Ekspertët: Kina është partner i përsosur me Spanjën dhe Europën për bashkëpunimin shkencor
2023-04-23 18:21:09

CFP

CFP

Kina është një partner i përsosur për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik me Spanjën dhe Europën, thanë ekspertët në një tryezë diskutimi të organizuar nga “Casa Asia” dhe Instituti Konfuci në Barcelonë.

Në kuadër të 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Kinë-Spanjë, paneli me temën “Korniza e re europiane për bashkëpunim në shkencë, inovacion dhe teknologji me Kinën” analizoi se si të dy palët mund të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre në shkencë, teknologji dhe inovacion, shkruan “Xinhua”.

“Me Kinën, Europa kërkon një strategji më të hapur të bazuar më shumë në bashkëpunim me përfitim reciprok dhe zhvillimi i madh shkencor që kemi parë në vitet e fundit në Kinë e bën atë partnerin e përsosur për institucionet në Europë dhe Spanjë”,- deklaroi shefi për Shkencën dhe Teknologjinë në Spanjë dhe drejtori ekzekutiv i “SciTech DiploHub”, Alexis Roig.

Paneli diskutoi për bashkëpunimin në fusha të shumta, duke përfshirë fushën e shëndetësisë, pasi Kina është lider në këtë sferë, dhe Spanja, veçanërisht Barcelona, është bërë një qendër për jetën dhe bioshkencat. Një tjetër fushë kyçe e diskutuar ishte energjia.

“Europa e merr shumë seriozisht tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e teknologjisë dhe njohurive në këtë sferë. Kina po investon shumë në këtë sektor. Ka projekte bashkëpunimi që lidhen me këtë, por edhe lëvizshmërinë, shkrirjen bërthamore dhe mënyra për të na siguruar energji të gjelbër dhe të pakufizuar”, shtoi Roig.

Sipas tij, bashkëpunimi mes BE-së dhe vendeve të tjera është thelbësor nëse duhet bërë përparim i ri. Kina është një lider global në kërkimin dhe inovacionin dhe bashkëpunimi me vende të tilla është thelbësor”,- tha Aida Diaz, eksperte për politikat ndërkombëtare.

Ndër temat e diskutuara ishte edhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në kuadër të “Horizon Europe”, nisma kryesore e kërkimit shkencor të Bashkimit Europian, e cila zgjat nga viti 2021 deri në vitin 2027 me një buxhet prej 95.5 miliardë euro (rreth 104 miliardë dollarë amerikanë).

“Në 10 vitet e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm, por ka ende shumë për të mësuar në mënyrë që të njihemi më mirë, të krijojmë ura dhe lidhje dhe që studiuesit nga të dyja palët të krijojnë kontakte dhe t'i çojnë gjërat më tej”,- shtoi Diaz. (Irma)