Jonida Çobani, dashuria për kafshët, yoga dhe paqja me veten
2023-04-21 09:54:37

Jonida Çobani ka një marrëdhënie të veçantë me kafshët, gjë që e ka kthyer në një mision për jetën dhe shoqërinë. E shohim shpesh në dalje mediatike, duke folur mbi rëndësinë e kujdesit ndaj kafshëve dhe mbrojtjes së tyre . Ka qenë një moment delikat në jetën e Jonides që e bëri atë vegane.

Jonida në një emision në Top Channel (Foto TCH)

Jonida në një emision në Top Channel (Foto TCH)

Për më shumë se 10 vite ajo nuk e konsumon mishin në jetën e përditshme.

Ka jetuar për shumë vite larg atdheut dhe tani është rikthyer në Tiranën e saj të zemrës, aty ku miqtë dhe familja zënë vendin më të rëndësishëm në jetën e saj

CMG: Çfarë shihni si reflektim tek pasqyra e vetes suaj?

Jonida Çobani: Shikoj një grua që ka shumë qëllime akoma  për të arritur para se të vdesë.  Shoh një shpirt pjesërisht të ri që është bllokuar në ketë trup të plakur. Shoh dikë që më në fund e ka falur dhe pranuar veten dhe hijet e errëta brenda saj. Ka pasur raste kur kam parë një grua të thyer, e vrarë në atë pasqyrë por megjithatë unë guxova dhe vashdova të shikoja gjithësesi, duke e motivuar veten të vazhdoja, të isha ajo që doja të isha.  Humbas gjurmët ndonjëherë, shpërqendrohem, por kthehem gjithmonë në rrugën e duhur, duke ecur drejt destinacionit tim. Sot jam shumë më afër personit që dua të jem. Unë shoh reflektimin e një gruaje që është bërë më e fortë në vitet që kalojnë. Unë shoh një grua të sigurt, që beson te vetja pavarësisht nga situatat  me të cilat përballet çdo ditë me njohuritë dhe përvojat e saj. Unë do të vazhdoj të rritem. Për mua, pasqyra nuk gënjen kurrë. 

CMG: Kur e keni njohur veten?

Jonida Çobani: Në momentin që bëra pyetjen ‘Kush jam dhe pse kam ardhur ne këtë planet?’, 15 vjet me parë.  Aty ishte momenti kur unë kuptova ëndrrat e mia, dëshirat e mia, atë çfarë dua të bëj dhe çfarë nuk dua të bëj. Aty mu formësua edhe më tepër dëshira për katërputroshët, sepse deri vonë kisha frika nëse mund t’ja dilja. Në atë moshë kuptova se si të sillëm me botën, çfarë të toleroj dhe çfarë jo. Ai moment më ka shërbyer por edhe ndryshuar.

CMG: Si është marrëdhënia që keni me kafshët, çfarë janë ato për ju?

Jonida Çobani: Marrëdhënia me kafshët... Janë modeli që dua të ndjek në jetë. Mësuesit e mi më të mirë, më kanë mësuar të shikoj përtej maskës, të shikoj direkt e në shpirt, e të jem mirënjohëse në jetë, nuk ka rëndësi sa pak apo shumë të mira materiale posedoj, ata gjithnjë më kanë bërë të ndjehem më e pasuara e botës. Ka njerëz, të cilët janë të habitur dhe më pyesin se si funksionon kjo lloj marrëdhënieje, a është e vështirë, a janë të bezdisshme, a kanë shumë shpenzime, e të tjera pyetje si këto dhe unë të gjithave u përgjigjem me: JO! Asgjë nuk është as e vështirë, as bezdisëse, nëse është dashuria në mes. Kjo lloj dashurie që unë kam për kafshët ma kthen gjithçka në diçka të lehtë, argëtuese dhe frymëzuese, njëkohësisht.

Miqtë me 4 putra (Foto Megatek)

Miqtë me 4 putra (Foto Megatek)

CMG: Sa e  bukur është ndjesia e të qenit animalist?

Jonida Çobani: Të jesh animaliste... do të thotë të kesh shpirt, të kesh gjithë planetin, gjithë universin brenda teje, si një vend i sigurt ku çdo kafshë në nevojë do ta gjente një strehë dhe një pjatë të ngrohtë gjithmonë.

Të jesh animaliste do të thotë jo vetëm të kundesesh për kafshët e tua, por të kujdesesh me aq mundësi sa ke edhe për kafshët e tjera, të cilat mund t’i shohësh në rrugë në gjendje jo të mirë. Të jesh animaliste e gjen kohën, duke lexuar dhe studiuar për kafshët. Ti mëson si t’i kuptosh ato, si të flasësh me to, si ta ndjesh kur janë të sëmura apo kanë probleme. Të jesh animaliste është diçka shumë e bukur, që unë mbaj me krenari si titull.

