"Auto Shangai": Prodhuesit kinezë të automjeteve paraqesin teknologji të reja
2023-04-21 12:45:29

Foto nga VCG

Revolucioni i automjeteve elektrike në Kinë po vijon me shpejtësi, ndërsa prodhuesit vendas të makinave përgatiten për të sfiduar kompanitë kryesore të botës të këtij sektori. Kompanitë kineze kanë paraqitur teknologji inovative, modele makinash e tipa baterish të fundit në Ekspozitën e 20-të Ndërkombëtare të Industrisë së Automjeteve të Shangait, të njohur gjithashtu si "Auto Shangai 2023".

Ekspozita, me temë "Përqafimi i epokës së re të industrisë së automjeteve", nisi të martën. Në të janë shfaqur më shumë se 1 500 makina, dy të tretat e të cilave elektrike, duke e përcaktuar "epokën e re" si "epokë e energjisë elektrike."

Gjigantët globalë të makinave, si BMW, "Mercedes Benz" dhe "Volkswagen", kanë sjellë automjetet e tyre elektrike të fundit në këtë ekspozitë. Ndërkohë, prodhuesit kinezë të makinave dhe markat e automjeteve elektrike kanë arritur të zënë më shumë pjesë të tregut botëror, të kryesuara nga BYD, kompania që shiti më shumë automjete elektrike vitin e kaluar.

Foto nga VCG

Me çmime që shkojnë nga nën 100 mijë në më shumë se një milion juanë, BYD ka paraqitur modele të shumta makinash, që mbulojnë pothuajse të gjitha nënsegmentet e tregut.

Vitet e fundit, forcimi i kompanive kineze të prodhimit  të makinave e ka riformësuar peizazhin konkurrues në tregun më të madh të makinave në botë dhe këto kompani, duke përfshirë BYD, tani janë gati të rritin eksportet e makinave të tyre me çmime shumë konkurruese.

Vjet, BYD e kaloi "Tesla"-n për shitjet e automjeteve elektrike, me 1.86 milion njësi, duke zënë vendin e parë në botë.