Insinuatat e G7 nuk mund të errësojnë arritjet e Kinës, autoritetin në rritje të saj në botë
2023-04-23 15:26:05

Kur pritej nga popujt e botës që vendet anëtare të Grupi të te Shtatëve (G7) të  ofronin alternativa konkrete të prekshme për veprim në takimin e vjetor të shefave të diplomacisë për të kapërcyer krizën më të rëndë globale, që ka mbërthyer botën në këto 100 vitet e fundit, duke goditur popujt e varfër që po bëhen më të varfër, një komunikatë e lëshuar prej këtij grupimi i kumtoi njerëzimit se e kishin ‘zbuluar’ shkakun e te keqes: “kërcënimet, shtërngimi, frikësimi ose përdorimi i forcës" nga ana e Kinës në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, veçanërisht ndaj ishullit të Tajvanit, pjesë territoriale e Republikës Popullore të Kinës. Ky dallonte ndër deduksionet kryesore të ministrave të jashtëm pjesëmarrës në takimin e G7, të paktën e shpallur në komunikatën prej rreth 10.000 fjalësh, e lëshuar prej tyre në mbyllje të Samitit të radhës, në Karuizawa, Japoni (10-21 prill 2023). Ajo tingëllonte më shumë si ‘komunikatë lufte’ e hartuar nga gjeneralë të Pentagonit me thirrjen histerike për nje ‘front antikinez’ se sa si dokument përmbyllës i një takimi serioz që në rend të ditës presupozohej të kishte një platformë të qartë dhe konkrete për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike globale, duke dhënë alternativa për zgjidhje konkrete e të shpejta, kur alarmi është dhënë - kriza mbarë botërore po e kalon pragun e saj dhe vazhdimi i luftës në Ukrainë po rrezikon përfshirjen më të madhe të Europës e mbarë botës në konflikt.   

Foto:VCG

Foto:VCG

Si në evente të mëparshme të këtij formati SHBA e drejtoi tematikën e takimit, që i parapriu Samitit të Nivelit të Larte që do të mbahet në muajin maj në Hiroshima, në rrjedhën antikineze, duke imponuar shprehjen nga të gjithë pjesëmarrësit në unison të nevojës për krijimin e një fronti të përbashkët ndaj atyre që u quajtën "kërcënime, shtërngimi, frikësimi ose përdorimi i forcës kineze në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, veçanërisht ndaj Tajvanit”.

Megjithëse nuk tingëllon si retorikë e re se në fund të fundit hartuesit e saj janë të njëjtit - strategët amerikanë - e reja qëndron se tashmë po krijohet publikisht një imazh tjetër  amerikan si i ashtuquajtur G1 në Grupin e të Shtatëve, duke e zhveshur më shumë atë grupim edhe nga ata elementë bazë për të cilat u krijua në vitin 1973 në kulmin e Luftës së Ftohtë midis SHBA dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Atëherë platforma e anëtarëve të këtij grupimi të vendeve më të industrializuara të botës - SHBA, Francë, Gjermani, Itali, Britani, Kanada dhe Japoni, paraqitej me misionin e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta të pluralizmit dhe të demokracisë liberale përkundrejt bllokut komunist, i cili, megjithëse më i dobët ekonomikisht por i fuqishëm ushtarakisht, gjithashtu kishte krijuar mekanizmat e veta ekonomiko-politiko-ushtarake. Edhe atëherë violinë e parë ishte Uashingtoni, madje edhe në kohën e detantës midis dy superfuqive, SHBA e ish-Bashkimi Sovjetik, por kishte përpjekje, që mekanizmave të tillë si G7 tu vishej petku politiko-ekonomiko-social. Madje bëheshin përpjekje që G7 të paraqitej si platformë e hapur edhe për vende të tjera që po forcoheshin ekonomikisht në atë kohë. Në këtë frymë fuqi rivale si ish- Bashkimi Sovjetik ka qenë e ftuar në punimet e disa samiteve në harkun kohor të viteve 1997 – 2014. 

Por çfarë të tërheq vëmendjen kur shkon nga fundi i komunikatës prej rreth 10.000 fjalësh të takimit të 49-të të botuar në websitin e Departamentit amerikan të Shtetit jo pa habi zbulon se e gjithë bota, të gjithë vendet e popujt në të katër anët e globit tokësor, janë në fokus kritik, gati-gati fajtor për gjendjen e sotme të botës, veç elitës perëndimore që del se nuk ka asnjë përgjegjësi për krizën globale. Janë të kota përpjekjet për të gjetur në dokument ndonjë grimcë diskordance midis vendeve anëtare për asgjë lidhur me krizën globale e rrugët për ta përballuar atë, dhe lihet të hamendësosh se një harmoni e paparë mbizotëron në G7.

