinping-u takohet me Truong Thị Mai-n
2023-04-26 21:22:11

Foto nga VCG

Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe president i Kinës Xi Jinping u takua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me Truong Thị Mai-n, anëtare e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit, sekretare ekzekutive e Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe drejtore e Departamentit të Organizimit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit.

Xi Jinping-u i kërkoi Truong Thị Mai-t që t'i përcjellë përshëndetjet e tij të sinqerta Sekretarit të Përgjithshëm Nguyen Phu Trong dhe presidentit Vu Van Trong. Xi Jinping-u tha se sivjet është 15-vjetori i krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit Kinë-Vietnam. “Që nga vizita e Sekretarit të Përgjithshëm Nguyen Phu Trong në Kinë vitin e kaluar, Kina dhe Vietnami i kanë kushtuar rëndësi të madhe zbatimit të konsensusit dhe frymës së deklaratës së përbashkët të arritur nga unë e Sekretari i Përgjithshëm Nguyen Phu Trong dhe kanë marrë masa pozitive për të nxitur shkëmbimet dhe bashkëpunimin dypalësh. Jam i gatshëm të mbaj kontakte të ngushta me Sekretarin e Përgjithshëm Nguyen Phu Trong për të forcuar udhëzimet politike dhe strategjike për marrëdhëniet Kinë-Vietnam,” u shpreh ai.

Xi Jinping-u theksoi më tej që, përballë situatës së ndërlikuar ndërkombëtare dhe detyrave përkatëse të reformës, zhvillimit e qëndrueshmërisë të të dy vendeve, Kina dhe Vietnami duhet të konsolidojnë besimin e ndërsjellë politik, të forcojnë unitetin e bashkëpunimin, të menaxhojnë dhe kontrollojnë dallimet, të përballojnë së bashku rreziqet e sfidat dhe të promovojnë ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam.

Truong Thị Mai fillimisht përcolli përshëndetjet e përzemërta nga Sekretari i Përgjithshëm Nguyen Phu Trong dhe presidenti Vu Van Thang për Sekretarin e Përgjithshëm dhe presidentin Xi Jinping, duke e falënderuar Xi Jinping-un për takimin me të. Truong Thị Mai shprehu urimet e saj më të ngrohta për mbledhjen e suksesshme të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës dhe “dy sesioneve”, si dhe urimet e ngrohta për Sekretarin e Përgjithshëm Xi Jinping për zgjedhjen unanimisht president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak. “Besojmë me vendosmëri se, nën udhëheqjen e fortë të Komitetit Qendror të PKK-së me shokun Xi Jinping në krye, populli kinez do të përmbushë me sukses objektivat e vendosura nga Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së dhe do të ndërtojë një vend socialist modern në të gjitha aspektet,” tha Truong Thị Mai. Më tej ajo shtoi që Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit Nguyen Phu Trong bëri një vizitë të suksesshme në Kinë menjëherë pas Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës dhe arriti konsensus të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm Xi Jinping për zhvillimin e marrëdhënieve Vietnam-Kinë në epokën e re, duke sjellë një shtysë të fortë në bashkëpunimin e gjithanshëm strategjik mes dy vendeve. Vietnami e konsideron gjithmonë zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me Kinën si përparësi kryesore të politikës së tij të jashtme, i përmbahet gjithmonë politikës së një Kine dhe mbështet me vendosmëri ribashkimin e Kinës, theksoi ajo. (Çang Çuo)