Foto nga instagrami
Koncerti me solist kantautorin Dren Abazi të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Shkodrës do të jetë një ngjarje kulmore për karrierën e tij artistike. Janë të rrallë artistët që arrijnë të bëjnë një koncert të tillë me një orkestër të madhe simfonike shoqëruar nga kori. Për artistin Dren Abazi ky është koncerti i parë simfonik, i cili do të mbahet në sheshin përpara bashkisë së Shkodrës. Kjo orkestër është rikthyer pas 32 viteve mungese dhe tashmë muzikantët kanë nisur punën intensive për të sjellë sa më mirë repertorin muzikor të kantautorit Dren Abazi. Koncerti recital do të vijë nën dirigjimin e maestrove Jetmir Barbullushi dhe Gjon Shllaku.
Sipas kantautorit Abazi, ky është një koncert që ai vetë e kishte ëndërruar dhe tashmë po bëhet realitet. Do të ketë mbi 90 muzikantë në orkestër, si dhe muzikantë të tjerë në skenë, një gjë e cila ndodh rrallë herë edhe me artistë të njohur nëpër botë.
Në intervistë për Radio Ejani kantautori Dren Abazi rrëfen surprizat e këtij koncerti.
Dren Abazi në intervistë për CMG
CMG: Kanë kaluar rreth katër vite nga koncerti yt recital "Mes yjesh" dhe tashmë në maj ti vjen me një tjetër koncert me Orkestrën Simfonike të Shkodrës. Na trego më tepër për këtë?
Dren Abazi: Koncerti "Mes yjesh" u realizua 5-6 vite më parë në Katedralen Ortodokse dhe një tjetër pak më vonë në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë. Ky format kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm dhe është një proces shumë i gjatë për të mbërritur në një nivel, që e dëshirojmë dhe që është i kënaqshëm. Shpresoj që edhe ky koncert në Shkodër jetë në nivelin e duhur dhe do arrijë pritshmëritë tona.
CMG: Do të interpretosh këngët e repertorit tënd që kemi dëgjuar deri më sot, apo edhe materiale të reja muzikore?
Dren Abazi: Do jetë një koncert që do të ketë një përmbledhje të këngëve të mia, do ketë ndonjë surprizë dhe po punoj me disa materiale të reja. E veçanta e koncertit mbetet mënyra se si do i sjellim këngët, riorkestrimi është një mënyrë dhe qasje ndryshe kur flasim për orkestrën simfonike që i përshtatet këtij formati . Disa këngë do të përcillen me kor, i cili do të përbëhet nga 30 persona. Koncerti është menduar që të zgjasë për rreth 1.45 min ose më së shumti 2 orë, që për mendimin tim është kohë e mjaftueshme për një koncert ideal, as i shkurtër dhe as i gjatë që njerëzit mos të lodhen. Kam parë në koncerte të miqve të mi që i kam dashur shumë, por kanë zgjatur nga 3 orë dhe njërëzit janë lodhur.
Dren Abazi (Foto nga instragrami)
CMG: Çfarë të veçante do të ketë ky koncert?
Dren Abazi: E veçanta e këtij koncerti është se po bëhët me një orkestër kaq të madhe, plus që është orkestër simfonike shoqëruar nga kori. Tjetër e veçantë e këtij koncerti është se do të jemi në skenë jo më pak se 93 muzikantë, që është një punë e jashtëzakonshme për t’i koordinuar të gjithë që të tingëllojë mirë dhe të jenë të sinkronizuar. Kjo është një punë, e cila po realizohet falë meritës së dy drejtuesve të mirënjohur, maestro dirigjenti Jetmir Barbullushi si dhe pianisti i njohur drejtuesi i korit Gjon Shllaku.
Koncerte të tilla janë shumë të rralla se është shumë e vështirë për t’i realizuar, kërkon një punë të jashtëzakoshme një angazhim shumë i madh, për mos folur dhe për pjesën teknike që kërkon dhe staf. Jam shumë i lumtur se një nga arsyet që po bëhet ky koncert është se Orkestra Simfonike po rikthehet pas 32 vitesh dhe padyshim që është një vlerë e shtuar në këtë qytet, që është djepi i kulturës. Të gjithë muzikantët e njohur janë nga Shkodra dhe kjo është fakt dhe këngët që na kanë lënë këta konpozitorë janë të pavdekshme. Kjo është një prej veçantive dhe arsyeve se përse po bëhet në Shkodër. Ne në fillim menduam që ta organizonim koncertin në kalanë e Shkodrës, duke menduar madhështinë e asaj kalaje, por me diskutimin me shumë persona menduam se nuk është koha e përshtatshme që të realizohet tani një koncert aty, për shkak të erës së madhe, duhet foni shtesë dhe mund të shkatërrojë çdo gjë në rastin më të keq.
Kështu që menduam një variant më të lehtë dhe më të sigurtë që është sheshi përpara bashkisë. Gjithësesi këto ditë do të vendosim përfundimisht për vendin ku do të mbahet koncerti, sepse duket se ka patur një interesim shumë më të madh dhe do të shohim ndonjë ambjent më të madh se sheshi përpara bashkishë. Së shpejti do të dalim me një tjetër njoftim. Besoj se do të jetë një koncert për t’u mbajtur mend gjatë dhe që do të na kënaqë të gjithëve.
Dita e parë e provave me orkestrën simfonike (Foto nga instastory)
Kantautori Dren Abazi që nga fillesat e tij ka ndjekur të njëjtën linjë muzikore. Rreth 15 vite më parë ai ka nisur të interpretojë suksesshëm me bandën muzikore “Zig Zag Orchestra”, duke preferuar gjithmonë që të jetë live në publik dhe me orkestër profesioniste. Ai është një nga kantautorët që vazhdon në mënyrë sistematike të jetë prezent jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit me koncerte të ndryshme nëpër Europë. Dreni është një kitarist profesionist dhe që nga viti 2008 krijoi grupin e tij muzikor, duke fituar menjëherë zemrat e publikut shqiptar, sidomos pas këngës në vitin 2011 "Ti dhe unë". Ai është përherë aktiv me materiale të reja muzikore për publikun që e ndjek, koncerte të ndryshme dhe tashmë vjen me një koncert në një tjetër nivel, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Shkodrës, e cila përgjatë muajin prill të këtij viti, rinisi aktivitetet muzikore, pas një mungese të gjatë.
Intervistoi: Sava Lena
(Foto nga instastory)