Biblioteka Kombëtare në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Jakov Xoxa, çeli ekspozitën “100-vjetori i lindjes i shkrimtarit Jakov Xoxa”, me pjesëmarrjen e personaliteteve të kulturës, akademikë, studiues, shkrimtarë, botues, pedagogë, mbesës së shkrimtarit, Ajola Xoxa dhe studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, si dhe të ftuar të tjerë.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, duke vlerësuar kontributin e vyer të shkrimtarit në letërsinë shqipe theksoi se “kjo ekspozitë synon të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë së Jakov Xoxës nga poezia e tij e parë, në moshën 19-vjeçare, në gazetën “Tomori”, veprat e tij të plota e deri në studimet më të fundit mbi veprën e tij”.
Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh në rrjetet sociale se, vepra e Jakov Xoxës nuk duhet lënë harresë, por i duhet përcjellë brezit të ri. “Shumë kanë shkruar për Veriun, të tjerë për Jugun, shumë për Tiranën e Korçën, ndërsa Jakov Xoxa me romanin “Lumi i vdekur”, përjetësoi myzeqarët e butë e mikpritës, duke shtuar galerinë e karaktereve në letërsinë shqipe. Jakov Xoxa gdhendi një vepër epope për dashurinë për njeriun, për dashurinë për jetën”, shkroi ministrja Margariti.
Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët deri më 30 maj 2023.
Jetëshkrimi i autorit Jakov Xoxa
Jakov Xoxa u lind në Fier më 15 prill 1923. Vitet e para të shkollimit i ndoqi në qytetin e lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në Tiranë pas çlirimit. Ai kreu studimet e larta për filologji jashtë shtetit, të cilat i përfundoi në vitin 1952.
Punën e nisi në ish-Institutin e Shkencave, bashkë me figura të njohura të gjuhësisë, letërsisë, historisë etj. Jakov Xoxa punoi gazetar e pedagog në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar të Tiranës dhe që nga viti 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e Filologjisë dha lëndën e teorisë së letërsisë. Më vonë, doli në krijimtari të lirë.
Në vitet e para të çlirimit, Jakov Xoxa i ri bashkëpunoi dhe nxori gazetën “Përpjekja e rinisë”. Shpejt nisi të botojë shkrimet e para të tij, si: skica, reportazhe e tregime, me një gjuhë të pasur, të mbështetur në tabanin popullor. Në shkrimet dhe tregimet e tij gjeti pasqyrim myzeqari i thjeshtë e i varfër, por i etur për liri e dituri. Libri i tij i parë, me tregime e novela, doli në vitin 1949 dhe më pas drama “Buçet Osumi”. Krijimet e viteve ’50-të i përmblodhi në librin “Novela” (1958). Po në atë vit doli dhe drama tjetër e tij, “Zemra”. Këtu mbyllet periudha e parë e krijimtarisë së Jakov Xoxës, kur formoi personalitetin e tij. Për tematikën, stilin, gjuhën e rrjedhshme etj., janë pëlqyer për lexuesit tregime të tilla, si: “Kurorat e Masar beut”, “Frika e xha Llukanit”, “Tre pleqtë dhe Mihali katër”, “Gjeti ustai-ustanë”, “Ai që tallej me urinë e tjetrit”, “Kapedani”, “Njeriu, që s’kish parë diell me sy” etj.
Si rrjedhojë e pjekurisë së tij dhe e vullnetit ta pashoq, Jakov Xoxa trajtoi me guxim prozën e gjatë. Kështu, më 1964, botoi romanin, tashmë mjaft të njohur për lexuesit tanë, “Lumi i vdekur”, libër voluminoz, mjaft me vlera për stilin, gjuhën, idetë, këndvështrimin. Është një pasqyrim i gjithanshëm i jetës së thjeshtë dhe të vështirë e tronditëse të fshatarit shqiptar, në të kaluarën.
Ai është mishëruar mjaft bukur përmes figurës së personazheve: Pilo Shpiragu, në fshatin e imagjinuar Trokth, Koz Dynjaja a Kiu Gremi dhe familjeve të tyre. Për këtë roman të bukur e mjaft domethënës për kohën, autori u nderua me “Çmimin e Republikës” të Klasit I. Më tej, duke njohur nga afër dhe në thellësi jetën e njerëzve të thjeshtë të fshatit myzeqar, mblodhi materialin e duhur dhe botoi romanin e tij të dytë, “Juga e bardhë”(1971) dhe më vonë shkroi romanin tjetër të njohur, “Lulja e kripës”(botuar më 1982, pas vdekjes).
Në vitin 1983, vepra letrare e Jakov Xoxës u përmblodh në 6 vëllime. Tre romanet e marra së bashku janë një trilogji, që pasqyrojnë një tablo shumëplanshe të jetës shqiptare, në përgjithësi dhe të Myzeqesë, në veçanti. Ka skalitur një galeri tipesh e karakteresh, si Kiu Korroziu a Peri i Këputur; ka përshkruar mjedise të ndryshme, plot vërtetësi e kolorit.
Jakov Xoxa ishte punëtor i palodhur i krijimtarisë, skalitës i fjalës shqipe dhe stilist i rrallë. Prandaj dhe pati se për çfarë t’u fliste, pedagog i letërsisë shqipe, brezave të studentëve, në auditoret e Fakultetit të Historisë e Filologjisë, të Universitetit të Tiranës. Përveç fjalës së tij tërheqëse dhe të goditur, ai u vuri në shërbim brezave të studentëve tekstin mësimor “Hyrje në shkëncën e letërsisë” dhe më pas “Teoria e letërsisë”(stilistika), kurs teroik e praktik; Tiranë, 1970.
Studiues të ndryshëm e kanë vlerësuar krijimtarinë e J. Xoxës. Jakov Xoxa u largua nga gjiri i shkrimtarëve në një kohë, kur forcat e tij krijuese ishin në lulëzim të plotë. Por, për të gjithë ata, që do të ndjekin rrugën e bukur, po të mundimshme të shkrimtarit, veprimtaria e tij letrare duhet të jetë model i një pune të palodhur dhe me vullnet të madh, i përpjekjeve të ngulmëta për të njohur jetën e popullit të tij dhe për ta paraqitur atë me art mjeshtëror.
Jakov Xoxa vdiq në Tiranë, në vitin 1979, i nderuar dhe i respektuar nga qindra e mijëra kolegë, studentë dhe lexues të veprave të tij. Për kontributin në fushën e mësimdhënies i është akorduar titulli “Mësues i merituar”.
Neritana Kraja