Grupi legjendar “Fisnikët” është një ndër grupet që i ka rezistuar kohërave për më shumë se 4 dekada, që kur ata ishin adoleshentë dhe me po të njëjtin pasion vazhdojnë edhe sot. Djemtë e grupit janë mjaft fisnikë si në jetën e përditshme, në familje, por edhe në art. Një ndër hitet e tyre krijuar 41 vite më parë mban titullin “Zotëria juaj”, ku asokohe ishin anëtarë të grupit, Agim Gërguri (solo kitarist, vokal, kant-autor), Sokol Gashi (bas kitarist), Remzi Halimi (kitarist ndhe vokal) dhe Bedri Visoka (vokal). Ishte periudha kur nisën të lulëzonin me shumë sukses grupet e rrokut si, “Minatori”, “Gjurmët”, “Ilirët”, ndërsa “Fisnikët” e plotësuan kornizën me stilin e tyre të veçantë të të bërit muzikë me rock- akustik. Me largimin drejt emigracionit të disa prej anëtarëve të grupit, Agim Gërguri nuk e la grupin për asnjë moment. Pas vitit 1995 pjesë e tij u bënë, Erzen Bërveniku, Besim Gashi, Fitim Sheholli. Në intervistë për Radio Ejani solisti i grupit Agim Gërguri rrëfen për karrierën e gjatë artistike, çfarë e ka mbajtur këtë grup deri më sot, por edhe planet e Fisnikë-ve për të ardhmen.
Agim Gërguri -Fisnikët (Foto nga instagrami)
CMG: Ju keni mbi 4 dekada që interpretoni në skena dhe live disa herë në javë. Ku e gjeni gjithë këtë energji?
Agim Gërguri: Energjia vjen prej Zotit. Disa gjëra nuk shpjegohen se janë më të forta se ne vetë. Energjia vjen kur e do jetën, kur i do i njerëzit, kur je mirë me veten tënde, aty burion edhe energjia. Kur je mirë me shokët dhe nuk ka probleme. Ne vazhdojmë të interpretojmë, por pjesa më kryesore e kësaj energjie është publiku që vazhdon të na ndjekë në këto 42 vite karrierë që na do dhe na fton për të qenë mbrëmjeve të ndryshme kudo ku ka shqiptarë.
Fisnikët (Foto nga instagrami)
CMG: Në këto 42 vite karrierë muzikore, ti si solist dhe kitarist, e ke mbajtur fort këtë grup që mos të shpërbëhej edhe pse me disa ndryshime tek instrumentistët. Si kanë qenë këto vite për grupin?
Agim Gërguri: Që nga vitet ’80-’85 ne kemi qenë 4 anëtarë unë dhe tre të tjerë të cilët nuk janë sot. Kanë qenë Sokol Gashi bas kitarë, Remzi Halimi kitarë dhe vokal, dhe Bedri Visoka ka qenë vokal. Më pas ishin kohë të vështira dhe muzika nuk ka qenë përfituese, që të fitoje prej muzikës, në atë periudhë gjithçka ishte thjesht për pasion. Dy anëtarë u larguan në emigrim dhe mbeta vetëm me Remziun me të cilin kemi vazhduar deri në vitin ’87 dhe më pas erdhi dhe Besimi që është sot në kitarë ndërsa në vitin ’94 iku Remziu në Suedi. Në këtë periudhë filluam të bënim muzikë nëpër lokale, por me dy instrumenta. Një vit më vonë në një dasmë u njohëm me Erzenin tastieristin, anëtarin tjetër të grupit, të cilin e ftuam duke ushtruar këngët tona dhe duke punuar nëpër lokale live. Ndërsa në vitin 1996 erdhi dhe Fitimi që është saksofonist dhe klarinetist i grupit që nga viti 1996 e deri sot që jemi ky formacion.
Fisnikët (Foto nga instagrami)
CMG: Ti je tekstshkruesi, kompozitori, kitaristi dhe solisti i grupit. Në fillimet e grupit ku ke qenë adoleshent, ti ke krijuar këngë mjaft të bukura, të cilat edhe sot pas 40 viteve këndohen nga të rinjtë. Cila ishte muza e frymëzimit për ty në atë kohë?
Agim Gërguri: Ne dëgjonim shumë “Beatles” me harmonitë e tyre dhe këngët e pavdekshme dhe unë jam munduar që të gjeja formulën që të krijoja këngë, jo t’i kopjoja ata, por të gjeja formulën si kanë vepruar ata. Dhe kam kuptuar se ata kanë krijuar këngë, për t’u dalluar nga të tjerët. Në vitet ’80 filluan grupet e para të rrokut që të regjistronin në studiot e radios në Prishtinë, por tekstet kanë qenë të kontolluara, jo si sot që janë pa kotroll, pa redaktim. Gjithashtu në atë kohë ishin të suksesshëm grupet Ilirët, Minatori, Gjurmët, por ne nuk kishim xhelozi mes njëri- tjetrit, por kishim raporte shumë të mira. Me Shemsiun e grupit Ilirët kisha më shumë muhabet dhe me atë konsultohesha se kush mund të ishte çelësi i suksesit. Kënga e parë që kam kompozuar ka qenë kënga “Gjurma” me tekst nga Dritëro Agolli, që për mua është një nga poetët më të mirë shqiptarë që ka shkruar tekste kaq të bukura dhe kënga e dytë ka qenë “Do të shkrihem, të venitem” me tekst nga Naim Frashëri, një pjesë e nxjerrë nga poema “Bukuria”. Më pas duke menduar se si kanë shkruar këta poetë, fillova të mendoj për të krijuar tekste dhe kështu lindi teksti i këngës “Zotëria juaj”, “Ujku plak” e shumë të tjera.
