
Sipas një deklarate të publikuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë (UNFPA), bazuar në gjetjet e “Raportit të Gjendjes së Popullsisë Botërore”, parashikimet statistikore demografike tregojnë se India do të ketë një popullsi prej 1.4286 miliardë banorësh nga mesi i këtij viti, duke u bërë kështu vendi më i populluar në botë. Kjo do e bënte Indinë një vend me afro 3 milionë banorë më shumë se Kina. Deri këtu nuk ka asnjë lloj sensacionalizmi, n.q.s. se lajmi do të mbetej këtu me një analizë të thjeshtë demografike në rang global, por nuk ndodhi kështu. Menjëherë “analizat” filluan të vërshonin më një tendencë për “të ardhmen e zymtë të Kinës”.
Filozofi francez Auguste Comte citohet shpesh të ketë thënë: “Demografia është fati” [Demography is Destiny]. Edhe pse ky është një mbivlerësim, sigurisht demografia është e rëndësishme - për zhvillimin e komuniteteve, ekonomive, kombeve dhe në fund të gjithë njerëzimit. Nocioni “Demografia ndërton fatin e një kombi” ka kanalizuar elementin demografik si variablin kryesor të rritjes ose tkurrjes ekonomike të një vendi, por në shekullin 21-të ka shumë elementë të tjerë që janë po aq të rëndësishëm sa demografia për një komb. Për shembull, produktiviteti i ekonomisë, i ashtuquajturi “dividenti i talentit”, kushtet sociale, ambientale dhe padyshim kushtet politike të një vendi, që së bashku me demografinë përbëjnë elementët vendimtarë të së ardhmes së një kombi.

CFP
Spekulimet për të ardhmen e Kinës në retrospektivë
Që Kina portretizohet në një hije “gri” në shumë pjesë të botës kjo është tashmë e ditur, por kur analizohet Kina e së ardhmes, duket sikur projeksionet janë po aq gri sa edhe portretizimi i së tashmes. Por, sa të besueshme janë projeksionet për Kinën që vijnë nga jashtë saj? Le të bëjmë një analizë retrospektive për të parë sa të drejtë kanë pasur të huajt për Kinën ndër vite. Ka mëse tre dekada që nga jashtë flitet për ngadalësim, rënie por edhe kolaps të ekonomisë kineze, ndërkohë që historia dhe realiteti na tregojnë ndryshe.
Në vitin 1995, influentja Foreign Policy, titullonte një shkrim “Kolapsi i ardhshëm kinez” nga një profesor shumë i njohur. Për vite me radhë u mor si e mirëqenë dhe qindra analiza u ravijëzuan me këtë temë dhe duke shtuar elementë për “kolapsin e ardhshëm” që nuk ndodhi kurrë.
Në vitin 2001, Gordon Chan shkroi një libër që u bë shumë shpejt më i shituri për muaj të tërë, titullohej “Kolapsi i ardhshëm i Kinës” i cili parashikonte se ekonomia kineze do të kolapsonte në vitin 2011, më pas e shtyu në 2012, pastaj në 2013.... dhe jemi një dekadë pas këtij parashikimi.
Në vitin 2004, një tjetër publikim influent nga The Economist shkruante duke bërë lojëra fjalësh me bazë Murin e Madh kinez, “Rënia e madhe e Kinës” duke shënuar që do kishte shpejt një kolaps katastrofik në terma ekonomikë për Kinën. Po nga kjo revistë, në vitin 2008 vjen një shkrim tjetër që titullohej “Kolapsi i shpejtë ekonomik kinez nxit masat e dëshpërimit”. Në kulmin e krizës financiare botërore, dukej sikur në një nga revistat ekonomike më të lexuara në botë po binin kambanat e alarmit. Me pak fjalë, nëse bota po vuante në 2008, Kina do të vuante më shumë. Por, sërish, ekonomia kineze me qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e saj, i tregoi botës se jo vetëm që kriza e 2008 nuk e impaktoi shumë, por i dha shtysa më të forta punës së tyre dhe u përballua më sukses për shkak të politikave fiskale të azhornuara ato vite.

CFP
Vazhdojmë më tej, kur The Guardian, një media britanike shumë e njohur titullonte një shkrim analize “Rënia e Kinës” do të sjellë krizën ekonomike në vitin 2012, duke parashikuar se meqë Kina nuk u impaktua shumë nga kriza financiare, rrënimi do të vijë total në vitin 2013. Viti 2013, erdhi dhe kaloi, dhe parashikimet e The Guardian nuk morën jetë. Jo vetëm kaq, por nga ai vit e më pas, establishmenti i ri politik kinez, u fokusua tërësisht që Kina të ishte imune ndaj çdo goditjeje të madhe të jashtme në nivel financiar.
Po në vitin 2013 kemi një tjetër libër, që sërish shitet masivisht, nga James Gorrie titulluar “Kriza e Kinës: Si kolapsi ekonomik i Kinës do të çojë në një depresion global”. Kriza nuk ndodhi, as depresioni nuk u pa.
Në vitin 2016, revista Fortune, edhe kjo konsiderohet si një nga më prestigjozet, kishte një shkrim që u lexua në mbarë botën titulluar “Njihuni me njeriun që parashikoi kolapsin ekonomik kinez”, e shumë të tjera si këto deri në vitin 2018.
Nga fillimi i viti 2018, dukë parë se të gjitha sa më sipër ishin teori të dështuara, filloi një valë qetësie dhe u pranua në “Australian Financial Review” në Prill 2018, më anë të një shkrimi titulluar: Kolapsi i teorisë së "kolapsit kinez". Të gjitha teoritë ndër dekada, nga autorë dhe media me impakt tejet të gjerë publik u dekonspiruan nga realiteti ekonomik i Kinës.
Por, nuk zgjati shumë, shtrëngimet pandemike dhe politika zero-Covid dinamike rihapën këto portretizime të errëta sërish, dhe sërish shohim të njëjtat trajta si më parë. Fjalët kyçe kësaj radhe janë, shtrëngimet pandemike që do sjellin shkatërrim ekonomik.
Në tetor të vitit 2022, BBC shkruante “Pesë arsye pse ekonomia e Kinës është në telashe”. Artikulli analizonte se “Fabrika e botës” ka më pak klientë për produktet e saj brenda dhe jashtë vendit dhe se tensionet tregtare midis Kinës dhe ekonomive të mëdha si ShBA-të po pengojnë gjithashtu rritjen e saj.

