Të dhënat: Tregtia kineze, nisje të qëndrueshme në tremujorin e parë
2023-04-25 16:40:00

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kohët e fundit u publikuan të dhënat e reja statistikore doganore, nga të cilat mund të shohim gjendjen e tregtisë kineze në tremujorin e parë të këtij viti. Edhe pse gjendja ndërkombëtare është e ndërlikuar, tregtia e jashtme e Kinës shënoi rritje me 4.8 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar elasticitet të fortë.


Përveç rritjes të dukshme, edhe struktura e tregtisë kineze është përmirësuar më tej. Eksporti i “tre produkte të reja” ka shënuar rritje me 66.9 % dhe tregtia e jashtme po futet në një gjendje më të balancuar, ndërsa tregtia e Kinës me vendet dhe rajonet e “Një brez, një rrugë” dhe me vendet anëtare të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) u rrit.


Të dhënat doganore tregojnë që, në tremujorin e parë, 457 ndërmarrje kineze kanë bërë transaksione konkrete import-eksporti, 5.9 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndër to, 384 mijë ishin ndërmarrje private, të cilat realizuan 5.18 trilionë juanë import-eksporte, me një rritje 14.4 % krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, ndërmarrjet me investime të huaja dhe ndërmarrjet shtetërore arritën një vlerë import-eksporti përkatësisht 3.04 trilionë dhe 1.65 trilionë juanë.


Në janar, për shkak të pushimeve të Festës së Pranverës, import-eksporti i Kinës pati ulje me 7 %. Në shkurt, tregtia e jashtme iu kthye rritjes, në shifrën 8 %, dhe në mars vlera e rritjes u ngrit në 15.5 %. Kështu, në tremujorin e parë, rritja e tregtisë së jashtme të Kinës arriti në 4.8 %, 2.6 pikë përqindjeje më shumë se në tremujorin e katërt të vitit 2022.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Administratës Shtetërore të Doganave të Kinës Lu Daliang bëri të ditur: “Për 4 vjet me radhë, ndërmarrjet private kanë luajtur rolin e forcës kryesore në tregtinë e jashtme të Kinës. Në vitin 2022 ndërmarrjet private zunë 50.9 % të vëllimit të import-eksportit të Kinës, duke e tejkaluar gjysmën për herë të parë. Në tremujorin e parë të këtij viti ky nivel është rritur më tej”.


Në tremujorin e parë, “tre produktet e reja”: makinat elektrike me pilot, bateritë e litiumit dhe bateritë diellore shënuan një vëllim të përgjithshëm eksporti prej 264.69 miliardë juanësh, 66.9 % më shumë se një vit më parë, duke zënë 4.7 % të të gjitha produkteve të eksportuara.


Vitin e kaluar, “tre produktet e reja” kanë nxitur rritjen e eksportit të Kinës me 1.7 %, ndërsa në tremujorin e parë, me 2 %. Në këtë periudhë, këto tre produkte të reja janë eksportuar në 200 vende e rajone të botës, dhe rritja e eksportit të tyre në BE, ShBA, ASEAN, Korenë e Jugut dhe Britani ishte përkatësisht 88.7 %, 88.1 %, 103.5 %, 121.7 % dhe 118.2 %.


Eksportet kineze janë zgjeruar e balancuar më tej. Në tremujorin e parë, eksporti i Kinës në 10 tregjet kryesore ka ruajtur rritjen. Ndër to, eksportet në ASEAN, Japoni dhe BE patën rritje përkatësisht me 28 %, 5.3 % e 0.3 %, ndërsa eksportet në Korenë e Jugut, Indi e Meksikë kanë ruajtur rritjen me mbi 10 %. 


Lu Daliang u shpreh: “Sivjet është 10-vjetori i paraqitjes së nismës ‘Një brez, një rrugë’. Në këtë periudhë, eksportet e Kinës në vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke zënë 32.9 % të vlerës së përgjithshme të tregtisë së jashtme kineze vjet, nga 25 % në vitin 2013.”

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas tij, në tremujorin e parë të sivjetshëm, import-eksportet e Kinës me vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” patën rritje me 16.8 %, duke përbërë 34.6 % të nivelit të përgjithshëm të import-eksportit të vendit. Në këtë periudhë, tregtia hekurudhore dhe rrugore me vendet përkatëse ka shënuar rritje përkatësisht me 24.6 % dhe 61.8 %.


Krahas “Një brez, një rrugë”, Kina ka zgjeruar tregtinë edhe me vendet anëtare të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP). Në tre muajt e parë, tregtia e Kinës me 14 vendet anëtare të RCEP-it shënoi vlerën 3.08 trilionë juanë, 7.3 % më shumë se një vit më parë, duke zënë 31.2 % të tregtisë së përgjithshme të vendit. Sipas të dhënave doganore, në këtë periudhë, tregtia e Kinës me 7 vende anëtare ka shënuar rritje mbi 10 % dhe me Singaporin, Laosin e Miamarin është shtuar përkatësisht 45 %, 37 % dhe 29 %.


Lu u shpreh që tani, ekonomia globale përballon më shumë paqëndrueshmëri, paqartësi e paparashikueshmëri dhe tregtia e jashtme kineze do të hasë më shumë vështirësi dhe sfida. Por sipas tij, ekonomia kineze ka një bazë të mirë elastike, me potencial të mjaftueshëm e gjallëri të madhe. “Besoj që perspektiva e ekonomisë kineze në një perspektivë afatgjatë do të jetë pozitive dhe prirja pozitive në tregtinë e jashtme të Kinës pritet të vazhdojë më tej,” tha zëdhënësi Lu Daliang.