Fisnikët (Foto nga instagrami)
CMG: Ke qenë adoloshent kur krijove grupin “Fisnikët”. Shumë i ri vetëm 16 vjeç dhe ke menduar për fisnikërinë.
Agim Gërguri: Kur isha i ri unë lexoja shumë libra, jo për të mburrur veten, por më pëlqente që të ushqehesha me leximin dhe sigurisht që të ndihmon shumë si në tekste ashtu edhe në ide. Unë jam i mendimit se leximi është fiskulturë për trurin. Fillova të krijoja këngë, jo si të gjithë, por disi më ndryshe. Më shumë kemi qenë pop sesa rrok. T’ju tregoj diçka përse vazhduam me muzikën pop. Një nga arsyet e forta ka qenë se të blije kitare elektrike, ato kanë qenë më të shtrenjta dhe ne kemi pasur vetëm kitare akustike, kjo ka qenë njëra prej arsyeve. Por kur kam medituar, kam menduar që ti kthehem etno muzikës sonë folklorike shqiptare, në kuadër të saj të kompozojmë këngë të cilat i pranon populli. Një mënyrë mjaft e mirë për të qenë sa më pranë popullit, për këtë arsye kam dalë nga rroku, në muzikën pop, sepse këngët qytetare i do populli. Janë ato këngë që do të mbesin, mund ta kthejmë edhe popullore apo qytetare të vjetër. Edhe Beatles nuk kanë qenë rrok, po prej Rock ‘n Rroll-it kanë dalë në pop-rrok që për ta ka qenë e veçantë. Dhe unë ndaj të njëjtin mendim.
CMG: Ti ke kryer studimet për pikturë dhe është ky profesion që të ka shoqëruar bashkë me pasionin për muzikën. Ku e ndjen ti veten më mirë për të krijuar, cila të frymëzon më shumë muzika apo piktura?
Agim Gërguri: Profesionin e pikturës e kam me diplomë, muzikën e kam pasion, por në grup kemi Besim Gashin, i cili ka studiuar për muzikë dhe për harmonitë e këngëve konsultohem më Besimin. Piktura është profesion, më pas jam specializuar për restaurimin e pikturave ku kam ndenjur dy vite në Tiranë, që kam kryer studimet në vitet 2007-2009. Kanë ardhur specialistë nga Unesco, me të cilët kemi marrë pjesë edhe në restaurimin e pikturave të shumta që janë në muzeun e Tiranës, por edhe ato që janë në Kishën e Shën Koll-it që janë në Kalanë e Beratit, janë pikturat e Onufrit që i kemi restauruar. Por më së shumti sidomos vitet e fundit jam marrë me muzikë.
Fisnikët (Foto nga instagrami)
CMG: Cila të jep më shumë kënaqësi muzika apo piktura?
Agim Gërguri: Të dyja ecin njësoj. Ka dashtë Zoti që mi kanë dhënë këto talente dhe i respektoj.
CMG: Ju si grup muzikor i keni dhënë një mbështetje të madhe edhe artistëve të rinj, ku keni patur disa bashkëpunime. Keni realizuar këngë me këngëtarin Hekuran Krasniqi, Ertila Koka, Eni Koçi etj.
Agim Gërguri: Unë i pranoj ftesat e tyre, por më së shumti kur i dëgjoj si këndojnë. Nëse këngëtarët dinë të këndojnë, atëherë unë kam bërë bashkëpunime me ata që janë talente. Të gjithë mund të kenë dëshirë për bashkëpunime, por nuk mund të bashkëpunoj me të gjithë se këngëtarë, për mendimin tim nuk janë këngëtarë ata që nuk dinë të këndojnë, që për fat të keq ka shumë. Për këtë arsye edhe unë i zgjedh këngëtarët me të cilët bashkëpunoj.
CMG: Cilin e sheh si bashkëpunimin më të arrirë?
Agim Gërguri: Më të suksesshmin që kemi pasur ka qenë bashkëpunim me këngëtarin Hekuran Krasniqi me këngë “Ajo më mbyti” ku unë shkruajta tekstin. Kjo është një këngë që i gjithë publiku e këndon nëpër koncerte dhe live të ndryshme.
Fisnikët në koncert në Tiranë (Foto nga facebook)
CMG: Kënaqësia më e madhe është kur brezi juaj që ju ka ndjekur që prej fillimeve vazhdon t’ju ndjekë, apo kur sheh të rinjtë që këndojnë “Zotëria juaj”?
