INSTAT: Eksportet drejt vendeve të BE-së, 73.6% të eksporteve të vendit
2023-04-21 10:33:50

Foto nga Atsh

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian për tremujorin e parë të vitit zënë 59.3% të gjithë tregtisë.

Referuar raportit për tregtinë e jashtme të Institutit të Statistikave, në periudhën janar-mars 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 73.6% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zunë 50.9% të importeve gjithsej, përcjell “ATSH”.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 29.5%, Turqia me 7.4%, Kina me 6.8% dhe Greqia me 6.8%.

Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Kosova me 2.5%, Greqia me 66.4% dhe Maqedonia me 47.8%.

Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është Italia me 8.5%, Gjermania me 21.8% dhe Kina me 49%.

Ndërsa vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Kina me 28.3%, Gjermania me 7.8% dhe SHBA me 55.3%.

Sipas INSTAT-it, vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Italia me 3.7%, Turqia me 11.2% dhe Greqia me 19%.

Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 123 miliardë lekë, duke u rritur me 2.1%, ndërsa importet arritën vlerën 208 miliardë lekë, duke u rritur me 0.4%, krahasuar me një vit më parë. (Irma)