Foto nga Xinhua
Artikujt e vjetër me një gjurmë të dukshme të kulturës tradicionale kineze, si dritaret e çuditshme, ekranet dhe dërrasat ku laheshin rrobat, janë bërë bartës të ideve të reja krijuese të artistëve italianë. Në ekspozitën njëmujore të artit bashkëkohor "Pika e lidhjes" në komunën Chongqing të Kinës Jugperëndimore, dhjetëra vepra arti që ndërthurin kulturën tradicionale kineze dhe dizajnin e modës italiane kanë tërhequr adhuruesit e artit në qytet.
Duke dekoruar me mbishkrime sendet e hedhura, një numër artistësh italianë po injektojnë vitalitet me një prekje moderne në kujtimet e vjetra.
E ndarë në gjysma, një dritare e vjetër prej druri tani paraqitet me një luftëtar të armatosur dhe një princeshë të kurorëzuar, të zakonshme në operën italiane, në njërën anë dhe në anën tjetër është pikturuar një aktore tipike dhe një aktor i moshuar nga opera e Pekinit.
Një përplasje e tillë e elementeve kulturore të ndryshme, por në dukje të ndërlidhura, është një temë e zakonshme në ekspozitë.
Kjo vepër arti quhet "Opera" dhe është krijim i Barbara Vaccaro, e cila ka lindur në vitin 1975 dhe vjen nga Siçilia e Italisë. Ajo është e përkushtuar të tregojë lidhjet e fshehura midis Kinës dhe atdheut të saj, duke përdorur sende të përditshme që nuk përdoren, prodhohen apo nevojiten më nga banorët e Shangait si kanale për shprehjen e saj artistike.
Nëpërmjet ripërdorimit të mobilieve dhe dritareve të hedhura, sendet e vjetra fitojnë një vizion dhe jetë të re sikur koha të ishte ndalur.
Një nga veprat e saj artistike, "Jo më", përbëhet nga tri dërrasa lavanderie të modës së vjetër, njëra prej të cilave madje ka disa të çara në sipërfaqen e saj. Megjithatë, pikturat e Vaccaro-s mbi këto objekte e kanë pasuruar kuptimin e tyre.
“Detyrat e shtëpisë, si larja e rrobave, ishin zakonisht detyrë e grave kineze në të kaluarën. Me zhvillimin e shoqërisë dhe teknologjisë, dërrasat e larjes nuk përdoren më, gjë që përfaqëson gjithashtu përparimin e rolit dhe statusit social të grave kinez”,- tha Vaccaro.
Orlando Daga, një tjetër ekspozues, është më i interesuar të integrojë idetë nga veprat klasike kineze në krijimet e tij. Ai solli 13 vepra arti nga seria e tij e fundit, e titulluar "Dritare".
Dritaret tradicionale të stilit kinez, të formave dhe ngjyrave të ndryshme, janë të ndërthurura me fije mëndafshi. Vetë dritarja simbolizon botën e jashtme, ndërsa fijet e mëndafshit mund të shihen të ndërthurura përmes dritares, gjë që është tregues i lidhjes së brendshme midis elementeve të ndryshme - një shprehje artistike e ekzistencës në filozofinë tradicionale kineze, tha Daga.
Daga ka mësuar më shumë për filozofitë orientale që kur shkoi për herë të parë në Kinë në vitin 2014. Italiani shpejt zbuloi se shumë vepra tradicionale filozofike kineze, si "Tao Te Ching" nga Lao Tzu dhe vepra e filozofit të lashtë kinez Zhuangzi u bënë burimet e tij kryesore të frymëzimit.
Përveç përdorimit të dritareve, Daga gjithashtu kombinon ngjyrat me tetë diagramet në pikturat e tij me temë ujin, zjarrin dhe tokën etj., për të eksploruar marrëdhëniet midis njerëzve dhe hapësirës. Ai përdor diagrame dhe ngjyra të ndryshme, me blunë që përfaqëson ujin e liqenit, ndërsa kafeja dhe e verdha përfaqësojnë malet. Imazhi i njerëzve në mes të kanavacës është gjithashtu shpesh i mbështjellë me shtresa valëzimesh, duke simbolizuar lidhjen midis elementeve natyrore dhe njerëzimit.
"Filozofia kineze është shumë interesante, sepse të jep një këndvështrim të ndryshëm për mënyrën se si t'i interpretosh gjërat",- shpjegoi ai, duke shtuar se filozofia kineze e lejon atë të reflektojë mbi tema duke përfshirë harmoninë me veten, energjinë e jashtme të njerëzve dhe marrëdhëniet e njerëzve me universin dhe natyrën.
Ekspozita, e cila u hap më 7 prill dhe do të zgjasë deri më 7 maj, u ofron vizitorëve mundësi për të vlerësuar shkrirjen e artit dhe kulturës kineze me atë italiane.