Besimtarët myslimanë shqiptarë festuan Fitër Bajrami
2023-04-22 16:22:33

Fiter Bajrami (Foto Atsh)

Fiter Bajrami (Foto Atsh)

Besimëtarët myslimanë shqiptarë festuan Fitër Bajramin. Mijëra persona falën namazin mëngjesin e të premtes. Në Tiranë, ceremonia u organizua në sheshin “Skënderbej”, e cila filloi me leximin e Kuranit prej imamit të xhamisë së Et'hem Beut dhe vazhdoi me ligjërata, faljen e namazit dhe hytbe.

Fitër Bajrami shënon edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Kreu i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili mbajti dhe faljen e namazit, uroi të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë dhe bëri thirrje për më shumë solidaritet dhe angazhim për adhurimin e Zotit, përcjell “RTSH”.

“Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Unë personalisht dhe institucioni që drejtoj, jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull. Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta. Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndërfetar. I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen me lejen e Zotit. Për të pasur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë sonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë kudo që ajo ndodhet”, tha kreu i KMSH-së. (Irma)