Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar
2023-04-21 09:34:12

Vazhdojnë përgatitjet dhe përzgjedhja e grupeve që do të marrin pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar, që do të zhvillohet në kalanë e Argjirosë. Grupet folklorike të njësive të Gjirokastrës morën pjesë në Festivalin Folkorik të bashkisë, ku u organizuar një event i cili i paraprin organizimit për Festivalin Folklorik Kombëtar që do të mbahet këtë  verë në skenën e festivaleve, në kalanë e Argjirosë. Festivali Folklorik i bashkisë së Gjirokastrës ka mbledhur më shumë se 80 artistë të cilët vinin nga shtatë zona etnografike dhe sollën si prurje rite të dasmave, vajit, kurbetit, vallet e fëmijëve dhe të rinjve, polifoninë e qytetit dhe një larmi prej më shumë se 20 kostumesh kombëtare. Në skenë u ngjitën grupet e tyre përfaqësuese përkatësisht nga 7 njësitë administrative të bashkisë së Gjirokastrës.  Risi e festivalit këtë vit është se bashkon të gjitha grupmoshat, nga fëmijët te të moshuarit. Ishin të shumtë pjesëmarrësit, madje edhe ata që janë larguar nga Gjirokastra, këtë herë janë kthyer në qytetin e tyre duke sjellë traditën që e kanë ruajtur me fanatizëm. Shumë këngëtarë janë shprehur për mediat se i kishte marrë malli për festivalin, pasi për ata që e njohin polifoninë, festivali folklorik është një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore.

Një grup i disa vajzave nga Lazarati, të cilat sollën në atë skenë këngë dhe valle u shprehën për mediat: “Ne jemi për herë të parë në Festivalin Folklorik dhe përfaqësojmë fshatin Lazarat nga shkolla “Muhamet Gjollesha. Ne sot kemi sjellë ritin e dasmës, në të cilin unë jam marrësja e këngës dhe udhëheqësja e valles” ka theksuar për mediat njëra nga vajzat e grupit të të rinjve.

Tashmë kanë nisur edhe punimet për realizimin e kështjellës së Argjiros, ku do të mbahet ky aktivitet i rëndësishëm kulturor.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në muajin qershor dhe në skenën e kalasë do të ngjiten grupe nga të gjitha qytetet e vendit. Festivali kthehet pas 8 viteve mungesë.

Në takimet që kanë zhvilluar grupet e punës të njësive administrative Antigone, Cepo, Lunxhëri, Lazarat, Odrie dhe Picar është diskutuar për përzgjedhjen e krijimtarisë folklorike, të artistëve popullorë dhe veshjeve tradicionale të këtyre zonave. Në skenën e Festivalit Folklorik të bashkisë Gjirokastër paraqiten vlera të folkut dhe etnografisë, që përfshihen në prezantimin e qarkut Gjirokastër në Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili këtë vit rikthehet në muajin qershor.

Traditën e vërtetë ky lloj aktiviteti artistik kombëtar e krijoi në vitin 1968, kur në emërtimin e tij u përfshi edhe emri i qytetit organizator, pra zhvilluar në qytetin-muze të Gjirokastrës, i cilësuar nga UNESCO-ja  pasuri kulturore e njerëzimit, i cili u quajt Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës dhe që është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale. Që nga ajo kohë, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet. Vitet ’70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur. Pjesëmarrja në festival është e gjerë dhe përfshin grupe folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, arbëreshët, arvanitasit, apo diaspora së largët.

Qëllimi kryesor i këtij festivali është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Ky festival ka si qëllim të mbrojë, të promovojë dhe të popullarizojë në publikun e gjerë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh. Gjithashtu sjelljen në vëmendje të krijimeve të lashta, por gjithmonë duke ruajtur origjinalitetin e tyre. Përveçse është me rëndësi për traditën dhe kulturën, ky organizim sjell edhe zhvillim për turizmin, pasi tërheq vizitorët e shumtë që vizitojnë Gjirokastrën gjatë periudhës së verës.

Kalaja e Gjirokastrës mbetet e preferuara, për t'u vizituar nga grupet vendase e të huaja,  por një gjallëri të veçantë këtë vit do t'i japë edhe organizimi i Festivalit Folkorik Kombëtar. Kur thuhet Gjirokastër, mendohet dhe “Festivali Folklorik Kombëtar”, kjo pasi në këtë qytet zhvillohet tubimi më i madh mbarë kombëtar i muzikës popullore tradicionale dhe njëkohësisht festivali i entografisë, kulinarisë, zejtarisë dhe zakoneve të shqiptarëve ndër shekuj.

Sava Lena