Pritet më shumë bashkëpunim Kinë-Portugali në energjinë diellore
2023-04-25 14:19:39

Foto nga VCG

Një ekspert portugez i energjisë diellore theksoi cilësinë e lartë të produkteve diellore të prodhuara nga Kina dhe shprehu shpresën për rritjen e investimeve kineze në sektorin e energjisë diellore të Portugalisë në të ardhmen, shkruan Xinhua. Kina dhe Portugalia kanë forcuar bashkëpunimin e tyre në sektorin e energjisë diellore, me shumë korporata kineze që furnizojnë produkte fotovoltaike (PV) për instalim në Portugali, i ka thënë Xinhua-s Pedro Amaral Jorge, president i Shoqatës Portugeze të Energjisë së Rinovueshme (APREN) në një intervistë.

Ai ka vënë në dukje gjithashtu se korporatat e mëdha kineze kanë investuar drejtpërdrejt në Portugali duke blerë pjesë të kompanive energjetike të vendit.

Jorge vlerësoi performancën e furnizuesve kinezë dhe tha se shumica e 700 megavateve të produkteve PV të instaluara çdo vit në Portugali janë nga Kina.

Jorge theksoi se veç cilësive të mira, produktet e ofruara nga furnitorët kinezë janë gjithashtu shumë konkurruese në çmim.

Portugalia ka zhvilluar me shpejtësi prodhimin e energjisë diellore që nga viti 2016 dhe tashmë ka instaluar një kapacitet prej 2.2 gigavat. Ajo ka avantazhe konkurruese ndaj vendeve të tjera evropiane, sepse ka më shumë ekspozim ndaj rrezeve të diellit, duke qenë në gjendje të instalojë panele në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në jug me rrezatim diellor më të lartë në Evropë.

Portugalia synon të instalojë rreth tetë gigavat deri në vitin 2026 ose 2027 dhe të arrijë 22 gigavat në vitin 2030.(Fatosi)