Shefi i OKB-së bën thirrje për armëpushim 3-ditor në Sudan
2023-04-22 17:16:06

Njerez qe largohen nga Sudani (Foto Shine.cn)

Njerez qe largohen nga Sudani (Foto Shine.cn)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për një armëpushim treditor në Sudan, për të lejuar civilët e bllokuar të largohen.

“Si një prioritet i menjëhershëm, bëj thirrje për një armëpushim për të paktën tre ditë, duke shënuar festimet e Fitër Bajramit, për të lejuar civilët e bllokuar në zonat e konfliktit të largohen dhe të kërkojnë trajtim mjekësor, ushqim dhe furnizime të tjera thelbësore”,- deklaroi ai para gazetarëve në selinë e OKB-së në Nju Jork, citon “Xinhua”.

Sipas tij, ky duhet të jetë hapi i parë në sigurimin e pushimit nga luftimet dhe hapjen e rrugës për një armëpushim të përhershëm.

Guterres tha se ai ka qenë i angazhuar personalisht për të bërë gjithçka që është e mundur për të realizuar një armëpushim të tillë, duke shtuar se ndërprerja e armiqësive duhet të pasohet nga një dialog serioz që lejon një tranzicion të suksesshëm, duke filluar me emërimin e një qeverie civile.

Deklarata e Guterres u bë pasi mori pjesë në një takim të thirrur nga Bashkimi Afrikan mbi krizën e Sudanit, i cili mblodhi së bashku Kombet e Bashkuara, Lidhjen Arabe, Autoritetin Ndërqeveritar për Zhvillimin dhe Bashkimin Europian, si dhe përfaqësues nga një sërë vendesh që janë thellësisht të përkushtuara për zgjidhjen e krizës.

Në takim, pati një konsensus të fortë për dënimin e luftimeve të vazhdueshme në Sudan dhe thirrjen për një ndërprerje të armiqësive, tha ai.

Sipas shefit të OKB-së, qindra njerëz janë vrarë dhe plagosur në luftime dhe operacionet humanitare janë praktikisht të pamundura.

Ai u zotua të vazhdojë të angazhohet, në koordinim të ngushtë me partnerët, për të vendosur një armëpushim, për të ulur tensionet dhe për të nisur bisedimet politike.

“Muaji i shenjtë i Ramazanit ofron një mundësi për të mbajtur një armëpushim. Mendoj se ky është momenti i duhur për ta bërë këtë gjë. Ky armëpushim është absolutisht thelbësor në momentin aktual. Ne kemi qenë në kontakt me palët. Ne besojmë se është e mundur, por të gjithë duhet të jenë të bashkuar për të ushtruar presion që armëpushimi të ndodhë në mënyrë efektive”, tha Guterres. (Irma)