CFP
Por me lehtësimin e masave anti-epidemike u pa se ekonomia kineze jo vetëm që nuk ishte në telashe por kishte performuar më mirë se çdo ekonomi tjetër madhore gjatë kohërave të mbylljes prej COVID-19. Për shkak të performancës ekonomike më të mirë se sa pritej dhe elasticitetit të ekonomisë kineze, banka të shumta ndërkombëtare dhe institucione financiare (duke përfshirë Morgan Stanley, Goldman Sachs, HSBC, Barclays dhe Natixis) kanë rishikuar projeksionet e tyre për ekonominë e Kinës në 2023, duke i rritur. Parashikimet për vitin 2023 janë se ekonomia globale do të ngadalësohet në +2.7%, sipas FMN-së, dhe të njëjtat raporte shprehen se ekonomia kineze do rritet më +5-6%.
“Shqetësimi” i radhës është demografia
Duke vazhduar në trendin e sa më sipër, sërish nga jashtë Kinës vijnë projeksione të zymta për të ardhmen, kësaj radhe është demografia. Më 19 prill 2023 CNN shkruan se “fakti që India po kalon Kinën në numër popullsie do të ketë implikime të rëndësishme ekonomike, për të dy gjigantët aziatikë...pasi Kina ekonomia kineze ka përjetuar sfidat e mëdha.”
Por, Ministria e Jashtme kineze u shpreh se dividenti demografik i një vendi nuk varet nga sasia e popullsisë, por cilësia e popullsisë është më e rëndësishme; nuk varet nga madhësia e popullsisë, por shkalla e fuqisë punëtore të kalibrit të lartë është më e rëndësishme. Kina ka një popullsi prej më shumë se 1.4 miliardë banorë, nga të cilët afro 900 milionë janë në moshë pune, dhe numri mesatar i viteve të arsimit për popullsinë në moshë pune është 10.9 vjet, me hyrjet e reja në fuqinë punëtore që kanë 14 vjet arsimim. Në të njëjtën kohë, Kina ka zbatuar një strategji kombëtare për t'iu përgjigjur në mënyrë aktive popullsisë në plakje, duke promovuar një politikë të tre fëmijëve me masa mbështetëse për t'iu përgjigjur ndryshimeve demografike.

CFP
Profesor Cai Fang, një akademik i lartë i Akademisë Kineze të Shkencave Sociale (CASS), i cili mban dhe një pozicion si anëtar i Komitetit të Politikës Monetare të Bankës Popullore të Kinës ka kryer disa seminare muajin e fundit ku është shprehur se rritja negative e popullsisë në Kinë nuk përbën as lajm të mirë e as të keq. Në vend të kësaj, ai shprehet se është një proces i natyrshëm që norma e lindshmërisë së një vendi të ulet, sa më shumë rritet zhvillimi ekonomik dhe social. Dhe megjithëse rritja negative e popullsisë shton sfidat, ka ende shumë potencial në strukturën demografike të Kinës. Kur flitet për ndikimin e ndryshimeve demografike në rritjen ekonomike të një vendi duhet të shikojmë shumë variabël së bashku. Nëse marrim parasysh faktin që popullsia ka një ndikim në rritjen ekonomike përmes përmirësimit të ofertës së punës, kapitalit njerëzor, kthimit të kapitalit, produktivitetit, duhet të shikojmë edhe tendencat e rritjes, trendet dhe simbolet. Për Prof. Cai, Kina ka një “mega-popullatë, mega-treg, mega-inovacion dhe mega-sipërmarrje”. Kina përballet me sfida për sa i përket rritjes së popullsisë, por ka potencial për sa i përket strukturës së popullsisë. Çdo të thotë kjo? Kina ka 23% të popullsisë së saj që punon në bujqësi, ndërsa në vendet e zhvilluara vetëm 3% e popullatës punojnë në bujqësi mesatarisht. Kjo do të thotë se Kina ka mundësi që 20% të forcës së saj punëtore ta transferojë në industri të tjera në të ardhmen. Por po ti shohim në numër 1% e forcës punëtore të Kinës është 7.8 milion njërëz. Pra struktura e popullsisë ka ende shumë hapësira për rritje.

CFP
Së fundmi, në sensacionalizmin mediatik nga jashtë Kinës, nuk po kuptohet nëse analizat e një të ardhmeje të zymtë për ekonominë kineze i gëzojnë apo i hidhërojnë ata që shkrujnë për këtë zymtësi. Një gjë është e sigurt, që nëse çdo herë flitet për projeksione që nuk vërtetohen, me ide që nuk shfaqen dhe parashikime të pabaza atëherë besueshmëria e tyre vihet në diskutim. Por jo vetëm, po të shtojmë këtu atë që ndoshta nuk është shumë transparente në rreshta, duket sikur mezi po presin që Kina të dështojë. Ndoshta llogaritë nuk dalin dhe prandaj futet në lojë, pesimizmi dhe negativiteti....në narrativë sepse realiteti është ndryshe.
Dr. Marsela Musabelliu
