Drejtuesi gjerman: Kompanitë kineze janë konkurruese, të gatshme për të mësuar dhe përmirësuar
2023-04-22 16:49:33

Kompanitë kineze janë konkurruese në tregjet globale dhe janë gjithmonë të gatshme për të mësuar dhe përmirësuar, deklaroi Jochen Koeckler, kryetar i Bordit Drejtues të “Deutsche Messe AG” lidhur me 800 kompanitë nga Kina që morën pjesë në panairin “Hannover Messe 2023”.

Në panairin e konsideruar një nga më të mëdhenjtë në botë u prezantuan mbi 4000 kompani, të cilat paraqitën zgjidhje për prodhimin dhe furnizimin me energji të së ardhmes, shkruan “Xinhua”.

Në tre vitet e fundit, disa kompani kineze nuk mundën të merrnin pjesë në panair për shkak të pandemisë dhe Koeckler u shpreh i lumtur që shihte kthimin e ekspozuesve kinezë në një numër kaq të madh.

Grupi i ekspozuesve kinezë ishte i dyti më i madh këtë vit pas vendit pritës Gjermanisë, i ndjekur nga Italia, Turqia, Shtetet e Bashkuara, Holanda dhe vendi partner i këtij viti, Indonezia.

“Kina është zhvilluar shumë gjatë 10 ose 20 viteve të fundit, veçanërisht në fushat e elektromobilitetit dhe robotikës. Në Hannover, kompanitë nuk po konkurrojnë kundër njëra-tjetrës. Bëhet fjalë për idenë brilante të radhës”,- tha ai.

Duke u fokusuar në transformimin industrial, edicioni i sivjetshëm i panairit përfshiu tema të tilla si prodhimi neutral ndaj karbonit, inteligjenca artificiale, teknologjitë e hidrogjenit dhe menaxhimi i energjisë. (Irma)