Ministria e Financave nisi konsultimet mbi ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit
2023-04-22 17:11:51

Ministrja e Financave dhe Ekonomise Delina Ibrahimaj (Foto Atsh)

Ministrja e Financave dhe Ekonomise Delina Ibrahimaj (Foto Atsh)

Qeveria shqiptare i ka kërkuar Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”. Sipas qeverisë, qëllimi kryesor i nismës ligjore është rikthimi i kategorisë së basteve sportive, vetëm në formën online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperincë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive, shkruan “RTSH”.

Ekzekutivi shqiptar kërkon të garantojë të ardhurave të mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive online për mbështetjen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit.

Ministria e Financave, nën kujdesin e zëvendësministres Vasilika Vjero, ka hapur tryezën e diskutimit me përfaqësuesit e Federatave Sportive mbi këtë draft të qeverisë. 

Zëvendësministrja Vjero iu tha të pranishmëve në tryezën e thirrur prej saj se projekti i qeverisë rikthen bastet sportive në formën online, duke kërkuar të nxisë formalizimin, të garantojë të ardhura si dhe t’i rishpërndajë këto të fundit në funksion të sportit, inovacionit, teknologjisë dhe programe për mbrojtjen e lojtarit.

Ligji i ri është në konsultim publik deri më 4 maj 2023. (Irma)