Agim Gërguri: Të dyja janë kënaqësi. Patjetër që është kënaqësi kur shoh çifte të gjeneratës tonë që na ndjekin dhe unë e di pse kanë ardhur, sepse na kanë ndjekur gjithmonë, por më shumë kënaqësi është kur vijnë e na ndjekin të rinjtë që kanë lindur shumë vite pas krijimeve tona. Një ditë isha në kalanë e Krujës dhe erdhi një vajzë rreth të njëzetave dhe më tha “A mund të bëjmë një fototgrafi, se dua t’ja tregoj babit kur të kthehem në Nju Jork, sepse ai ka qenë fansi juaj i madh, por edhe neve na ka rritur me këngët tuaja”. Më erdhi shumë mirë dhe është një sukses për ne, kur vijnë e na ndjekin edhe të rinjtë.
CMG: Si po ecën grupi Fisnikët nga ana e krijimtarisë muzikore, a keni ende këngë të pa publikuara, apo duhet ende kohë për frymëzim?
Agim Gërguri: Kam shumë melodi të cilat presin t’i shkruajmë tekstet. Nuk dua të bëj tekste sa për të kaluar rradhën, por mendohem shumë kur shkruaj, pasi duhet të ketë përmbajtje, fabul, etj. Për shembull kënga “Zotëria juaj” mund të bëhet edhe film nesër, “Ujku plak” mundesh ta bësh roman. Me pak fjalë mund të tregosh shumë gjëra brenda një kënge dhe kjo nuk është e lehtë. Unë kur shkruaj tekste gati 10-15 faqe, heq diçka e zëvendësoj deri sa arrij në përfundim.
CMG: Muza e frymëzimit për të krijuara tekste është në periudha të vështira të jetës apo të bukura?
Agim Gërguri: Kjo varet, ka patur tekste si “Ajo më mbyti”, të cilën unë e kam shkruar për dy ditë, këngën “Kur të vjen pleqëria” e kam shkruar për 6 muaj, etj me rradhë. Kur nuk më vjen idea unë e lë, nuk e vazhdoj, nuk e bëj me zor tekstin, dua ta shkruaj me qejf dhe kur nuk më vijnë idetë e lë qoftë edhe një vit derisa më vjen idea se si ta realizoj. Ka pasur raste që jam zgjuar në 3 të natës nga gjumi dhe e kam shkruar tekstin, pra nëse e kam kërkuar gjatë ditës e s’më ka ardhur idea, ndodh që mendimi më vjen natën dhe çohem menjëherë e shkruaj.
CMG: Çfarë ka lënë gjurmë në grupin Fisnikët në këto 4 dekada?
Agim Gërguri: Mund të them se kanë kaluar kaq shpejt, ka pasur momente shumë të bukura si çdo njeri. Do veçoja vullnetin e madh për punën dhe dashurinë ndaj muzikës. Më kthehet ajo energjia e viteve ’80, po më pak tani.
Agim Gërguri -Fisnikët në intervistë për CMG
CMG: Cili është sekreti i jetëgjatësisë së grupit tuaj legjendar Fisnikët?
Agim Gërguri: Për të qenë lider, duhet të punojë truri më mirë, duhet kuptuar, ku është dhimbja e grupeve që shpërbëhen?! E para arsye që shpërbëhen janë paratë pika kryesore. Nëse ne shkojmë në një mbrëmje ne si grupi Fisnikët jemi të barabartë, të gjithë lodhemi njësoj edhe paratë i ndajmë në pjesë të barabarta. Pra duhen mbajtur njerëzit afër vetes me politikë të mirë e me diplomaci.
CMG: Kur do e shohim grupin Fisnikët me një këngë të re, nga ato që ju identifikojnë si grup muzikor?
Agim Gërguri: Si fillim i kam premtuar një bashkëpunim një artistit të ri, djalit të anëtarit të grupit tonë. Melodinë e kam kryer une, për tekstin jam në pritje. Kanë ardhur kohë të tjera, shumë të rinj shohin telefonat celular dhe nuk shohin se ka ardhur pranvera, kanë çelur lulet, etj. Për çfarë të shkruash në këto kohë? Unë kam bërë një studio timen dhe sa herë që kam kohë të lirë, unë punoj në studio.
CMG: Këtë vit do vini me një material të ri?
Agim Gërguri: Patjetër që duhet të vijmë, sapo të bjerë pak intensiteti i koncerteve, do ulem në studio dhe do punoj. Sepse krijimtaria është CV-ja e çdo artisti kur publikon albume. Këtë u them edhe këngëtarëve të rinj, mund të bëhesh i njohur, mund të bësh shumë koncerte, por albumi është CV-ja jote. Kudo që të shkosh do të pyesin; A ke album muzikor?
CMG: Keni lënë gjurmë tek populli shqiptar dhe suksesi më i madh është që sot ju ndjekin edhe të rinjtë. Ju uroj shëndet dhe grupi “Fisnikët” të ketë sa më shumë jetëgjatësi dhe suksese në vazhdim!
Intervistoi: Sava Lena