Kina u ka dhuruar mostra hënore Rusisë dhe Francës
2023-04-24 20:14:45


Foto nga VCG

Në ceremoninë e nisjes së veprimtarisë "Dita e Hapësirës e Kinës" për vitin 2023, Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës njoftoi se Kina u ka dhuruar mostra hënore Rusisë dhe Francës.

Në këtë prill, gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Kinë, pala kineze i dhuroi palës franceze 1.5 gram mostra hënore për përdorim shkencor. Më 4 shkurt 2022, kur presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Kinën, Kina i dhuroi Rusisë 1.5 gram mostra hënore për përdorim shkencor. Në mars të vitit 2023, gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Moskë, Rusia i dhuroi Kinës 1.5 gram mostra hënore për përdorim shkencor.

Mostrat hënore që Kina u dhuroi Francës dhe Rusisë janë mostra të gërmuara dhe mostra sipërfaqeje të marra nga misioni kinez “Chang'e-5” në dhjetor 2020. Mostrat hënore që Rusia i dha Kinës janë nga mostrat e gërmuara nga misioni “Luna-16” në vitin 1970.

Në dhjetor 2020, Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës publikoi "Masat për administrimin e mostrave hënore" për të inkurajuar kërkimin mbi mostrat hënore dhe për të promovuar ndarjen e rezultateve shkencore. Deri tani, shkencëtarë nga Australia, Rusia, Franca, ShBA-ja, Anglia, Suedia etj. kanë marrë pjesë në studimin shkencor të mostrave hënore kineze.  (Çang Çuo)