Durrësi çel sezonin e kroçerave
2023-04-25 12:15:12

Foto nga VCG

Durrësi, porti më i madh i Shqipërisë  ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçerave turistike edhe për këtë vit kalendarik, shkruan ATSH.  Mëngjesin e të hënës në port është ankoruar “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë. Kjo anije disa vite që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.

Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit.

Mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë Durrësin edhe 5 herë të tjera. “Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesën e tyre në Durrës.

Turistët e huaj, gjatë qëndrimit njëditor në Durrës, ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.(Fatosi)