Dorëzimi i grurit nga Ukraina në kuadër të nismave humanitare arrin në 541.700 tonë
2023-04-21 10:18:56

Foto nga VCG

Ukraina ka dorëzuar 541.700 tonë ushqime për vendet në nevojë në kuadër të programeve humanitare, njoftoi agjencia e lajmeve “Ukrinform” e drejtuar nga qeveria, duke cituar shifra zyrtare.

Në veçanti, Ukraina dërgoi rreth 371.100 tonë prodhim në kuadër të Programit Botëror të Ushqimit dhe rreth 170.000 tonë në kuadër të programit “Gruri nga Ukraina”, treguan të dhënat nga Ministria e Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, përcjell “Xinhua”.

Në fillim të kësaj jave, një anije me 30.000 tonë grurë nga Ukraina mbërriti në Jemen, një nga vendet arabe më në nevojë.

Që nga hyrja në fuqi e Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi, Ukraina ka eksportuar 27.73 milionë tonë prodhim, duke përfshirë më shumë se 5 milionë tonë në vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme të ulëta, sipas ministrisë.

Marrëveshja e drithërave të Detit të Zi u nënshkrua veçmas në korrik 2022 nga Ukraina dhe Rusia me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara, për të siguruar furnizimet me drithë dhe plehra në tregjet globale në mes të krizës në Ukrainë. (Irma)