Presidenti kinez merr letrat kredenciale nga 70 ambasadorë të sapoemëruar në Kinë
2023-04-25 14:32:17

Foto nga Xinhua 

Presidenti kinez Xi Jinping mori të hënën në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin letrat kredenciale të paraqitura nga 70 ambasadorë të sapoemëruar në Kinë.

Pas ceremonisë, presidenti Xi mbajti një fjalim para ambasadorëve, duke u kërkuar atyre t'u përcjellin urimet e tij më të mira vendeve, organizatave, udhëheqësve e popujve të tyre dhe duke shprehur gatishmërinë e Kinës për të thelluar miqësinë e për të zgjeruar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë me të gjitha vendet në bazë të barazisë e përfitimeve të përbashkëta.

Xi shprehu shpresën se të dërguarit do të kenë një kuptim të përgjithshëm e të thellë të Kinës dhe do të bëhen ambasadorë të miqësisë dhe ura të komunikimit.

Qeveria kineze do t'u japë mbështetje dhe do t'u krijojë lehtësi ambasadorëve për të kryer detyrat e tyre, shtoi ai.

Lidhur me luftën e jashtëzakonshme të Kinës kundër COVID-19 gjatë tre vjetëve të fundit, Xi shprehu mirënjohje për ndihmën e sinqertë të shumë vendeve.

Kina ka ndërmarrë gjithashtu veprime praktike për të mbështetur plotësisht luftën globale kundër pandemisë dhe ka vënë në jetë vizionin e ndërtimit të një bashkësie shëndetësore globale për të gjithë, vuri në dukje ai.

Xi u tha ambasadorëve se Kina po nis tani një udhëtim të ri drejt ndërtimit të një vendi modern socialist në të gjitha aspektet dhe do të çojë përpara rilindjen kombëtare në të gjitha frontet nëpërmjet rrugës kineze të modernizimit.