Rigjallërohet shpejt turizmi në Kinë
2023-04-24 18:16:57

Krahas rritjes së temperaturës, shtohet edhe “nxehtësia” e tregut turistik në Kinë. Në pranverën e parë pas heqjes së kufizimeve të COVID-19, udhëtimet ndërrajonale dhe ato ndërkufitare po rigjallërohen në mënyrë të qëndrueshme.

Qyteti Saya, provincë Hai'nan(Foto:VCG)

Qyteti Saya, provincë Hai'nan(Foto:VCG)

Në prag të pushimit treditor me rastin e 1 Majit, të dhënat nga platformat elektronike kryesore për rezervimin e shërbimeve turistike tregojnë se kërkesat e banorëve priten të çlirohen në mënyrë të vrullshme gjatë kësaj periudhe.

Për shembull, deri më 21 prill, vëllimi i rezervimit të biletave të udhëtimeve ajrore në Trip.com për fluturimet e brendshme ishte sa niveli i vitit 2019, d.m.th, para rënies së epidemisë, ose 7 herë më shumë se sa një vit më parë. 

Një karakteristikë e dukshme e bumit të kësaj here për sektorin turistik është rritja e udhëtimeve në distancë të gjatë. Pas heqjes së masave të kontrollit epidemik, më shumë banorë duan të udhëtojnë më larg për eksperienca të reja. Porosi të tilla në platformën elektronike Mafengwo zunë mbi 80 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shërbimeve. Qytetet si Sanya, Kunming, Chengdu, Chongqing, Guiyang etj., radhiten ndër destinacionet më të pëlqyera për udhëtime në distancë të gjatë. Ndërsa kërkesat për provincat Yun’nan, Hainan, Sichuan, rajonin Xinjiang etj., u shtuan 15 herë. 

Duke shfrytëzuar pushimin, më shumë prindër zgjedhin të bëjnë turizëm bashkë me fëmijët, gjë që ka çuar në mbarimin e shpejtë të rezervimit të biletave për parqe tematike, kopshte zoologjike dhe muze të vendit. Operatorët e ndryshëm të tregut kanë nxjerrë produkte të reja, duke kombinuar udhëtimet me praktika dhe eksperienca të profesioneve të ndryshme, si zejtari, mbjellje orizi etj., duke tërhequr shumë familje të marrin pjesë.

Qyteti Chongqing(Foto:VCG)

Qyteti Chongqing(Foto:VCG)

Përsa u përket rajoneve, provinca Shandong është bërë një ndër destinacionet më të pëlqyera për turizmin e brendshëm. Rezervimi i hoteleve atje është rritur 400 për qind në krahasim me vitin 2019. Qyteti Zibo i kësaj province, për shkak të shishqebapit karakteristik lokal, ka tërhequr mbi 800 për qind më shumë vizitorë se sa në vitin 2019. Shumë njerëz madje kanë udhëtuar me automjete private, duke përshkruar mbi 1.000 kilometra për të provuar shishqebapin e këtij qyteti të vogël.

Nën “ethet” e fundit të turizmit të kësaj periudhe nuk mungojnë pa dyshim vizitat jashtë vendit. Sipas të dhënave nga platforma të ndryshme, Maldivet, Tajlanda, Singapori, Zelanda e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezia, Egjipti, Malajzia etj., janë më të parapëlqyerat.

Gjithashtu, edhe rajonet Hong Kong e Makao, me ngjyra të theksuara ndërkombëtare, kanë tërhequr mjaft turistë nga pjesët e brendshme të vendit.

Ndërsa mes vendeve evropiane, Spanja, Portugalia, Zvicra, Franca e Italia, me peizazhe dhe kultura të pasura, kanë ofruar produkte të larmishme, duke pasuruar alternativat e turistëve kinezë. Gjithashtu, edhe rezervimet e udhëtimeve për në Serbi, Hungari, Gjeorgji etj., kanë patur rritje.

Drejtori i Akademisë së Turizmit të Kinës Dai Bin vuri në dukje se turizmi është një ndër sektorët e rëndësishëm të konsumit, i cili jo vetëm mund të favorizojë zhvillimin e shpenzimeve për ushqim, akomodim, shitje me pakicë etj., por mund të nxisë edhe investimet në projekte të ndryshme respektive, gjë që është në të mirën e rritjes së ekonomisë kombëtare.

Rajon Autonom Xinjiang-Ujgur(Foto:VCG)

Rajon Autonom Xinjiang-Ujgur(Foto:VCG)

Për të shfrytëzuar këtë prirje të tregut, qeveritë e krahinave të ndryshme kanë marrë një sërë masash, si subvencione për investitorët apo mbështetje politike ndaj risive turistike, me shpresën që të sigurojnë zhvillim të vazhdueshëm të këtij sektori në krahinat e tyre.

Qendra statistikore e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kinës parashikoi se numri i udhëtimeve turistike do të arrijë në 4.55 miliardë gjatë këtij viti, shifër kjo 80 për qind më e lartë në krahasim me nivelin e 2022-it, duke gjeneruar afro 4 trilionë juanë të ardhura, ose 95 për qind më shumë në bazë të vëllimit të një viti më parë.