
Në qytetin Ningbo të Kinës do të organizohet midis datave 16 - 20 maj Panairi i tretë Kinë - Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, një bashkëpunim i lançuar më 26 prill 2012 si një platformë ndër-rajonale, bazuar në miqësinë tradicionale dhe dëshirën e përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve për bashkëpunim të favorshëm dhe zhvillim të përbashkët, dhe që nga ajo ditë dhe në vazhdim, bashkëpunimi dhe mekanizmat e këtij bashkëpunimi, janë rritur e shtuar pandërprerje.

Ky bashkëpunim tashmë prek fusha të tilla si: ekonomia dhe tregtia, kultura, arsimi, shkëmbimi i të rinjve, bujqësia, turizmi, shkenca dhe teknologjia, shëndetësia, shkëmbimi i grupeve të ekspertëve, bashkëpunimi ndërkombëtar, etj dhe bashkëpunimi dypalësh midis vendeve pjesëmarrëse është rritur në mënyrë të vrullshme edhe në fusha të tilla si prodhimi dhe tregtimi i pjesëve të këmbimit, transport - logjistika, energjia e rinovueshme, shëndetësia, inteligjenca artificiale, tregtia elektronike, etj.
Ky bashkëpunim vjen si një përgjigje praktike dhe e domosdoshme ndaj gjendjes ndërkombëtare në evoluim dhe përballë sfidave që sjellin përpara ndryshimet gjeopolitike dhe globale, duke patur parasysh zhvillimin e qendrueshëm, ekonominë digjitale, globalizimin, etj.
Kjo marrëdhënie prek (1) lidhjet ekonomike dhe tregtare, (2) kontribuon më shumë në bashkëpunimin e përgjithshëm, (3) bën më aktive shkëmbimet mes njerëzve, duke respektuar diversitetin, (4) nxit profesionalizmin dhe (5) motivon pjesëmarrjen më të gjerë të palëve të interesuara.
Në vitin 2012, tregtia e Kinës me vendet e EQL (me përjashtim të Greqisë) arriti në 52.06 mld$, në 2014, 60.22 mld$, në 2016 rreth 67 mld$, në 2019 në 95.45 mld$, në 2021 në 103.5 mld$ dhe në 2022 rreth 133.6 mld$.
Tashmë veprimtaria tregtare e Kinës me vendet e EQL përbën më shumë se 10% e tërë tregtisë me Evropën, ndërkohë që paralelisht janë me dhjetra projekte që janë financuar në kuadër të këtij bashkëpunimi në infrastrukturë, teknologji, digjitalizim, etj. Investimet e Kinës në vendet e EQL janë rritur gjithashtu nga 3 miliardë dollarë në 2014 në rreth 15 miliardë dollarë në 2022, duke përfshirë prodhimin e makinerive, industrinë kimike, financat, mbrojtjen e mjedisit, logjistikën dhe energjinë e rinovueshme.
Ajo që është më e rëndësishme është fakti se vendet e EQL tashmë kanë reflektuar realitetin me ndryshime të nevojshme, kryesisht në kuadrin ligjor, në kushtet e bërjes së biznesit dhe në aspektin e strukturave përgjegjëse për këtë veprimtari.

Ningbo, një qytet i njohur për sipërmarrjen dhe inovacionin, është një nga qytetet e para kineze që u hap për tregjet e huaja dhe që tashmë është kthyer në destinacion shumë të preferuar për biznesin ndërkombëtar. Afro 70% e mallrave të prodhuara në Kinë me destinacion vendet e EQL, nisen nga porti i këtij qyteti, që është porti më i madh në botë. Vitet e fundit vëllimi i përpunimit të kontenierëve në këtë port ka qenë rreth 30 milionë kontenierë. Ningbo-Budapest, që është gjithashtu linja e parë e drejtpërdrejtë e transportit të mallrave e hapur nga aeroporti i Ningbos për në qytetet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Marrëdhëniet e forta tregtare pasqyrojnë një komplementaritet ekonomik të nivelit të lartë të palëve dhe tregojnë se mekanizmi i bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të EQL-së plotëson nevojat e tyre përkatëse për t’u rritur dhe thelluar.