Prandaj ky shikim bardh e zi i botës nga ‘elita’ ka bërë që autoriteti i G7 në komunitetin ndërkombëtar të bjerë ndjeshëm, dhe jo vetëm politikisht, por edhe nga ana ekonomike. Rënien e autoritetit të saj e dëshmon realiteti i sotëm. E konkretisht  kur u krijua në vitet 1970, vendet e G7 përbënin 70 për qind të ekonomisë globale, kurse tani kjo pjesë ka rënë në rreth 40 për qind. Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, nga viti 2013 deri në vitin 2021, kontributi total i vendeve të G7 në rritjen ekonomike globale është më i vogël se ai i Kinës e llogaritur vetëm. Përfaqësueshmëria e G7 për sa i përket popullsisë është edhe më e vogël, pasi vendet anëtare të saj përbëjnë më pak se 10 për qind të popullsisë së botës.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Wang Wenbin(Foto:MPJ)

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Wang Wenbin(Foto:MPJ)

Mpakjen e G7 e bëjnë më të dukshme krijimi i grupimeve të mirëfillta të bashkëpunimit ekonomiko-financiar sikurse është rasti i BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), mekanizëm që promovon paqen, sigurinë, zhvillimin dhe bashkëpunimin global, i cili tani kontribuon më shumë në PBB-në botërore sesa vendet e industrializuara të G7. Vendet e BRICS e kaluan G7 në 2020, duke zënë një pjesë më të madhe të PBB-së globale në terma PPP, me Kinën dhe Indinë përkatësisht në pozicionet e dyta dhe të treta globalisht atë vit. Aktualisht 5 vendet e BRICS kontribuojnë me 31.5% të PBB-së globale, ndërsa pjesa e G7 ka rënë në 30%.  BRICS pritet të kontribuojë me mbi 50% të PBB-së globale deri në vitin 2030, me zgjerimin eventual që e çon atë përpara. PBB-ja e Kinës në fakt e kapërceu atë të Shteteve të Bashkuara në 2015 kur bëhet krahasimi i ekonomive në terma të barazisë së blerjes. (Silk Road Briefing, 27 mars, 2023)

Ndërkohë pandemia e Covid-19 ka shërbyer si një moment vendimtar në disa mënyra, duke përfshirë shënimin e pikës kur dinamika e fuqisë ekonomike globale ndryshoi në favor të vendeve në zhvillim. Të dhënat tregojnë se duke filluar nga viti 2020 vendet e BRICS në tërësi tani kontribuojnë më shumë sa i përket GDP sesa vendet e industrializuara të G7 për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse (PPP).

Ndërsa vendet e G7 kanë qenë historikisht ndër ekonomitë më të mëdha në botë, vendet e BRICS - veçanërisht Kina dhe India - kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë më të populluarat. Ndërsa vendet e G7 përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së botës, vetëm Kina dhe India së bashku përbëjnë rreth 35 për qind të saj.

"Tendenca e ekonomive të tregut në zhvillim ose ekonomive aziatike që shohin aksionet e tyre në rritje ka qenë një prirje shumë më e gjatë, prej rreth tre-katër dekadave", tha Ajit Ranade, zëvendës kancelar i Institutit për politikën Gokhale si dhe ekonomist, analist politik dhe gazetar në Mumbai të Indisë. “Ajo (tendenca) drejtohet kryesisht nga Kina, por edhe nga ekonomitë më të vogla aziatike”, theksoi ai i cituar nga gazeta indiane online The Print më 4 prill 2023.

Edhe pse rritja ekonomike botërore u ngadalësua dhe pasiguritë e jashtme janë bërë më të mëdha, ekonomia e Kinës ka bërë një fillim të mbarë këtë vit. Sipas të dhënave të publikuara më 17 prill nga Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës, PBB-ja u rrit me 4.5% në tremujorin e parë nga viti në vit, 1.6 pikë përqindje më shumë se tremujori i mëparshëm. Besimi i tregut u rrit ndjeshëm, konsumi dhe investimet u rikthyen më fort dhe punësimi dhe çmimet mbetën të qëndrueshme në përgjithësi. Kjo flet për elasticitetin, potencialin dhe vitalitetin e jashtëzakonshëm të ekonomisë kineze, si dhe për bazat e shëndosha që mbështesin rritjen ekonomike afatgjatë, dhe tregon gjallërinë e ekonomisë së Kinës në pranverën e saj.

Momenti pozitiv i rimëkëmbjes ekonomike të Kinës do të thotë më shumë mundësi për botën, e kjo është një e mirë globale për njerëzimin. Në tremujorin e parë, tregtia e Kinës me vendet e ASEAN-it, Afrikës dhe Amerikës Latine u rrit përkatësisht me 16.1%, 14.1% dhe 11.7% nga viti në vit. Tregtia me vendet përgjatë Një Brez, Një Rrugë dhe anëtarëve të organizatës së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) u rrit përkatësisht me 16.8% dhe 7.3%. Perspektiva e fundit ekonomike botërore e FMN-së vlerëson se ekonomia kineze do të kontribuojë më shumë se një të tretën e rritjes globale këtë vit.  

Protesta të banorëve japonezë kundër G7-të dhe luftës(Foto:Xinhua)

Protesta të banorëve japonezë kundër G7-të dhe luftës në vendorganizimin e takimit të minitrave të Jashtëm(Foto:Xinhua)

Sikurse ka vënë në dukje presidenti Xi Jinping, Kina është e përkushtuar ndaj reformave dhe hapjes dhe nuk do t'i mbyllë kurrë derën botës dhe se është e gatshme të punojë së bashku me të gjitha vendet që dëshirojnë të ndjekin bashkëpunimin fitues me të për prosperitet global dhe përparim të përbashkët.