CMG: Cila është dieta juaj, duke marrë parasysh që jeni vegane?

Jonida Çobani: Mundohem që ushqimi të jetë ilaçi im. Dieta ime janë frutat, çdo perime apo produkt që kryen fotosintezën.  Ujë të gjallë, të cilin e marr si energji  çdo herë që e pi. Nuk harroj të jem mirënjohëse për Zotin, njerëzit, dhe natyrën që e bëri të mundur të ushqehem me pasuritë e saj dhe të ndjejë shpirtin e këtij planeti.

Siç thotë shprehja: dua që pjata ime të ketë sa më shumë ngjyra, sa më shumë prodhime të tokës, sa më shumë ushqim të shëndetshëm. Jam shumë larg ushqimeve industriale dhe të paketuara apo konservuara. Mundohem të shkoj gjithmonë  rreth produkteve bio, të cilat e bëjnë organizimin tonë më të fortë dhe më të shëndetshëm. Dhe siç e thashë më lart: ujë, shumë ujë. Uji është gjithmonë me mua, në çdo ditë sepse përmes tij marr energji dhe jetë.

CMG: Cilat janë pikat e forta në karrierën tuaj?

Foto:VCG

Foto:VCG

Jonida Çobani: Karriera ime?? Nga interior design në SHBA tek instruktore e jogës në Tirane. Jam shumë mirënjohëse për këtë tranzicion. Joga për mua është një mision dhe jam me fat që mund të përçoj dritën time për të ndezur shpirtin dhe dritën e të tjerëve.

Ky ka qenë një transformim i asaj që unë bëj dhe për ketë arsye më duket sikur jeta ime ka ndryshuar, si vend dhe si profesion.

CMG: Aktualisht që flasim cila është nota që do i vendosje jetës?

Jonida Çobani:  Do thosha një 10 të madhe. E kam shtëpinë plot.  Nganjëherë edhe rrëmuja, zhurma, lodhja dhe përgatitjet për t’i mbajtur sa më mirë më bëjnë të jem e lumtur, e kënaqur dhe e gëzuar. Përzgjedhja e ushqimeve për to, ditët me mot me diell kur i nxjerr në shëtitje, një bisedë në rrugë me një animaliste tjetër janë disa prej momenteve që shijoj më shumë. Pastaj jam e rrethuar me 9 shpirtra me putra, jam vërtetë në dorë të sigurt.

 Që kam qenë e thyer dhe viktimë, e humbur ne garën e mijve dhe mendoja që lumturinë do ta gjeja tek paraja, pushteti apo  pasuria, duke u zhgënjyer, derisa  kuptova që lumturia ishte brenda meje. Ajo ishte thesari që prej kaq shumë  vitesh po mundohesha ta gjeja jashtë meje, ndaj i jam mirënjohëse që Universi e bëri të mundur të me tregojë sekretin. Kjo lumturi që unë ndjej më ka shërbyer si mburojë edhe në çaste të trishtuara, të cilave normalisht, njeriu në jetë nuk u ikën dot, janë pjesë e pandashme e saj. Sidoqoftë kjo gjendje më ka bërë të kuptoj se sa e mrekullueshme është jeta, sa shumë gjëra kemi për t’u gëzuar.

CMG: Cilët janë njerëzit që ju përmbushin në jetën tuaj?

Foto:VCG

Foto:VCG

 Jonida Çobani: Bashkëshorti, mami, motrat, engjëjt me 4putra..., pa të gjithë këta nuk do të ishte dot e mundur.  Ata gjithmonë i kanë përkrahur dëshirat e mia edhe nëse dikush tjetër mund të kishte pasur hezitim ose paragjykim, ata kurrë nuk e kanë bërë këtë gjë. Kanë qenë me mua në fillimet më të vështira derisa e bëra realitet dëshirën që e kam patur prej shumë e shumë kohësh.

CMG: A keni një mesazh për të gjithë të rinjtë që kanë humbur busullën e orientimit?

Jonida Çobani:  Që asnjëherë mos hiqni dore nga ëndrra juaj,  sado e largët mund të duket. Mos e shpërdoroni këtë kohë që po jetoni në këtë planet të mrekullueshëm për t’u rritur dhe për të guxuar! Të jetosh maksimumin tënd, që një ditë në orët e tua të fundit të këtij udhëtimi tokësor të mos kesh pishman, kur kthen kokën pas.

Dhe diçka tjetër... Kurrë mos u bë arsyeja që dikush të dridhet nga frika, të tmerrohet nga dhimbja, vuajtja para teje, kjo do ishte një dështim i madh!

Intervistoi Megi Latifi