Duke vënë ballë për ballë realitetin e mësipërm me frymën antikineze të komunikatës së fundit të G7 e karakterizuar nga retorika arrogante e ndërhyrjes në punët e brendshme të fuqisë së dytë më të madhe në botë, shpifjet lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Xinjiang, Tibet, e Hong Kong, nuk ka si të mos duket paradoksale, madje hipokrite, deklarimi në komunikatë i nevojës për të punuar së bashku me Kinën për të përballuar sfidat globale, duke përfshirë ndryshimin e klimës, biodiversitetin, sigurinë globale të shëndetit dhe barazinë gjinore.

Megjithatë G1-shi nuk e ka të lehtë të rrjeshtojë të gjithë partnerët e grupimit në frontin antikinez sa i përket politikës së e tyre bilaterale sepse kushtet e reja gjeopolitike në botë, veçanërisht pas krizës kovidiane dhe luftës në Ukrainë, që e kanë acaruar më tej krizën globale, kanë detyruar shumë fuqi perëndimore ti vënë kufij diktatit amerikan. Rasti më i fundit që po komentohet shumë edhe pas Samitit të G7-tës është qëndrimi i Francës.

Kështu thirrjet për unitet kanë marrë goditje nga deklarata e bërë në fillim të këtij muaji prej Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili deklaroi se ishte e nevojshme "autonomi strategjike" evropiane për çështjen e Tajvanit mes frikës se disa mund të tërhiqen në një konflikt midis SHBA dhe Kinës. Kurse në Pekin gjatë vizitës së tij në fillim të muajit prill ai deklaroi në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin kinez Xi Jinping si më poshtë: “Franca është e përkushtuar ndaj një politike të jashtme të pavarur dhe autonomisë strategjike të Evropës, dhe kundërshton nxitjen e konfrontimit, ndarjes dhe rivalitetit të bllokut”.    

Jo se ka ndonjë gjë të re në klishenë propogandistike antikineze të G7 të drejtuar nga ‘G1’ se Pekini edhe mund ta injoronte, por nuk veproi kështu sepse sipas mendimit tim diplomacia kineze iu drejtua atyre fuqive krerët e të cilëve u dyndën në kryeqytetin kinez në harkun kohor mars - prill prej ku u larguan me zotime publike se i përmbahen politikës së “Një Kine”, se nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të këtij vendi, se nuk përkrahin veprimtaritë separatiste të forcave të “pavarësisë së Tajvanit”. Në të njëjtën kohë ata u larguan me marrëveshje të shumta të bashkëpunimit të gjithanshëm me Kinën aq të nevojshme në kushtet e krizës globale.

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Ndërkohë duke hedhur poshtë insinuatat lidhur me çështjen e Tajvanit zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin deklaroi më 18 prill 2023 duke iu drejtuar vendeve anëtare të G7: “Nëse jeni vërtet të shqetësuar për gjendjen në ngushticën e Tajvanit, duhet të zbuloni cili është shkaku rrënjësor i tensionit në këtë zonë”. Sipas zëdhënësit, faktet tregojnë se forcat për “pavarësinë e Tajvanit” në ishull, të toleruara dhe të përkrahura nga forcat e jashtme, kanë nxitur me të gjitha forcat aktivitetet përçarëse, të cilat po dëmtojnë statukuonë në ngushticën e Tajvanit dhe janë shkaku thelbësor i tensioneve në këtë ngushticë.

“Ajo që i duhet botës është respekti i ndërsjellë, pavarësisht dallimeve në ideologji, vlera dhe niveli i zhvillimit, solidariteti dhe përpjekjet e përbashkëta në përputhje me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një komunitet global me një të ardhme të përbashkët”, tha Wang. Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se nëse G7 është me të vërtetë kundër hegjemonizmit dhe kërcënimit, duhet të shikojë brenda vetes dhe të bëjë një reflektim serioz, të sigurohet që ngjarje si pushtimi i Afganistanit, Irakut dhe Sirisë nuk do të ndodhin përsëri, të refuzojë juridiksionin afatgjatë dhe sanksionet e njëanshme dhe të thotë jo ndaj çdo politike që vendos një vend të caktuar në vend të parë në kurriz të të tjerëve. 

Akti final i Samitit të 49-të, që do të luhet në Hiroshima më 19-21 maj 2023 në nivelin më të lartë të vendeve anëtare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian zor se mund të ringrejë themelet e brishta të këtij grupimi se sikurse e dëshmoi takimi i ministrave të jashtëm në prill ai ka devijuar nga roli origjinal si një mekanizëm i koordinimit të çështjeve ekonomike, duke u kthyer në mënyrë të pakthyeshme në një grup që vepron për interesat e veta gjeopolitike, veçanërisht të ‘G1’ (SHBA), e që mban ndezur konflikte e përpiqet të krijojë të reja në rajone të ndryshme të botës.